Ekonomia

Për koncesionin e Rrugës së Kombit ndryshohet ligji

Rruga-e-Kombit-320x240Në komisionet parlamentare ka nisur diskutimi i një projektligji me një nen, që i hap rrugën qeverisë për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit. Neni “magjik” i lejon qeverisë nxjerrjen e akteve nënligjore, vendimeve për organizimin e tenderit dhe zbatimin e koncesionit. Ky koncesion i sjell kompanisë administruese fitime mbi 400 milionë euro për 35 vjet, që do të paguhen nga shqiptarët nga 5 euro, si taksë kalimi për automjetet.

Ndryshimi i ligjit

Një nen përjashtues është propozuar nga qeveria që të shtohet në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”. Teksti i nenit është: “Për koncesionet e punëve publike për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, kur ato paraqesin rëndësi të veçantë për infrastrukturën rrugore të vendit”. Emergjenca është paraqitur si argument në relacionin e qeverisë, ndërkohë që thuhet se nuk do të përfshihen të gjitha rrugët. “Duke vlerësuar rreziqet e trafikut, del e domosdoshme dhe emergjente marrja e një sërë masave për rehabilitimin, mirëmbajtjen dhe operimin e këtyre akseve rrugore, të cilat duhen shoqëruar me masa dhe procedura ligjore të menjëhershme, ku të parashikohet jo vetëm realizimi procedural i dhënies me koncesion të këtyre akseve, por edhe futja e shërbimeve të tjera që i shërbejnë buxhetit të shtetit, siç është vendosja e instalimeve për mbledhjen e tarifave për kalimin e automjeteve”, theksohet në relacionin e draftit.

Projekti

Projekti është i gatshëm dhe është punuar me asistencën e IFC-së, degë e Bankës Botërore, e cila është donator i studimit të kryer qysh në vitin 2011, por qeveria “Berisha” nuk arriti ta përfundojë tenderin dhe i mbeti qeverisë “Rama” ta realizojë. Para disa muajsh, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, u shpreh: “Jemi në fazën e përgatitjes së modelit se si do të jepet me koncesion kjo rrugë. Nga fundi i pranverës, fillimi i verës, ne do ta tenderojmë këtë si koncesion”. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Transporteve, Eduard Seitaj, ka deklaruar në Komisionin e Ekonomisë, se deri më tani procedurat për koncesion kanë dështuar, pasi asnjë kompani nuk ka shfaqur interes, sepse qeveria nuk ka pasur asnjë studim mbi kostot e mirëmbajtjes së këtyre akseve.

Të ardhurat

Kur të vendoset trau, do të fillojë mbledhja e të ardhurave që mund të llogariten përafërsisht qysh tani. Sipas studimit të IFC-së, në vitin 2011 qarkullonin 4600 makina mesatarisht në ditë, shumëzuar 5 euro (taksa mesatare që përdoret), me 365 ditë, me 35 vjet që është koncesioni, del se shuma është mbi 400 milionë euro.

Kushti

Investimi për mirëmbajtjen 100 milionë euro

Investimi i firmës fituese për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, sipas projektit fillestar, ka qene rreth 100 milionë euro. Firma koncesionare ka të drejtë të menaxhojë autostradën dhe tunelin, duke aplikuar taksa, punime shtesë për stabilizimin e pjerrësive dhe masa mbrojtëse për të parandaluar mbylljen e rrugëve, për përmirësimin e sigurisë në rrugë dhe për të reduktuar gradualisht kostot e operimit dhe mirëmbajtjes. Përveç këtyre kushteve, koncesionari duhet të instalojë rrethimin e aksit, të ndriçojë të gjitha kryqëzimet etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button