Home / Arte / Ekspozita / Aty ku mistika nuk mbaron

Aty ku mistika nuk mbaron

Hapet në Bibliotekën Kombëtare ekspozita “Bektashizmi në kulturën shqiptare”

Mistika gjithnjë ka qenë një frymëzim për shkrimtarët. Në vitin 1898, Naim Frashëri botoi poemën “Qerbelaja” fillimisht në Bukuresht, ku me tone të ndjera sillte pikëpamjet e tij për të panjohurën, atë të mistershmen, pjesë dhe e besimit të tij bektashi. Janë të shumta veprat e shkrimtarëve bektashinj, pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare. Dje, në hollin kryesor të bibliotekës është hapur një ekspozitë e veçantë me këtë koleksion shumë grishës për publikun, duke sjellë një hulumtim mbi gjurmën historike dhe kulturore të tarikatit bektashian në jetën shpirtërore, shoqërore e kombëtare shqiptare. Ky rrugëtim shpalos, prej zanafillës së tij historike te pamja e sotme moderne, një gjendje specifike besimi e të besuari, në kërkim të pandërprerë të kuptimit të thelbit të Zotit dhe njeriut, në sprovë të përhershme të lartësimit shpirtëror e tolerancës dhe në një harmonizim të rrallë mes ndjeshmërisë atdhetare e universalitetit të qenies. Vepra si “Lulet e verës”, “Qerbelaja” e Naimit, por edhe platforma ideologjike e Samiut, moderne e bashkëkohore në 165-vjetorin e tij të lindjes, nga misteret e kaligrafisë tek ornamentet dhe arkitektura e vendeve të kultit, nga recitativi ceremonial e muzika monodike te miti letraro-kulturor dhe spiritual i malit të Tomorit, nga etërit shpirtërorë te mitingjet e shkronjave shqipe dhe lufta për pavarësi, nga sakrifica e persekutimi historik te mbijetesa dhe ringjallja. Joshja dhe frymëzimi që bektashizmi ka ushtruar ndër studiues ballkano-albanologë për ta njohur atë më nga pranë dhe kërshëria shkencore për ta kuptuar më mirë, sikundërse nxiti dikur Faik Konicën për “Shënimet (e tij) mbi metafizikën e bektashinjve”, bën që sot të flitet për një korpus të mirëfilltë studimor, të cilit vazhdojnë t’i shtohen studiues të ndryshëm. Ekspozita është shoqëruar dhe me një konferencë shkencore, ku kanë folur mbi bektashizmin prof. dr. Shaban Sinani, historiani Ferid Duka dhe dr. Ermal Nurja. Në shenjë nderimi është përkujtuar dhe kontributi i një studiuesi të heshtur të bektashizmit, siç është Zyber Bakiu.

Leave a Reply

%d bloggers like this: