Home / Politika / Vizita e Kancelares Merkel, shans për zhvillimin e marrëdhënieve politiko-ekonomike mes dy vendeve

Vizita e Kancelares Merkel, shans për zhvillimin e marrëdhënieve politiko-ekonomike mes dy vendeve

Vizita e parë zyrtare që një Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë, si Angela Merkel, do të zhvillojë në Tiranë në 8 korrik, pritet të jetë një shans që do të sjellë një zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Aktualisht, Republika Federale e Gjermanisë është donatori më i madh ndër vendet e Bashkimit Europian në Shqipëri.

Gjithashtu, nga pikëpamja e volumit tregtar, Gjermania në vitin 2014 renditet si partneri i pestë tregtar më i madh me Shqipërinë.

Sipas Kryeministrisë, në vitin 2014, në Shqipëri operuan 146 ndërmarrje gjermane dhe të përbashkëta shqiptaro – gjermane, nga 121 që ishin në vitin 2010, duke pësuar një rritje me mbi 20%.

Gjithashtu, volumi tregtar me Gjermaninë në vitin 2014 ishte rreth 40.2 miliardë lekë (287 milionë euro) duke pësuar një rritje prej rreth 29% në krahasim me vitin 2010.

Gjithashtu, vizita e zonjës Merkel shënon një moment të veçantë edhe në marrëdhënien dhe bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, qoftë në kuadrin e politikave rajonale dhe integruese përmes procesit të Berlinit, qoftë në fushën ekonomike dhe tregtare.

Axhenda e vizitës së Kancelares Merkel në Tiranë

Tashmë është konfirmuar axhenda që do të shoqërojë vizitën e Kancelares Merkel në Tiranë. Kancelarja gjermane Merkel do të mbërrijë në orën 13:50 në Aeroportin e Rinasit. Më pas do të drejtohet në Kryeministri, ku do t’i rezervohet ceremonia protokollare më e lartë shtetërore dhe pas bisedimeve zyrtare me Kryeministrin Rama, të dy krerët e qeverive do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Më pas në orën 16:10 Kancelarja Merkel do të pritet nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ku do të ketë një takim të përbashkët.

Nga ora 17:00 deri në orën 18:00 Kancelarja Merkel do të vizitojë parkun e biznesit, ‘Tirana Business Park’ që është projekti më i madh privat gjerman në Shqipëri, një investim i kompanisë “Lindner Group” që arrin në vlerën 100 milionë euro. Në këtë Konferencë ekonomike gjermano-shqiptare, ku do të marrin pjesë biznese të rënëdësishme nga të dy vendet, do të ketë një fjalë përshëndetëse të Kancelares Merkel dhe Kryeministrit Rama.

Më pas, rreth orës 18:30 Kancelarja Merkel do të lërë Shqipërinë për të vijuar axhendën e saj në turin e vizitave zyrtare në Ballkan.

Leave a Reply

%d bloggers like this: