Politika

Komandanti Breedlove: Shqipëria e angazhuar në mbrojtjen e vlerave themelore të NATO-s

 Komandanti suprem i Forcave Aleate për Europën, gjenerali amerikan Philip Breedlove, deklaroi sot në Tiranë se Shqipëria mbetet e angazhuar në mbrojtjen e vlerave themelore të Aleancës, lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Zyrtari i lartë i NATO-s po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes me ministren Mimi Kodheli, në një deklaratë për shtyp, vlerësoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në NATO, si kontribuese në stabilitetin e fituar me mund në Kosovë, por dhe me kontributin me trupa në misionin në Afganistan.
Sot, tha gjenerali, Europa po kalon një moment kritik, më kritiku që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, e lidhur kjo me ndryshimet e rëndësishme që po ndodhin në mjedisin e sigurisë. “Këto ndryshime e kanë shtyrë NATO-n të shikojë më vëmendje mënyrën se si kemi vepruar gjatë 20 viteve të fundit dhe këto janë kohë kur ju kërkojmë anëtarëve të Aleancës të demonstrojnë unitet dhe t’i qëndrojnë premtimit për mbrojtje kolektive, i cili përbën gurin e themelit të NATO-s”, u shpreh Komandant Breedlove.
“Ne, vijoi gjenerali, kemi filluar të përshtatemi me këtë situatë të ndryshuar duke rritur aktivitetin nga toka, ajri dhe deti. Ne jemi përgatitur të vazhdojmë kështu deri më 31 dhjetor dhe ka shumë të ngjarë dhe më tej, ndërsa po vazhdojmë të përmirësojmë ndërveprueshmërinë dhe gadishmërinë tonë”.pritje gjeneralit te NATO (3) Foto Algim Dobi
Breedlove theksoi se ndërsa Samiti i shtatorit i NATO-s që do mbahet në Uells po afron drejtuesit tanë politikë do të marrin në konsideratë mënyra që NATO të mbetet më reaguese dhe më afatgjatë ndaj kërcënimeve potenciale në të ardhmen. “Shqipëria, theksoi ai, do të luajë rolin e saj në këto diskutime. Vlerat themelore të NATO-s, liria, demokracia dhe sundimi i ligjit na bashkojnë të gjithëve dhe na kujtojnë se ia vlen të paguajmë për t’i mbrojtur ato. Ndaj dhe kërcënimi i këtyre vlerave, nëse vjen nga afër apo larg, ne të gjithë jemi gati për mbrojtjen e tyre dhe kam besim se dhe Shqipëria mbetet e angazhuar për këtë gjë”, theksoi gjenerali.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, tha se krahas arritjeve të deritanishme të ushtrisë shqiptare me rëndësi është rritja e kapaciteteve të Aleancës. “Shpreha vendosmërinë për të kontribuar maksimalisht, duke ofruar jo vetëm trupa të mirëtrajnuara dhe profesioniste, por dhe asete që mund të përdoren për operacionet e drejtuara nga NATO”, tha Kodheli.
Po ashtu, vijoi ajo, me gjeneralin ndamë shqetësimin e përbashkët për zhvillimet e fundit dhe tensionet në Ukraninë e Irak, ndërsa vlerësuam qëndrimin korrekt të Aleancës.
Duke u ndalur tek përgatitjet për një nga ngjarjet e rëndësishme siç është Samiti i NATO-s në Uells, që përkon me përfundimin e misionit ISAF në Afganistan, ministrja theksoi se ky Samit do të trajtojë çështje të rëndësishme, si atë pas ISAF apo mbajtjen në gadishmëri të forcave të deklaruara në NATO.
“Mbajtja në gadishmëri e kapaciteteve të mbrojtjes dhe shpenzimeve të domosdoshme për unitetin e Aleancës do të jenë pikat kryesore të diskutimit në Samit”, tha Kodheli.
E pyetur për protestat e fundit të shqiptarëve në Maqedoni, ministrja e Mbrojtjes u përgjigj se qeveria shqiptare ka qënë e qartë në deklarimet e saj publike, se është kundër çdo forme dhune, pasi dhuna nuk të çon asgjëkundi dhe nuk zgjidh asgjë. “Ne jemi për uljen në diskutime jemi për stabilitet dhe vazhdimësi. Është shumë e rëndësishme që Maqedonia si pjesë e rajonit tonë të ketë atë përqasje ndaj të gjitha situatave jo të kënaqshme politike”, u shpreh Kodheli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button