Home / Qeveritare / Vendimi: Një milion dollarë shpërblim për Lazaratin

Vendimi: Një milion dollarë shpërblim për Lazaratin

timthumbQeveria jep dy rroga shpërblim për 742 punonjës policie që morën pjesë në operacion

Vendimi pritet të merret në mbledhjen e sotme të qeverisë pas propozimit të ministrit Tahiri

Çdo punonjës policie, i përfshirë në operacionin për çlirimin e Lazaratit nga kultivuesit dhe trafikantët e drogës, një ndër goditjet më të forta të kryera nga uniformat blu gjatë viteve të fundit, do të marrë dy paga shpërblim. Vendimi për këtë shpërblim pritet të merret sot në mbledhjen e qeverisë pas propozimit të ministrit të Brendshëm, ndërkohë që burimet nga institucioni i drejtuar nga Saimir Tahiri, tregojnë se janë 742 punonjës policie, të cilët do të përfitojnë nga ky vendim. Vlera totale e shpërblimit të përllogaritur nga strukturat e Ministrisë së Brendshme shkon afërsisht 1 milion dollarë.

Shpërblimi

Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, prej disa ditësh, duke u bazuar në planin operacional për ndërhyrjen në Lazarat, kanë përllogaritur vlerën totale të shpërblimit për punonjësit e policisë. Në bazë të informacioneve që ata kanë për ndërhyrjen disaditore në Lazarat ishin planizuar me shërbim 742 punonjës policie, ku përfshihen efektivë që nga gradat më të ulëta në Policinë e Shtetit, deri tek ato madhoret. Për shkak të angazhimit të tyre, jo vetëm larg vendbanimit, por edhe jashtë orarit të punës, përballë një rrezikshmërie të lartë, ministri i Brendshëm ka vendosur t’i shpërblejë ata me nga dy paga. Shpërblimi do të bazohet në pagën që përfiton secili punonjës policie për gradën dhe funksionin që ka dhe jo në pagën referuese në Policinë e Shtetit. Pra, shpërblimi do të jetë sa dy paga që çdo punonjës policie përfiton aktualisht dhe kjo pritet të shtohet në llogarinë e tyre brenda këtij muaji.

Buxheti

Sipas të dhënave, nga përllogaritja e kryer nga Ministria e Brendshme, rezulton se vlera totale për këtë shpërblim shkon në 100 milionë lekë të reja, ose afërsisht në 1 milion dollarë. Kjo do të përballohet nga buxheti i shtetit, prandaj vendimi për këtë çështje është futur në rendin e ditës për mbledhjen e sotme të qeverisë. Kjo është hera e parë e qeverisë shqiptare, e cila miraton një shpërblim të tillë në vlerë kaq të madhe dhe për një numër kaq të lartë punonjësish policie njëherësh.

Lazarati

Vlerësimi i punonjësve të Policisë për Lazaratin filloi që para disa ditësh nga Kryeministri Rama, i cili organizoi një ceremoni për të falënderuar të gjitha uniformat blu që morën pjesë në këtë operacion, që vijon edhe sot në zonë, me kontrollin e banesave, me qëllim asgjësimin e çdo bime narkotike dhe kapjen e çdo arme që mbahet pa leje nga banorët e atyshëm. Operacioni në Lazarat është vlerësuar maksimalisht edhe nga ndërkombëtarët, edhe për faktin se u ndërmor pak ditë para vendimit të BE-së për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Kjo ishte hera e parë që policia ndërhyri deri në zemër të fshatit pas 25 vitesh, ku herë pas here kishte hasur në rezistencën e ashpër me armë nga kultivuesit e lëndës narkotike. Me ndërhyrjen në Lazarat dhe vënien nën kontroll të zonës, qeveria shqiptare realizoi edhe një nga premtimet elektorale për kontrollin e të gjithë territorit shqiptar brenda 300 ditëve të para të qeverisjes. Roli i Lazaratit në fushën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike ishte i dukshëm, ashtu siç ishte edhe pafuqia e shtetit për të parandaluar këtë fenomen negativ, i cili ishte pranuar në heshtje prej shumë vitesh. Madje, kjo vihet re edhe pas ndërhyrjes së policisë në “fshatin rebel”, pasi ka rënë dukshëm sasia e kanabisit që tentohet të trafikohet ose trafikohet nga Shqipëria drejt BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published.