Home / Bota / Amerika / Senati i Karolinës së Jugut voton ‘pro’ heqjes së flamurit të Konfederatës

Senati i Karolinës së Jugut voton ‘pro’ heqjes së flamurit të Konfederatës

Senati i Karolinës së Jugut votoi të hënën për heqjen e flamurit të fushëbetejës së Konfederatës nga parlamenti vendor në Kolumbia.

Propozimi dypartiak, i cili doli pas masakrës së muajit të kaluar ku mbetën të vrarë 9 persona me ngjyrë në Charleston, u miratua me 37 vota ‘pro’ dhe vetëm 3 kundër.

Për shumë njerëz në shtetet jugore, flamuri i Konfederatës përfaqëson një simbol të nderuar të historisë së tyre, por po shihet gjithnjë e më shumë edhe si një simbol i skllavërisë dhe i racizmit.

Vota e Senatit të hënën shënoi një ndryshim të bujshëm në Karolinën e Jugut, ku më pak se tre javë më parë heqja e flamurit të fushëbetejës së Konfederatës shihej si e pamundur. Tashmë debati do të zhvendoset në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila dominohet nga republikanët.

Më herët, presidenti amerikan Barack Obama u shpreh se flamuri i Konfederatës e ka vendin në muzeum, por është e drejta e shtetit të Karolinës së Jugut të vendosë për këtë çështje. Ndërsa udhëheqës fetarë u kanë bërë thirrje ligjvënësve që të votonin ‘pro’ heqjes së flamurit.

“Ka ardhur koha që Asambleja e Përgjithshme të bëjë atë çka duhet ta kishte bërë kohë më parë, që do të ishte heqja e këtij simboli përçarjeje dhe madje për disa, simbol i terrorizmit”, kanë thënë ata.

Për miliona njerëz në të gjithë botën, imazhi i flamurit të Konfederatës së Shteteve të Jugut të Amerikës gjatë luftës civile është simboli i palës së mundur skllavopronare të Jugut.

Por, në shumë shtete të Jugut të SHBA-së së sotme, ai që duket tashmë një simbol i padëmshëm, mbart ende emocione politike, edhe pse lufta civile ka më shumë se 150 vjet që ka përfunduar dhe vendi ka kaluar përmes fazës së ripajtimit kombëtar. Aktivistët kanë organizuar disa përpjekje gjatë viteve 1990 për ta hequr këtë flamur nga ndërtesat publike, por që nga ajo kohë, çështja ishte harruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.