Keshilla

Si të reagoni përballë “kapriçiove” të fëmijës suaj

Nëse gëzoni statusin e prindërimit ka shumë mundësi të keni hasur shpesh edhe kapriçiot e fëmijës suaj. Ka në fakt, disa rregulla psikologjike, të cilët do t’ju ndihmonin shumë në këtë çështje. I gjeni të listuara më poshtë

Nuk ka rëndësi arsyeja e kapriçiove, shprehja e zemërimit nëpërmjet dhunës bën pjesë në zhvillimin emocional normal të fëmijës e që sinjalizon përgjithësisht fillimin e autonomisë (rreth moshës 2 vjeç). Bëni durim, është vetëm një fazë kalimtare. Ja atëherë disa rregulla të cilat duhet t’i keni parasysh:

Mbani qetësinë

Qëndrimi juaj i qetë do ta ndihmojë fëmijën që të qetësohet me veten: të rriturit jeni ju, ndaj dhe duhet të mbani kontrollin e situatës. Mbani parasysh se fëmija edhe kur qan, ju vëzhgon…

Shpërfilleni

Nëse vendosni të shpërfillni fëmijën, largohuni fizikisht nga ai me disa hapa. Nuk duhet të përgjigjeni, as të reagoni e më për tepër të nervozoheni, të bërtisni ose të shani: e gjitha kjo mund të krijojë një atmosferë negative dhe ndër të tjera fëmija nuk gëzon humor për t’ju ndjekur me vëmendje. Këtë metodë mund ta provoni vetëm nëse fëmija ju “sulmon”. Në këtë rast, kaloni në pikën e mëposhtme…

Izolojeni

Nëse është e nevojshme, ndryshoni ambient, duke e shoqëruar në një vend të izoluar për t’u çliruar duke bërtitur, ndërkohë që jeni vetëm ju. Kjo praktikë është hapi i parë drejt kthimit të qetësisë.

Lërini pak kohë

Jepini dy ose pesë minuta kohë për t’u shfryrë. Kjo kohë është shumë e rëndësishme për një fëmijë në momentet e kapriçiove: ai e ka të nevojshme të çlirojë adrenalinën dhe të qetësohet.

Mos e lëshoni veten

Mos e lëshoni veten vetëm sepse ju vjen keq e dëshironi t’i plotësoni një dëshirë. Fëmija juaj do ta përsërisë sërish të njëjtën sjellje, në një kohë që duhet të kuptojë se kjo nuk është strategjia e duhur për të marrë atë që dëshiron…

Pajtohuni

Sapo fëmija juaj të qetësohet, jini të dashur me të, të kuptueshëm dhe komunikojini se e keni kuptuar gjithçka që ka ndodhur dhe se nuk jeni të nevrikosur me të.

Shprehuni qartë

Flitini në mënyrë të qetë dhe të vendosur. Qetësojeni duke e siguruar me fjalë të thjeshta dhe të qarta, të cilat mund t’i kuptojë shumë thjesht. Mos u nevrikosni. Është e kotë që ta ndëshkoni, sepse ky reagim shërben vetëm për ta bindur dhe jo për ta sqaruar. Kuptueshmëria është çelësi i komunikimit.

Rehatohuni

Ose ndryshe ndryshoni argument, hiqjani vëmendjen nga emocionet negative duke e rikthyer te ndonjë kujtim i bukur ose çojani vëmendjen në elementë të tjerë dhe propozojini alternativa.

Paralajmërojeni

E keni për detyrë ta bëni fëmijën të kuptojë se sjellja e tij është e papranueshme. Shpjegojini mirë se nuk është ai i “keqi”, por sjellja e tij. Pra mos ia ulni besimin në vetvete.

Analizoni

Përpiquni të kuptoni se çfarë e ka provokuar frustacionin e tij, për të shmangur përsëritjen e situatës, për të mirën e të gjithëve.

Parandaloni krizat

Këshilla numër 1 për të parandaluar krizat është: respektoni gjumin dhe urinë e fëmijës. Kur ai/ajo është i/e lodhur, ose shumë i/e shqetësuar, është edhe në humor të keq. Mësoni momentet e gjumit, të lodhjes dhe të urisë.

Njihni shijet e tij

Një tjetër këshillë për të parandaluar kapriçiot është kjo: krijoni një atmosferë, e cila t’i lejojë fëmijës suaj të bëhet pjesëmarrës dhe i integruar, duke i lejuar të zgjedhë atë që preferon rregullisht. Jini të ndërgjegjshëm për shijet dhe preferencat e tij, të gjithë kemi dëshira për t’i plotësuar.

Edukojeni me ndjeshmëri

Mësojeni që të shprehë ndjenjat e tij, shpjegojani se nevrikosja është normale, ndihmojeni që të gjejë mënyrat më të përshtatshme për të komunikuar zemërimin dhe frustrimin. Dhe më pas do ta shihni si do të shprehet mjaft mirë përmes vizatimeve dhe pikturave…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button