Home / Ekonomia / Cani prezanton drejtoreshën e Doganave: Plan për rritjen e të ardhurave

Cani prezanton drejtoreshën e Doganave: Plan për rritjen e të ardhurave

????????????????????????????????????

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani prezantoi të mërkurën Drejtoren e Përgjithshme të Doganave, Pranvera Fagu (Behushi), e cila është emëruar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave në krye të doganave shqiptare.

Në fjalën e tij, ministri Cani, u ndal në gjendjen aktuale të doganave shqiptare dhe në nevojën emergjente për të ndryshuar metodën e punës, lidhur me grumbullimin e të hyrave doganore.

“Ka një mosrealizim në të ardhurat nga doganat, për të cilin duhet nxjerrë përgjegjësia, secili duhet t’i dalë zot detyrave të veta”, tha ministri i Financave, duke iu kërkuar drejtuesve të doganave që në çdo sektor, drejtori apo degë të vendosen tregues të matshëm ditorë të punës.

Ministri Cani kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave funksionimin e një sektori real të statistikave doganore, por sidomos të analizës së të ardhurave, që ka munguar, duke dëmtuar ecurinë normale të këtij institucioni në riorientimin e zgjidhjeve në bazë të këtyre analizave. Ministri kërkoi informacion të përditshëm nga dogana dhe tha se edhe analiza e treguesve do të jetë e përditshme, jo vetëm në DPD, por edhe në ministrinë e Financave.

Ministri e vlerësoi të papranueshme gjendjen në doganat shqiptare dhe kërkoi të merren masa urgjente, duke filluar me ndryshimin tërësor të mënyrës së të menduarit dhe të punuarit në doganë.
“Qeveria nuk ka ndërmend të rrisë taksat, por ne do të synojmë grumbullimin e plotë të të ardhurave, me çdo mënyrë, duke iu dalë për zot detyrave dhe duke këmbëngulur që, për të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij angazhimi, të mos ketë vend në administratën e shërbimit doganor shqiptar”, nënvizoi z. Cani.

Më pas, ministri i Financave u ndal konkretisht në disa tregues specifikë të punës në shërbimin doganor, duke kërkuar angazhim sidomos për respektimin e plotë të kontratave koncesionare, pjesë e punës së doganave, siç janë kontratat me shoqëritë që ofrojnë shërbimin e skanimit, të markimit të karburanteve, të pullave fiskale, etj.

Theks i veçantë u vu në përmirësimin e punës për zhdoganimin e cigareve dhe në evidentimin e faktorëve që kanë çuar në një rënie të dukshme të zhdoganimit të tyre, rrjedhojë edhe e faktorëve të tregut të brendshëm të prodhimit e tregtimit të duhanit, sidomos atij të grirë.

Ministri i Financave bëri me dije se ministria dhe institucionet në varësi të saj janë duke hartuar dhe realizuar një plan të kujdesshëm masash për të përmirësuar grumbullimin e të hyrave fiskale në tatime e dogana, etj., që i paraprin një aksioni kombëtar, në front të gjerë, në luftë kundër informalitetit.
Drejtorja e re e Doganave, Pranvera Fagu, duke falënderuar për detyrën e re dhe mbështetjen e dhënë nga ministri Cani, tha se e vlerëson si sfidë detyrën e kreut të doganave dhe kërkoi të punohej si ekip, si një skuadër për të përballuar problemet e vërejtura në shërbimin doganor shqiptar.

“Për mua objektivat janë të qarta, realizimi ritmik i planit dhe ndryshimi i imazhit të doganierëve mbeten prioritet” tha znj. Fagu, duke shtuar se objektiv është realizimi i çdo treguesi të planifikuar.
Shërbimi Doganor Shqiptar për periudhën e gjysmës së parë të këtij viti ka krijuar një defiçit në raport me treguesit e planifikuar, ndërkohë që përveç produktit cigare, të gjithë produktet e tjera të zhdoganuara, në sasi fizike, janë në një nivel më të lartë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: