Teater

“Klasa jonë” së shpejti në Teatrin Kombëtar

Vepra izraelite që i trembej sulmeve të ISIS, nis udhëtimin Ballkanik nga Shqipëria

“Klasa jonë”, një nga dramat më të debatuara izraelite, e bazuar në një histori të vërtetë, siç është djegia e 1600 hebrenjve në vitin 1941 në fshatin Jedwabne në Poloninë Lindore, pas shfaqjeve në teatro të ndryshme të botës, do të ngjitet më 23 korrik në skenën e Teatrit Kombëtar. Gati një muaj pas shqetësimit publik që drejtori i kompanisë teatrore “Çamëri”, Noam Samel, ndau për mediat ndërkombëtare, ku kërkonte siguri për turin ballkanik që ky teatër do të ndërmerrte, shfaqja do të nisë këtë tur nga Tirana. Semel i kërkoi qeverisë izraelite t’i siguronte informacione mbi gjendjen e sigurisë në vendet ku do të ndalonte ky teatër mes të cilave ishte dhe Shqipëria. Shqetësimi i Semel kishte të bënte me kërcënimet e ISIS për vendet ballkanike. Por duket se Semel ka marrë konfirmimin për siguri nga qeveria e tij, për ta ngjitur këtë vepër të rëndësishme për historinë izraelite në teatro të ndryshëm ballkanikë. Në Shqipëri, ardhja e kësaj vepre bëhet e mundur nga një bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe ambasadës së Izraelit, ambasadës amerikane dhe ambasadës hungareze. E shkruar në vitin 2008 nga dramaturgu polak Tadeusz Slobodzianek, vepra bazohet në historinë e masakrës që u bë ndaj 1600 hebrenjve më 10 korrik 1941, kur fqinjët e tyre katolikë polakë hynë në shtëpitë e tyre në fshatin Jedwabne dhe i vunë flakën. Shumë historianë dhe gazetarë kanë shkuar pas kësaj tragjedie në fshat për të marrë versionin e tyre të historisë. Janë shkruar libra dhe shkrime të ndryshme, por dramatizimi që i bëri Tadeusz Slobodzianek historisë, do të ngrinte në art të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Dhe pse brenda veprës ka shumë dhimbje, Tadeusz është përpjekur të japë detaje nga raportet njerëzore, mbi historinë të shkuarën dhe të ardhmen, përmes lidhjes së dhjetë nxënësve brenda hapësirës së një klase. Që pas ngjitjes për herë të parë në skenën e Teatrit të Izraelit, vepra është shfaqur në teatro të ndryshme në botë si Poloni, Kanada, Amerikë, Spanjë, Itali, Çeki, Japoni, Brazil, Danimarkë, Suedi dhe Hungari. Një vit më parë kjo vepër fitoi çmimin e teatrit të Izraelit për vitin 2014, një çmim i rëndësishëm që jepet nga Ministria e Kulturës së këtij vendi. Më 23 korrik publiku shqiptar do të ketë mundësi ta shohë këtë vepër në orën 20.00 në skenën e Teatrit Kombëtar. Sipas regjisorit, vepra është një njohje me historinë e Izraelit. Përmes leksioneve të gjata dhe bashkëbisedimit mes nxënësve, publiku do të shohë një kënd të historisë, të mbushur me vdekje, dhimbje apo dëshirë për hakmarrje. Një vepër për t’u ndarë nga e keqja dhe për të mos u kthyer më në kufijtë e së shkuarës, do të shprehej vetë dramaturgu Slobodzianek. Vepra do të ngjitet në skenë dhe si nder ndaj familjes Panariti, e cila ka kontribuar në mbrojtjen e hebrenjve në vendin tonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button