Home / Arte / Muzike / Një dashnor plot pasione në skenën e Sidneit

Një dashnor plot pasione në skenën e Sidneit

Personazh / Tenori nga Kosova, Ramë Lahaj, interpreton rolin e Alfredos në operën e Sidneit. Rrugëtimi i vonë drejt muzikës.

Ramë Lahaj

I veshur me rrobat e Alfredos, Ramë Lahaj u ngjit disa ditë më parë në skenën e Operës Australiane. Një personazh që të rrëmben sa herë shfaqet në skenë, Alfredoja i Lahajt do të duartrokitej gjatë nga publiku, teksa i afrohej Violetës (interpretuar nga sopranoja Lorina Gore). Ai ishte shndërruar në një dashnor të vërtetë, i aftë për të përcjellë përmes zërit dhe trupit atë çfarë ky personazh e thotë në skena prej vitesh. “Ky produksion është mjaft i famshëm dhe i pëlqyeshëm, por debutimi i sopranes Lorina Gore dhe i tenorit Ramë Lahaj”, shkruante kritiku Simon Parris. Për vetë Lahajn ky personazh e fut në një tjetër dimension, pasi në kohën që vendos të interpretojë një rol, ai është i gjithi i shndërruar në të. Për mediat e huaja, performanca e tenorit shqiptar është nga më të mirat në historinë e këtij roli, te kjo opera. “Lahaj përcjell me shumë emocione karakterin e Alfredit te publiku, i cili shndërrohet nga një adhurues i zjarrtë në një dashnor të pasionuar, deri në zemërimin e tij të pamend dhe te pikëllimi. Tenori kosovar përcjell shumë bukur takimin e parë dhe të turpshëm me Violetën”, shkruan Parris. Për të, Lahaj jo vetëm interpreton, por edhe aktron. “Skena është gjithçka për mua”, thotë artisti, i cili po tërheq çdo ditë e më tepër interesin e kritikës ndërkombëtare. Në fakt, marrëdhënia e tij me skenën nuk është e zakonshme. I kishte kaluar të 20-at kur vendosi të ndiqte një pasion të hershëm që e ngacmonte shpesh, me gjithë mëdyshjet që shoqëronin njerëzit e tij të afërm. Nëse shumë artistë e nisin rrugën e muzikës që në fëmijërinë e hershme, Lahaj ishte vetëm 20 vjeç kur vendosi t’u hynte studimeve për opera në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ende e kujton sot ndrojtjen që kishte teksa po ecte drejt një rruge krejt të panjohur, por aq shumë të dashur për të. “Por pasioni dhe puna të çojnë gjithnjë drejt gjërave që duam”, thotë ai. Ishte Saimir Pirgu, një tjetër tenor i njohur shqiptar, që do ta mbështeste të riun nga Kosova, sapo pikasi talentin e tij. Sot Lahaj është futur në tregun e tenorëve më të kërkuar të kohës, duke u bërë pjesë e skenave të rëndësishme, siç është dhe Royal Albert Hall në Londër. Lahaj është fitues i çmimit “Riccardo Zandonai”, nga gara Riva del Garda në Itali, dhe i çmimit “Ritorna Vincitore”, garë kjo në Napoli të Italisë.

Ramë Lahaj ka lindur në Istog Kosovë në vitin 1983. Pas përfundimit të studimeve për Informatikë në moshën 21-vjeçare nis studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 2010, ai interpretoi rolin e Alfredos në edicionin e 50 të Eutin Festival në Gjermani. Duka i Mantovës është një tjetër personazh, të cilin ai e ka interpretuar në skena të ndryshme ndërkombëtare. Një ndër rolet më të përfolura është dhe Rudolfo te “La Boheme” në Royal Albert Hall në Londër.

Sapo keni interpretuar në operën “Traviata” në Sidnei. Si ishte për ju pjesëmarrja në këtë vepër në rolin e Alfredos?

Interpretimi në Operën Australiane ka qenë një ëndërr për mua. Tashmë që u ngjita në këtë skenë mund të them që një prej ëndrrave të mia u bë realitet, e aq më tepër kur kritika shkruan me superlativa të larta e kur publiku të mban gjatë në skenë nga duartrokitjet, kjo më bën të ndihem i realizuar dhe krenar për dhjetë vitet e mia të fundit, që ia kam kushtuar operës.

Ka gjithnjë një fillim në rrugën drejt artit. Ai juaji është disi ndryshe, pasi i jeni bashkëngjitur kësaj rruge shumë vonë. Si ndodhi?

Kam nisur rrugën e operës disi vonë, i shoqëruar prej shumë dyshimeve nga profesionistët e muzikës, në do të mund t’ia dilja. Por puna, dashuria dhe përkushtimi maksimal sjellin gjithnjë suksesin. Kam nisur studimet për muzikë operistike në moshën 21-vjeçare, saktësisht përpara dhjetë viteve. Të paktë ishin ata që më mbështetën dhe besonin tek ajo që unë doja, pasi pjesa më e madhe mendonin se isha vonë për ta nisur këtë rrugë, duke ditur që sportet apo muzika janë arte që nisin që në fëmijëri.

Zgjodhët të studionit në Akademinë e Arteve në Tiranë. Si e kujtoni atë periudhë?

Mund të them që periudha e studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë është një prej periudhave më të mira të jetës sime. Mësova gjithçka më duhej në rrugën drejt muzikës. Sot u jam shumë mirënjohës të gjithë stafit të pedagogëve të kësaj akademie që më mbështetën.

Ka një moment që do ta quanit fat në karrierën tuaj? 

Momenti me fat në karrierën time ka qenë një letër nga tenori i njohur Saimir Pirgu. Ai më shkruante se isha një talent dhe do të kisha mbështetjen e tij dhe ashtu bëri. I jam shumë mirënjohës, pasi ishte udhërrëfyesi dhe mbështetësi më i madh në fillimet e mia.

Një tjetër interpretim juaji ka qenë në “Albert Hall” në Londër, ku luanit rolin e Rudolfit? 

Londra është një qytet magjepsës, aq më tepër Royal Albert Hall, që është skena e ëndrrave të çdo artisti. Në fakt e ruaj si një prej momenteve më të suksesshme të karrierës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: