Opinion

Ka edhe drejtësi në këtë botë

NGA MUSTAFA NANO

Lidhur me ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri të luajtur në stadiumin e Beogradit më tetor 2014, e cila u zhvillua ashtu si u zhvillua, mund ta gjeni në Wikipedia një përshkrim korrekt të asaj që ka ndodhur.Wikipedia nuk është se shquhet për saktësi, të paktën jo gjithnjë, por në këtë rast duket sikur materiali i përfshirë në zërin “Serbia vs Albania (UEFA Euro 2016 qualifying)” është shkruar e hedhur nga ndonjë njeri krejt i çinteresuar për emocionet, me të cilat u shoqërua e u pasua ajo ndeshje. Nuk kemi si ta dimë se kush e ka shkruar, por që ngjarja është e raportuar në mënyrë korrekte, këtë nuk e luan as topi. Po të varej nga unë, këtë material të Wikipedia-s do ta fusja në librat me ilustrime për studentët e Gazetarisë në Tiranë. Këta të fundit mund të mësojnë se si raportohet ftohtë e saktë një lajm. Ja një ekstrakt nga materiali i Wikipedia-s: “… Tifozët serbë lëshuan fyerje e sharje në kor dhe hodhën sende të ndryshme në drejtim të lojtarëve kundërshtarë, e në një moment të caktuar u pa të fluturonte mbi fushën e lojës një drone, në të cilin varej një flamur me simbole ultranacionaliste shqiptare … Konflikti shpërtheu kur Bekim Balaj vrapoi për t’i marrë flamurin nga duart Stefan Mitrovicit, që e kish shkëputur flamurin nga drone. Pas kësaj, në fushë hynë tifozë serbë, të cilët zunë të goditnin lojtarët shqiptarë. Pala shqiptare pati pretendimin se lojtarët ishin sulmuar e goditur edhe nga anëtarë të strukturave të sigurisë në stadium e të strukturave të rendit publik. Pala serbe pati kundërpretendimin se ishin shqiptarët ata që e provokuan këtë situatë…”. Gjeni ndonjë gjë të pasaktë në këtë copëz përshkrimi? Nuk besoj.

Kështu, Wikipedia është bërë “instanca e parë ndërkombëtare”, që e ka pasqyruar ndershmërisht ngjarjen. Kjo nuk ka ngrohur askënd nga pala shqiptare, pasi Wikipedia-s nuk ka për detyrë askush t’i referohet si burim i së vërtetës dhe kjo është afërmendsh, ngaqë ajo është një enciklopedi që ka për autor këdo që është i interesuar të jetë autor, e për rrjedhojë është me kredenciale të dobëta besueshmërie, por nuk mund të mos biem dakord që kjo është një “instancë ndërkombëtare”, thënë ndryshe – dhe ta themi me pak shaká këtë gjë – e para “instancë ndërkombëtare” që na ka mbajtur me hatër në këtë histori.

Vini re! Po them “na ka mbajtur me hatër” në një kohë që në të vërtetë është pasqyruar besnikërisht ajo që ka ndodhur dhe kjo nuk është e rastësishme. Pas ndeshjes, e sidomos pas vendimit të marrë nga “Gjykata” e UEFA-s në çështje të Etikës e të Disiplinës (kjo “Gjykatë” vendosi që Shqipërisë t’i llogaritej e humbur me rezultatin 0-3 ndeshja në fjalë dhe që Serbisë t’i hiqeshin tri pikë), mes shqiptarëve u krijua një ndjesi paniku e konspiracioni. Kjo instancë e mirëfilltë ndërkombëtare (jo si Wikipedia), me vendimin e vet të çuditshëm, na hapi rrugën për t’u lëshuar në spekulime e teori konspirative, që ne i kemi aq për zemër edhe pa pasur ndonjë arsye, e jo më në një rrethanë të tillë, ku ishte e qartë se po na bëhej një e pabërë. Zumë t’i thoshim njëri-tjetrit: “Është politika që vendos”, “Serbët janë më të fuqishëm sesa ne”, “Serbët kanë hedhur para të madhe”, “Serbët kanë vënë në lëvizje kapacitetet e tyre të lobingut, që i kanë ku e ku më të mëdha se tonat”, “Po ku ka drejtësi në këtë botë, e për më tepër në futboll?” etj., etj. Ishte kjo klimë frike prej padrejtësisë që na bëri të ishim të prirur të shihnim si tanët të gjithë ata që do të ishin të gatshëm të mbronin të vërtetën. Me fjalë të tjera, na bëri të ishim të prirur të mendonim se do të na mbanin me hatër ata që, në fakt, nuk do të bënin gjë tjetër veçse do të harxhonin ndonjë fjalë në mbrojtje të versionit autentik të ngjarjes; nëse kjo do të ndodhte … Mirëpo këtë mirënjohje deri para ca ditësh nuk e meritonte asnjë instancë ndërkombëtare. Me përjashtim të Wikipedia-s pra, e cila, edhe sikur ta lexonte e besonte e gjitha bota, nuk do të kish fuqi të na jepte tri pikët në tavolinë.

Këto pikë mund të na i jepte një instancë tjetër, emrin e së cilës mediat tona e kanë raportuar veç me iniciale: CAS (Court of Arbitration for Sport – Gjykata e Arbitrazhit për Sportin). Por pothuaj të gjithë e kishin fjetur mendjen, se asnjë lajm i mirë nuk kish për të dalë nga dyert e ndërtesës dykatëshe në Lozanë të Zvicrës. “Është mbyllur ajo punë”, “Këto vendime i merr politika dhe dihet, serbët janë më të zotë e më të fortë sesa ne” – këto e fraza të ngjashme me këto thuheshin në qarqet e pasionuara pas futbollit e pas kombëtares sonë. Ishin të sigurt se faji për atë ngjarje në stadiumin e Beogradit do të shpërndahej, në rastin më të favorshëm për ne, në mënyrë të barabartë. As zyrtarët e federatës sonë nuk duket se kanë qenë më optimistë. Ndryshe, do të kishin bërë ndonjë përpjekje për t’na përgatitur për lajmin e mirë që ne na kapi të tërëve në befasi. Gjykata e Arbitrazhit për Sportin u dha trepikëshin tanëve dhe fitoren e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 0-3.

Kjo u bë dhe instanca e dytë ndërkombëtare që na “mbajti me hatër”. Si është e mundur?, dëgjohet të thuhet mes nesh, a thua se bëhet fjalë për ndonjë sihariq që na vjen prej qiellit “Me siguri, do e kemi zgjidhur edhe ne qesen, do të kemi paguar ndonjë shumë të madhe”, ia bën ndonjëri. “Jo, jo, problemi është politik; për shqiptarët po fryjnë erëra të mbara; serbët nuk i pyet më njeri ashtu si i kanë pyetur”, ia bën tjetri. E kështu, spekulimet nuk kanë të sosur në tentativën për të shpjeguar këtë “frymë proshqiptare” të CAS-it, në një kohë që – tu ferais mieux de le croire, për ta thënë me gjuhën e gjyqtarëve zviceranë – atje në Lozanë nuk është se ka ndodhur ndonjë gjë e pabesueshme. Ka ndodhur një gjë që ndodh rëndom në botën e qytetëruar: Është dhënë një vendim ashtu si duhet. Dhe është kjo që ndodh më shpesh në atë botë, s’ka gjë se ne, të mësuar me gjyqtarët tanë që japin “drejtësi” në këmbim të parave apo edhe me instanca të korruptuara jashtë Shqipërisë, s’e kemi për gjë të besojmë të kundërtën. Mirëpo s’do të bënim keq që herë pas here të mendonim se në këtë botë ka edhe drejtësi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button