Arte

Parreno, mes debateve

A duhet të vinte Philipe Parreno, një prej emrave më të njohur të artit bashkëkohor sot, në këtë mënyrë në Tiranë? Vendosja e një prej instalacioneve të njohura të tij, në ballinë të Kryeministrisë, si pjesë e një ekspozite që bëri bashkë artistë të rëndësishëm si Thomas Demand apo Carsten Holler (vepra e tij është kërpudha e vendosur në hapësirën e gjelbër të Kryeministrisë), i ka përfshirë artistët e kësaj gjinie në debate në rrjetet sociale. Veprat e Parrenos janë me koncepte universale, çka i bën të komunikojnë lehtë me hapësirën ku vendosen.

I prirë drejt situatave që janë përtej, Parreno është konsideruar gjithnjë si një mjeshtër i estetikës dhe në kaos. I tërhequr herët pas shkrimit dhe filozofisë, ky artist ka një qasje filozofike në krijimet e tij. Për ta parë më parë këtë vepër të Parrenos, duhet të udhëtoje në Muzeun e Artit në Filadelfia, ku një instalacion i tillë është ekspozuar më 2012-n, “Guggenheim Museum”, Muzeun e Tokios, apo Paris…ndërsa tashmë lehtë mund ta shihni vetëm duke bërë një xhiro në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Por, i vendosur në hyrje të Kryeministrisë, streha plot dritëza e tij, është keqinterpretuar. Ka pasur epitete nga më të ndryshmet, që kanë shoqëruar këtë vepër, që në çdo muze në botë, do të quhej ngjarje. Këto keqkuptime lidhen dhe me historinë tonë në raport me artin, sidomos me atë bashkëkohor. Zgjedhja e këtyre autorëve për të promovuar hapësirën e re të hapur brenda Kryeministrisë të quajtur “Kod”, e shndërron katin e parë të Kryeministrisë në një Galeri të përmasave ndërkombëtarë. Do të mjaftonte vetëm një prej këtyre emrave për të qenë e tillë, por sërish në Tiranë vepra e Parrenos është keqinterpretuar. A do të ishte ky keqinterpretim nëse Parreno nuk do të ishte vendosur në një institucion politik siç është Kryeministria, por në Galerinë Kombëtare të Arteve apo diku tjetër? Ndaj kjo ekspozitë e kuruar me stil, e përmasave ndërkombëtare shoqërohet me debate që nuk i shkojnë provokimeve estetike të këtij artisti. “Do më pëlqente të shihja një ekspozitë të një prej artistëve të mi të preferuar Parreno në Tiranë, me një katalog shoqërues dhe me një bashkëbisedim me të interesuarit, por jo! Patjetër duhej ta ‘ngulte dhunshëm veprën’ te fasada e ndërtesës më me pushtet. Për më tepër kthehet kjo vepër në një debat mediatik, pa e pasur fare idenë se çfarë është! Kjo nuk civilizon, as nuk europianizon, dhe as nuk i bën më bashkëkohorë shqiptarët. Si të thuash që futbolli shqiptar u përmirësua që nga ndeshja Real Madrid – Gramozi i Ersekës! Me ta nxjerrë qejfit Parrenon…”, shkruan artisti Gentian Shkurti. “Me ta nxjerr qejfi jo vetëm Parrenon, po artin (bashkëkohor)! Na rroftë Center for Openess and Dialogue. Ironia është që Parreno e të tjerë i përkasin një zhanri të artit që presupozohet të përfshijë më shumë (jo domosdoshmërisht më mirë) publikun, të krijojë ambiente e atmosfera që ndjellin bashkësi e bashkëbisedim”, shkruan Eriola Pira. Vepra e Parrenos është qarkulluar dhe si foto humori nëpër rrjetet sociale, sipër së cilës janë shkruar titujt si “Hostel”, “Hotel”, apo “Bodelo”, etj. Sigurisht që ata që i kanë bërë këto kompozime as që e kanë idenë se kjo strehë është një vepër bashkëkohore, që e rrit nivelin e ekspozimit në vend. “Dje pashë disa imazhe që manipulonin punën e Parrenos në FB. Ndoshta kjo është përfshirja e publikut, që estetika e tij relacionale arrin në Tiranë, ashtu si dhe komentet tona mbi të. Pjesa tjetër e punës është ajo që e gjithë kjo i vishet godinës së Kryeministrisë dhe rrjedhimisht edhe epitetet shkojnë për të, por kjo ndodh me dëshirën e plotë të organizatoreve sepse problemi i tyre/tij është si ta mbajnë në qendër të vëmendjes këtë institucion që nuk rri dot pa bërë spektakël”, shkruan Alban Hajdini. “Kujt i beson, syve apo fjalëve të mia”, titullon Parreno një prej videove të tij të njohura, që duket sikur i shkon kësaj situate. Por përtej debateve dhe perceptimit Parreno është aty, si një shije estetike aq e domosdoshme, përtej politikës. Të mërkurën në mbrëmje, Kryeministri bëri bashkë artistët për të promovuar hapësirën e re, në katin e parë të Kryeministrisë të quajtur Kod. Në këtë hapësirë është ekspozuar dhe vepra “Sign”, e artistit të njohur gjerman Thomas Demand. “Piktura simbolizon shtrëngimin e duarve dhe partneritetin e popujve të botës përmes konsumit. Piktura nuk ka marrë ende një formë të plotë, ashtu si rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, tha Kryeministri Rama. Kreu i qeverisë i ka shprehur mirënjohjen tre artistëve që “pavarësisht kuotimit të tyre stratosferik, në Shqipëri sollën një kontribut tërësisht vullnetar”. “Kjo qendër do të jetë në dispozicion të publikut, artistëve, botuesve, njerëzve të filmit, njerëzve të muzikës dhe të protestuesve. Edhe për ata që do të protestojnë kundër qeverisë do të jetë mundësia që të rezervojnë këtë hapësirë për të dërguar përfaqësitë e tyre dhe të rezervojnë dhe ministrat përkatës dhe pse jo dhe kryeministrin, për të ballafaquar argumentet, duke shfrytëzuar kohën televizive të qeverisë”, tha Kryeministri. Veprat e tre artistëve sipas kryeministrit “janë pjesë të serive, të cilat gjenden në muze nga më të famshmit e botës, por nuk janë seri, janë pjesë unike që i janë dhuruar Shqipërisë dhe që janë pjesë e fondit tonë të artit sot e përgjithmonë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button