Kosova

Liderët e përjetshëm!

Pak subjekte politike kanë arritur t’i ndryshojnë liderët e tyre që nga paslufta, shumica e kryetarëve partiakë kanë mbetur të njëjtë.

“Kampion” mund të konsiderohen Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, të cilët për më shumë se 16 vjet vazhdojnë të mbesin “shefa” të partive, pavarësisht debakëlve zgjedhorë që kanë pësuar në disa raste.

Analistët politikë konsiderojnë se praktikat e tilla duhet ndryshuar pasi që skena politike ka nevojë për figura të reja politike, shkruan ‘Zëri’.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Azem Vllasi, thotë se liderët partiakë kanë krijuar praktika të tilla, saqë ata mendojnë se duhet të jenë gjithë jetën udhëheqës, apo në krye të skenës politike.

“Këta liderë politikë kanë krijuar logjikën e totalitarizmit që të krijohet përshtypja se askush nuk guxon t’iu dalë përpara as me kandidatura e as me asgjë tjetër. Ata e konsiderojnë veten të pakontestueshëm, të cilët mendojnë se jo vetëm partia që s’mund të ecë përpara pa ta, por bile as Kosova”, ka thënë Vllasi.

Ky sindrom, sipas tij, ka përfshirë të gjitha subjektet politike, por që pak përjashtim bën LDK-ja dhe “Vetëvendosja”, të cilat kanë ndërruar liderët e tyre politikë.

Ndërkaq, analisti tjetër, Artan Muhaxhiri, thotë se partitë politike në Kosovë pothuajse janë privatizuar dhe udhëhiqen nga të njëjtit liderë me një grup të vogël njerëzish që i kanë përreth. Sipas tij, liderët partiakë të vendit kanë krijuar klimë të autoritarizmit saqë kundërshtimi i liderit shihet barazi me “vetëvrasje” politike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button