Home / Kronika / Tahiri në komisionin e sigurisë: Në Lazarat ishte krijuar një kriminalitet masiv

Tahiri në komisionin e sigurisë: Në Lazarat ishte krijuar një kriminalitet masiv

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka raportuar paraditen e së martës në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare lidhur me ngjarjet e ndodhura së fundmi në Lazarat.

Në fjalën e tij, duke iu përgjigjur akuzave të deputetëve të opozitës se në fshatin jugor të vendit policia dhe RENEA ndërhynë pa plan veprimi, Tahiri ka thënë se, kriminaliteti i krijuar ndër vite në Lazarat nuk mund të asgjesohej për një vit, pavarësisht rezultatit të suksesshëm të arritur në operacionin e vitit të kaluar.

“Në Lazarat ishte krijuar një kriminalitet masiv. Vitin e kaluar policia i dha fund kultivimit masiv të drogës, vlera e të cilës arrinte në disa miliardë euro. Me paratë e drogës korruptohej Policia e Shtetit, drejtësia dhe vendimmarrja politike”, ka thënë Tahiri.

Ministri ka theksuar se, kur qeveria aktuale erdhi në pushtet gjeti një Shqipëri të zhytur në kultivimin e narkotikëve, gjë që sipas tij kishte pasoja të rënda në sigurinë publike, drejtësinë dhe politikën.

“Fluksi kriminal i atyre përmasave nuk mund të gjente zgjidhje pa operacionin e vitit që kaloi”, ka theksuar Tahiri, i cili sa i takon ngjarjeve të fundit, ku humbi jetën efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, ka thënë:

“Ajo që ndodhi ishte një ngjarje e rëndë, por që gjeti zgjidhjen e duhur me arrestimin e të dyshuarve. Ajo ishte diçka e organizuar dhe policia nuk kishte informacion as nga SHISH, por mori zgjidhjen më të shpejtë të mundshme”, ka shtuar Tahiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.