Libri

Shëtitjet në Paris me Jusuf Vrionin

Mjeshtri i shqipes në kujtimet e poetit francez, Yves Mabin…

“Ti e doje atë dialog të vështirë, të rreptë, të pasur, midis gjuhës së nënës tënde dhe gjuhës franceze. Ti e doje aq shumë këtë gjuhë sa siç më ke thënë, kur ishe në burg, në dhomën e izolimit, ti flisje me vete frëngjisht që të mos çmendeshe”

Nga Luan Rama

Të shkruash në një frazë të vetme që nuk ndalon… e kam admiruar gjithnjë këtë lloj shkrimi, por e pamundur, dhe ja, Yves Mabin, miku im francez, njeriu që derdhte lot para meje duke parë fytyrën e heshtur përjetësisht të Jusuf Vrionit në hollin e ambasadës shqiptare në Paris, 56, Boulevarde Marceaux, ma dërgoi një të tillë, një frazë rrëqethëse, gati e pambarimtë, në dymijë e treqind e nëntëmbëdhjetë vargje, një poemë, një libër, “Përhumbje gjer në fund”, poezi të shkruara me një frymë, shpirti që klith butë, pa zhurmë, sepse një atak cerebral e ndali për disa kohë letërsinë e tij, krijimin. Por Yves Mabin, që gjithë jetën ka jetuar mes librave, për librat, nuk e rreshti shkrimin e tij, dhe me një dorë, të djathtën, të shkruante ngadalë, në ritmin e akrepave, të kohës që shkonte dhe nuk kthehej më, ishte vetë fjala që i diktonte dorën e tij, fjala me fytyrën e gjithë të dashurave të tij, bredhjeve, netëve të dehura në kërleshje, por ai e donte shumë jetën, më shumë vargjet, dhe fjala e detyronte kështu të jetonte, poezia, edhe pse, siç më shkruan në një letër të këtyre ditëve, kjo do të jetë poema e tij e fundit, ndoshta edhe pse nuk dua ta besoj, e megjithatë e besoj, pasi imazhi i tij për vetveten është i trishtë, edhe pse fjala e tij është e rëndë, gur i çmuar, fjalë filozofike, eksperiencë jete, vibruese, fjalë fluturake që nderen në ajër për të lajmëruar nesër pranverën, për t’u ulur në lartësinë e buzëve tona të etura për poezi, në kristalinën e syve, sepse në to është fjala, fshihet jeta, ngjarje të përjetuara, zhgënjime, ekstaza, një botë që jo vonë do t’i ikë, por që do ta këndojë gjer në perëndimin e fundit të diellit, me dritën e një ylli që shuhet ngadalë e që megjithatë nuk shuhet, pasi është në hemisferën tjetër që ndriçon, gjallon, jeton në shpirt, penduli i Foucault i vendosur në Panthéon që na thotë se bota rrotullohet rreth vetes, ashtu siç trupat tanë shkërmoqen për t’u kthyer në humus, në pinjollë të rinj, botë që bulëzon, gjithnjë, dhe duke shkruar këto fjalë për të s’mund të harroj atë letër kur pasi kishte parë fytyrën e heshtur të Vrionit, mikut që nuk fliste, që nuk do t’i fliste më, ai më shkruante për të atë çka nuk m’a tha dot atë ditë me grykën e tij të mbytur “Jusuf Fisniku, Jusuf Shqiptari, Jusuf Francezi. Kur ne shëtisnim në Paris për herë të parë, kur ti u lejove të rivije pas aq vjet ndalimi e mungese, ti më the se ishe “xhaxhai“ im, por që dhe unë isha “xhaxhai” yt. Në fakt, ti ishe vëllai im. Vëllai im më i madh në moshë, në mençuri, në eksperiencë të dhimbshme, por shpesh vëlla i vogël, kur ti më kërkoje ndonjë këshillë dhe kur unë të shihja aq të gjallë, si një i ri i përjetshëm. Ne ishim vëllezër Jusuf dhe vëllezërit dinë që në të gjallë ta njohin njëri-tjetrin. Por dhe të vdekur dinë të pikëtakohen. Mirupafshim së shpejti Jusuf!…“ fjalë, fjalë, fjalë që më djegin për mikun tim, Jusuf, i cili kishte dëshirë të vinte tek unë të pinte një uiski dhe të prehej, në paqen e botës së medituar që shkonte qetësisht si ujërat nën urën Mirabeau të Apollinaire, po, dhe unë sërish kujtoj fjalët e Yves që më risjellin gjithnjë ditët kur të tre takoheshim dhe pinim nga një birrë në “George Pimpidou” dhe flisnim për letërsinë, artin, përkthimin, vajzat e bukura, ah, fjalët, djegin, djegin sërish, këmbojnë në një kambanë të vogël, për mua, për ty, për ata, kalimtarë të jetës sonë, “Jusuf Francezi, ti e doje Francën, kulturën e saj që e njihje aq mirë, gjuhën që e përdorje në mënyrë të admirueshme, siç e dëshmojnë përkthimet e veprës së një prej shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë mes të gjallëve, mikut tënd dhe tonit, Ismail Kadare. Ti e doje atë dialog të vështirë, të rreptë, të pasur, midis gjuhës së nënës tënde dhe gjuhës franceze. Ti e doje aq shumë këtë gjuhë sa siç më ke thënë, kur ishe në burg, në dhomën e izolimit, ti flisje me vete frëngjisht që të mos çmendeshe. Sa kompliment i bukur për një gjuhë që ishte gjithashtu jotja, pasi ti ishe po aq francez, si gjithë ata francezë që flasin këtë gjuhë dhe që duan këtë vend, mbrojtës të lirive dhe të të drejtave humane…“ tani ishte Yves, është Yves, krijuesi i aq shumë romaneve dhe librave poetikë, fitues i çmimeve “Paul Verlaine”, “Max Jabob”, që përhumbet tashmë me poezinë e tij të fundme, po, të fundme, atje në apartamentin e tij në Rue de Grenelle, ku sytë e tij kanë shkëlqimin e përshëndetjes së dashur, miqësisht, vëllazërisht…

… dallgët ngrihen në sulm ndaj shkëmbinjve thepisës

e i gërryejnë prej mijëra vjet

retë shtyjnë erërat drejt tokave

dhe lehtësohen nga uji që rëndon rendjen e tyre

grumbulloj guriçka të brejtur dhe i hedh në ajrin e ngarkuar me stuhi

vëzhgoj rënie e tyre mbi bregoren me guriçka

në kujtim të të vdekurve një aureolë boreale vallëzon mbi shkretëtirë

i jepem natës

por që meqë janë shumë që e kërkojnë ajo më flak menjëherë

pikas gjendjen time të trishtë dhe e lë veten të prekem

lartësohem nga iluzionet e zverdhura që më kanë pushtuar

dhe në këmbim të kujdesit të saj

I kërkoj një portret të vetin

… po i jap fund luftës time me kohën

ngjyros vështrimin tim të fundit me të gjelbrën e rrezes së fundit të diellit

po ia lë trashëgim këngën time zërit

dhe kujtesën time arkivit global

energjinë time molekulare energjisë universale

plotësoj dëshirën

detyroj arsyen të riparojë shkatërrimet e saj

të rikthejë në vend atë çfarë ka bërë egërsisht

… po e shkrij gjakun tim me tëndin mendimin tim kujtesën time

imazhet e mia dyshimet dhe dëshirat e mia me të tuat

improvizoj një recitativ të përpiktë heshtjesh e reminishencash

mbijetesën e shtrëngimit

nevojën e aventurës

furinë e mrekullimit

ekzistencën e përhershme të shimerave

turpin e kompromisit

gëzimin e përzgjidhjes

kurthin e entuziazmit

rreptësinë e përballimit dhe ndeshjes

tmerrin e poshtërimit

trishtin e humbjes

kotësinë e keqardhjes

bukurinë e fytyrës

brishtësinë e zërit

forcën e shëmtisë

autoritetin e tingullit

strukturën e ngjyrës

vendosmërinë e kundrimit

nevojën e tjetrit

dhunën e injorancës

mburrjen e fitores

panevojshmërinë e hidhërimit

legjitimitetin e revoltës

ironinë e shuarjes

parësinë e fjalës

fitoren e imazhit

… shënoj një vijë pa fillim e pa fund në hijen e hiçit

që as fjalët imazhe nuk kanë ditur t’i përshkruajnë

çliroj gjakun tim nga mpiksjet vdekjeprurëse që e keqja ka krijuar

e përziej me gjakun universal të origjinës

shtoj këngën time te tempulli i himneve dhe gjithë imazhet e mia

në katalogun e përgjithshëm

zbukuroj çastin tim të fundit me një gjethe ulliri

një rreze drite eho e një heshtje

me ty brenda meje si arkeolog enigmash

mëshiroj dëshirat e mia shumëformëshe

vështrimin tim të fundit vendos mbi botën

të cilit i kushtoj këtë etapë të fundit të bredhjes time narrative

me sy gishtërinj buzë fshik përjetësinë e çastit

e lë në besimin tuaj çastin eventual

i mërmëris mirënjohje tokës ku lulëzon jasmine në qiell ku endet shqiponja mbretërore

në zemrën time që zëri yt bën të rrahë

në trurin tim ku mendimi im përgjon

me mua te ty ikonoklast

brishtazi si fryma që shkul fjalët imazhet

që dhe njëherë të fundit shërbejnë të shuajnë

kthej ato që kam marrë hua

dhe që më kanë shërbyer

dhe si këmbim u lë ato që më kanë marrë

jam i pranishëm në shembjen e yjeve

duke u ekspozuar forcës ndriçuese të shpërthimit të tyre

rrëshqas në humnerën yllore në zhdukje,

me ty brenda meje në pafundësi të dëshirës së ngopur

dhe me kokallat e mia shoqëroj kohën që shqetësohet

se kurrë nuk ka lindur

integrohem në hapësirën që përmbyset e koncentrohet në një pikë finale

shkrihem me materien e gjallë

dëshira krijuese

endet drejt së tërës

fikem në përhumbje

shqetësohem në vështrimin e hiçit;

Ai merr një emër

E njoh.

2009-2014

Yves Mabin Chennevière, (Iv Maben) është një poet dhe romancier i njohur i letërsisë bashkëkohore franceze dhe mik i vjetër i Shqipërisë, i cili i ka ndjekur zhvillimet shqiptare me një interes të veçantë që nga vitet ’80 e gjer më sot. Është ai që e ftoi Jusuf Vrionin në vitin 1989 me rastin e 200-vjetorit të Revolucionit Francez. Dy nga miqtë më të njohur të tij janë Jusuf Vrioni dhe Ismail Kadare, edhe pse lista e intelektualëve shqiptarë, miq të tij, është e gjatë. Të gjithë kanë spikatur te ky njeri (drejtori i Librit në Ministrinë e Jashtme Franceze) atë thjeshtësi dhe përzemërsi të jashtëzakonshme, i gatshëm për të ndihmuar ku të mundet. Por një hemorragji cerebrale e para disa viteve e ngadalësoi veprimtarinë e tij letrare.

Related Articles

Nje koment

  1. Mire, mor mire por ky Jusufi sikur e mohoi Shqiperine, per vepren e tij tha qe te mos botohet ne shqip.Pune  njerezish te dobet se veprat e Enverit i perkthente ne menyre te shkelqyer ne frengjisht.Ik o Luan se edhe ti nje cope rutinori je, mos u hiqni si shume te lartesuar me dije.

Leave a Reply to Vrion Beu Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button