Home / Kryeartikull / Barazia, e domosdoshme për mbijetesën e Maqedonisë

Barazia, e domosdoshme për mbijetesën e Maqedonisë

Nga Arbër Zaimi

Një Maqedoni e pranueshme mund të lindë vetëm prej besimit te një premisë e patjetërsueshme e rendit republikan, dhe kjo premisë është barazia.

Në perspektivën e shqiptarëve në Maqedoni, pas problemeve të pandërprera të natyrave të ndryshme, prej rrahjes e vrasjes nga huliganë “të panjohur”, te spastrimi i fshatrave të tërë, te diskriminimi ekonomik e burokratik, te stisja e gjyqeve për të dënuar shqiptarët e te pasiguria e poshtërimi i vazhdueshëm, s’na mbetet veç të konstatojmë se Republika e Maqedonisë ka vetëm një mundësi për të ruajtur unitetin e saj gjeografik-politik dhe ajo është nëse shqiptarëve u njihet qenia e barabartë, si komb shtetformues.

Secila forcë politike që merr përsipër të përfaqësojë shqiptarët në Maqedoni, duhet të kërkojë që barazia të jetë një pikënisje, e jo një pikëmbërritje. Barazia është historike dhe aktuale. Çdo premtim për barazinë si pikëmbërritje, në thelb është i padrejtë, pasi e justifikon mungesën e saj në momentin aktual dhe e shtyn atë për një moment të ardhshëm, kur të jetë më e përshtatshme. Për këtë arsye, nuk mundemi ndryshe, përveçse ta kontestojmë përdorimin e kohës së ardhshme në diskursin politik përgjegjës për mbrujtjen e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike në Maqedoni.

Barazia nuk është dhe nuk duhet interpretuar si një nga kërkesat e shqiptarëve, ajo është kusht për ekzistencën e vetë shtetit të Maqedonisë. Kërkesat e shqiptarëve do të mund të shtrohen vetëm pasi të pranohet barazia. Pa pranimin e saj, nuk ka kuptim as diskutimi, as politika, as kërkesat. Pabarazia nënkupton herët a vonë ndarje.

Barazia nuk është as çështje statistikash, as çështje demografie, as çështje kompromisi. Ajo është koncept universal, e lidhur ngushtësisht me drejtësinë.

Drejtësia është gjithnjë historike. Ajo bëhet e prekshme vetëm në momentet e luftës kundër shtypjes, kundër padrejtësisë, kundër pabarazisë. Nuk mund të ketë drejtësi ndryshe, pa u luftuar këto. Secila forcë që synon të përfaqësojë shqiptarët e Maqedonisë si vektor emancipues duhet të përkushtohet e të organizohet në emër të drejtësisë për shqiptarët, që do të thotë vetëm barazi, asgjë më shumë e asgjë më pak, pra vetvetiu nënkupton edhe drejtësi për të tjerët meqenëse asnjëri prej tyre, si individë apo si komunitete, nuk meritojnë më pak apo më shumë se barazia.

Shqiptarët brenda kufijve territorialë të Maqedonisë jetojnë në trojet e tyre historike, jetojnë në kulturën e tyre të formësuar në shekuj, jetojnë në pasurinë e tyre shpirtërore, materiale, individuale dhe të përbashkët. Kjo histori, kjo pasuri e kjo kulturë, njësoj si te të gjitha kombet e tjera, është formuar në ndërveprim e jo në izolim. Ajo është specifike më shumë sesa singulare. Kufijtë e saj me kombet e tjera kurrë nuk kanë qenë dhe nuk kanë për të qenë hermetike. Ky është rasti edhe në Maqedoni, ku kombi shqiptar ka zhvilluar historinë e tij në ndërveprim me kombin maqedonas dhe minoritetet e ndryshme. Por ndërveprimi jo gjithnjë është bashkëveprim. Dhe bashkëveprimi, nëse nuk reflekton drejtësi e barazi mes palëve, nuk prodhon gjithnjë bashkëpronësi të shtetit, i cili nuk mund të ekzistojë, siç thamë, pa dëshirën, vullnetin dhe punën e të dyja palëve.

Republika e Maqedonisë ka kuptim vetëm nëse përshkruhet si shtet i shqiptarëve dhe maqedonasve. Shqiptarët nuk mund të përfshihen nën termin ombrellë “të tjerët”. Ata nuk janë minoritet, nuk janë pasardhës migrantësh apo pushtuesish, nuk janë një fenomen i përkohshëm dhe efemer. Ata jetojnë, punojnë, prodhojnë histori, shoqëri, ekonomi e kulturë në këto troje që prej kohësh të pambamendshme. Qenia shtetformuese e kombit shqiptar është e reflektuar në vazhdimësi territoriale në Republikën e Shqipërisë që prej një shekulli, dhe së voni, edhe në Republikën e Kosovës. Shqiptarët janë një komb i aftë që të ndërtojnë e të mirëmbajnë një shtet, dhe kjo është e drejtë e tyre. Republika e Maqedonisë nuk do të ketë as unitet as integritet fizik pa e njohur thelbësisht, e jo vetëm sipërfaqësisht këtë fakt. Mohimi i kësaj të drejte apo shformimi i saj dhe mbulimi i saj me përkufizime mjegulluese tekstuale prodhon pabarazi e probleme që mund të bëhen të pakapërcyeshme.

Bazuar mbi të drejtën historike të shqiptarëve, secila parti që do të synojë përfaqësimin emancipues të tyre, do të duhet të përkushtohet për ruajtjen e secilës pasuri shpirtërore e materiale të shqiptarëve, të angazhohet kundër secilit lloj tjetërsimi të kësaj pasurie, qoftë ky tjetërsim i natyrës etnike, religjioze, kulturore, ekonomike apo i cilësdo natyrë.

Megjithatë barazia do të mbetet vetëm formale nëse nuk trupëzohet në pjesëmarrje të barabartë në punë, në marrëdhëniet e prodhimit e në ato ekonomiko-politike. Shqiptarët duhet të jenë pjesëmarrës në ekonominë e Maqedonisë edhe si kontributorë, edhe si përfitues, por mbi të gjitha ata duhet të lejohen të shfrytëzojnë burimet njerëzore e natyrore, t’i zhvillojnë ato e të prodhojnë mirëqenie. Mirëqenia është vitrinë e përshtatshme për të reflektuar barazinë, ashtu siç e reflekton sot pabarazinë që në sipërfaqe krahasimi i mirëqenies komunitare dhe individuale të maqedonasve me mungesën e saj në krahinat shqiptare. Mungesa e investimeve, pengesa e zhvillimit, centralizimi ekonomik etj., janë disa prej arsyeve për këtë pabarazi, por ato nuk janë të vetmet. Secila parti që do të përfaqësonte interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e sotme, do të duhej të angazhohej për barazi të plotë në sferën ekonomike, e kjo nënkupton barazi në vendimmarrje, në përgjegjësi politikëbërëse, si edhe barazi në investim real e në punësim. Është e papranueshme që në një shtet me papunësi zyrtarisht rreth 30%, komuna me shumicë absolute shqiptare, si Likova, e kanë papunësinë rreth 80%, apo Haraçina, me papunësinë rreth 65%.

Kudo ku jetojnë shqiptarët, duhet të funksionojë sistemi arsimor shqiptar, që prej parashkollores e deri tek ai universitar. Qendra e këtij sistemi arsimor duhet të jetë Shkupi e jo Tetova, sepse Shkupi është kryeqendra e shqiptarëve të Maqedonisë. Ky sistem arsimor dhe edukativ duhet të jetë ngushtësisht i lidhur me Prishtinën, e sidomos me Tiranën. Kulturalisht shqiptarët e Maqedonisë janë pjesë të të njëjtit komb me ata të Shqipërisë e të Kosovës, për këtë arsye të gjitha institucionet kulturore, edukative, arsimore e shkencore të tyre në Republikën e Maqedonisë duhet të jenë ngushtësisht të integruara me ëmat e tyre në shtetet shqiptare, meqenëse shkenca e kultura zhvillohet në gjuhë, e jo në territoret shtetërore që u prodhuan nga interesat politike të fuqive të jashtme.

Secili subjekt që synon të përfaqësojë shqiptarët e Maqedonisë në këto momente të vështira për këtë vend, duhet doemos ta shtrijë organizimin e tij në të gjitha trojet shqiptare në Maqedoni. Vetëm organizimi do të mund t’i bëjë të arritshme synimet e shqiptarëve, të cilat deri më sot kanë qenë të keqpërfaqësuara. Po ashtu, duhet tejkaluar krahinarizmi. Përmes theksimit të ndarjeve krahinore është mbërritur të zbatohet suksesshëm, diku getoizimi, diku shpërngulja, e diku dhunimi i shqiptarëve.

E për fund, duhet thënë se ndarja territoriale në Maqedoni, qoftë në formën e federalizimit, qoftë në formën e kantonizimit e qoftë në formën e shkëputjes përfundimtare, kurrë nuk ka qenë një opsion i kërkuar apo i përkrahur nga shqiptarët. Edhe në luftën e armatosur të vitit 2001 ata nuk kërkuan ndarje, por barazi dhe fund ndaj shtypjes e diskriminimit. Arsyeja pse ndarja nuk gëzon popullaritet është se janë të pakta territoret ku ka shumicë absolute, e të shumta territoret me shumica relative ose me pakica të mëdha shqiptarësh. Ndarja do të sillte paqëndrueshmëri për këto komunitete, e kjo është arsyeja pse shumica e shqiptarëve në Maqedoni nuk e synojnë ndarjen. Por, për të perifrazuar udhëheqësin e betejës së afro-amerikanëve për të drejta, Malcolm X, bashkëjetesa është një rrugë me dy drejtime. Që Maqedonia të mbijetojë në shtetin e saj të bashkëjetesës si kondominium i dy kombeve, duhet që të dyja kombet t’ia njohin subjektivitetin dhe barazinë njëri-tjetrit. Nuk mjafton dëshira e angazhimi i shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.