Home / Te ndryshme / Thesari i “Henrikut të Danimarkës” nxirret në ankand

Thesari i “Henrikut të Danimarkës” nxirret në ankand

Sipërmarrësi danez, Henrik Frederiksen, posedon një ndër koleksionet më të mëdha e më mbresëlënës të automobilave të vjetër në kontinent: të gjitha modelet janë në gjendje pune, të gjithë të mirëmbajtur me shumë dashuri. Por në fund të shtatorit, ai do t’i nxjerrë ato në ankand. I pari dhe më i madhi i llojit të vet në Danimarkë. Përse po e bën ai këtë?

“Kështu nuk i kam parë kurrë automobilat e mi”. Henrik Frederiksen, 71-vjeçar, është për momentin edhe vetë i impresionuar nga ajo që ai ka mbledhur në tri dekada nën pronësinë e tij: në lokalitetin e tij Lyngsbækgaard – dikur një rezidencë verore e oborrit mbretëror danez – qëndrojnë të parkuar më shumë se 50 automobila. “Të gjithë dikur nuk rrinin aty jashtë”, thotë Frederiksen. Ai e hedh vështrimin mbi një parking, siç nuk ka pasur kurrë një të dytë. “Këtu shkëlqejnë rreth 35 milionë euro”, kjo vetëm në një vlerësim paraprak.

Më saktësisht gjërat do të bëhen të ditura në mbrëmjen e 26 shtatorit, pasi këtë të shtunë do të mblidhen 48 “old-timers” luksi, ku do të nxirren në ankand pjesa më e madhe e koleksionit. Për këtë arsye, ato qëndrojnë këtu së bashku, pasi ekspertët e shtëpisë britanike të ankandeve “Bonhams” janë aty për t’u frymëzuar prej autoveturave e për t’i fotografuar ato, në mënyrë që blerës potencialë të arrijnë të përftojnë një imazh të vërtetë të asaj që ata presin të gjejnë këtu në mes të Parkut Kombëtar të “Mols Bjerge”. Do të jetë i pari ankand i “Bonhams” në Danimarkë.

Frederiksen ka zënë vetë vend në një “Murphy 330 J” me një motor 6,8 litërsh, prodhim i vitit 1931. “Vetura, – thotë ai me krenari, – u nderua me çmim në ‘Concours d’Elegance’ në Pebble Beach. Unë mendoj se ajo i përket ankandit më të famshëm”. Më pas Frederiksen pret pak dhe jep një monolog rreth tipave të ashtuquajtur “highend” të koleksionit të tij. “Der Maybach Zeppelin”, të cilin Adolf Hitler ia kishte dhuruar një maharaxhai indian dhe të cilin ai tani e ka lënë të shkëlqejë në diell, mund të sillte sigurisht një shumë të mirë parash; Frederiksen e bleu këtë “monstër” para shtatë vjetësh nga një gjerman në Vjenë.

“Mercedes” i rrallë i vitit 1914

Një gjë e rrallë është edhe “Bentley S1” i vitit 1958, një ndër vetëm pesë modelet e ndërtuara me timon majtas, që dikur i përkiste John T. Rockefeller-it; ose një “Rolls-Royce” i vitit 1914 me një bori me bri të përdredhur, me pajisje speciale për blerësin e asaj kohe që vinte nga Egjipti. Në fakt është e vështirë që të vlerësohen mirë sidomos ca tipa të veçantë veturash në parkun e Frederiksen-it, pasi të gjitha veturat e mbledhura këtu janë thesare të vërteta dhe duken si të reja. Me disa përjashtime, në to bën pjesë edhe një “Mercedes 28-95 Phaeton” i vitit 1914 me karroceri druri.

“Vetura që po shihni është restauruar dhe megjithatë ende në një gjendje të shkëlqyer”, thotë Frederiksen. “Vetura u gjet diku në Uruguai, kurse unë e bleva atë në San Diego”. Dhe tashmë Frederiksen shpreson se ndoshta për copëzën e rrallë me numrin e shasisë 22781 me gjashtë cilindra që shtyhen përpara nga një serbator 7.3 litrash, do të ketë blerës. Me siguri se kjo do ta ngrinte edhe më lart çmimin.

Megjithëse për Frederiksen në këtë rast nuk bëhet fjalë për para. E para; prej tyre ai ka boll. E dyta, pasi ai nuk ka bërë kurrë pazar me “Oldtimer”-at e tij. Ai nuk ka shitur në të gjitha këto dekada asnjë prej këtyre klasikëve. “Unë i kam blerë veturat e mia gjithnjë nisur vetëm nga një arsye: sepse më kanë pëlqyer”, thotë Frederiksen. Kurrë ai nuk ka kërkuar për një model të caktuar, e shpesh kanë qenë veturat ato që kanë ardhur tek ai. Për këtë arsye, koleksionit i mungon nga njëra anë një shirit i kuq, një temë e shumërrahur – dhe për këtë arsye, ajo është në aspektin tjetër kaq e pazakontë dhe befasuese.

“Vitet ’30 ishin një epokë artistike për automobilat”

“Më pëlqejnë para së gjithash veturat e viteve ’30”, thotë Frederiksen. “Kjo kohë për mua është një epokë artistike e automobilave, e cila nuk është mundur të arrihet kurrë më pas. Kjo elegancë, kjo dashuri ndaj detajeve, kjo bukuri – kjo e gjitha pas luftës u tejkalua”. Në sallonin e makinave ndodhen sigurisht edhe disa tipa të tjerë të viteve ’50 e ’60, por ato përbëjnë përjashtim.

Mbeten dy çështje megjithatë për t’u diskutuar: nga erdhi gjithë ajo para, me të cilin ky burrë e shtoi aq shumë pasurinë e tij të thesareve automobilistike? Dhe përse ai tashmë po ndahet prej tyre?

Kësaj pyetje, Frederiksen i jep këtë përgjigje: kur ishte i ri, ai vuri përpara disa biznese të mira aksionere, e më vonë ai u bë bashkëpronar i “Mattas”, rrjeti më i madh i kozmetikës në Danimarkë dhe ia shiti aksionet e tij një fondi kapitalesh. Sot, ai ndër të tjera posedon dy hotele dhe pesë restorante në Ebeltoft, dhe paraqitet si një dhurues kapitalesh për themelues shpresëdhënës firmash.

Aktualisht ai ka vendosur një shumë të mirë te një firmë daneze që po prodhon ujë të pijshëm e që zhvillohet në perfeksion me anë të elektrolizës.

Ngaqë bashkëshortja e dytë e Frederiksen-it, Vivi, një trashëgimtare porti, ia bëri atij të njohur pasionin e saj kundrejt veturave “Oldies”, parku i “Oldtimer”-ave u rrit me vrull ndër vite. Këtë vit atij i ndërroi jetë edhe bashkëshortja, Vivi Frederiksen, dhe me ndarjen e saj nga jeta, u shua edhe interesi i Frederiksen-it në përgjithësi për koleksionin e tij. “Qëkurse jam i ve, thjesht nuk është më e njëjta gjë të udhëtosh me ato makina. Tani me to duhet të gëzohen çifte e njerëz të tjerë”, përmbyll ai, duke na bërë të bindemi plotësisht për arsyet e vendimit të marrë prej tij.

Leave a Reply

%d bloggers like this: