Home / Kryeartikull / Një “ballist” që dua ta puth në ballë

Një “ballist” që dua ta puth në ballë

Nga Arben Manaj

Intervista në Top Media me drone-menin “Ballist” Morina, ka ngjallur edhe njëherë debatin e stisur të një pakice pseudokozmopolite, kryesisht në Tiranë, që duan të vulgarizojnë një gjest që vullkanizoi shpirtin kombëtarist mbarëshqiptar, gjatë dhe pas ndeshjes, të fituar tashmë aforfe, në Beograd.

Vetë dilema, a është hero apo aventurier “Ballisti” i Beogradit, është fyese për një “ballist” nga Kukësi faktikisht, të cilit me mllef i kujtojnë se ka qenë vinçier në Itali, a thua se të gjithë shqiptarët nëpër botë punojnë vetëm për BBC apo ndonjë bankë, e nuk bëjnë punë të rëndomta nga halli më shumë, por të ndershme në shumicën e tyre.

Ismail Morina, siç edhe rrëfeu në intervistën me Shakon, bëri aq sa bëri në Beograd, duke marrë përsipër një risk shumë të madh mbi vete, madje qindfish me heroizmin e atyre që ishin pjesë e delegacionit qeveritar, qofshin edhe gazetarë, e që ishin të mbrojtur, si pjesë e delegacionit, nga “brisku” i Serbisë.

Jam i bindur se të gjithë, nga atë të paktët shqiptarë që ishin në stadiumin e Beogradit atë natë, tërë pasurinë që kanë krijuar këto vite demokracie, do e jepnin sikur t’u kërkohej si shpërblim që të mos dilnin nga stadiumi, pa u eskortuar nga forcat speciale serbe.

E ta vësh këtë në kontekstin e asaj që thotë “Ballist” Morina, se iu desh të fshihej nëpër ferra për orë të tëra për të mos u pikasur, e për më tepër të ironizosh si “kofini pas të vjelit”, trimërinë e gjestit të tij, është më tepër se burracake.

Unë jam nga ata shqiptarë të shumtë, që kur pashë atë flamur apo simbol të ngritur mbi stadium, më shkoi adrenalina në nivele që kurrë nuk e kisha përjetuar, madje edhe atëherë kur jam sulmuar personalisht bashkë me djalin tim të vogël në atë botë në Kretë, kur edhe pse punoja si gazetar i BBC-së dhe isha në tribunën e medias, jam sulmuar dhe dhunuar fizikisht nga huliganët grekë që terrorizuan tërë shqiptarët dhe kombëtaren e Igli Tares e Alban Bushit.

Jam i bindur se edhe ata që e ironizojnë sot trimërinë e pashoq të “Ballistit” Morina, qoftë edhe nga ata që kanë qenë në shkallët e stadiumit të Beogradit, do të kenë pasur të njëjtin nivel adrenaline të tipit “çfarë ere mban gjaku”, ndoshta edhe prej frikës se çfarë mund t’u ndodhte prej saj.

Ky shqiptar i thjeshtë, atdhedashës, nuk është aventurier dhe as turp i kombit, i cili madje për turpin e paditësit, është paditur për terrorizëm nga ndonjë atdhetar i madh që e lidhte Ballistin me agjenturën serbe (dhe historia e lidhjeve konspirative të kohës së Xhaxhit nuk na shqitet ne shqiptarëve edhe pas 30 e kusur vjetësh).

Ismail Morina, që dua ta puth në ballë, siç do të donin ta puthnin në ballë serbët, edhe ata më të sofistikuarit Ivanin e tyre huligan, për arsye dhe motive krejt të ndryshme nga të miat, në fakt, është i pakrahasueshëm me atë që bëri për kombin e vet me atë që bëjnë soji i antiheronjve të huliganizmit sportiv serb.

“Ballisti” Morina, padyshim që provokoi, por nuk kishte të shkruar në flamurin e tij kërkesën për therjen dhe zhdukjen e serbëve, siç bënin në kor tifozët serbë për ne shqiptarët si komb.

Kultura dhe vetëpërmbajtja serbe e të gjitha niveleve, që nga ajo e qytetarit të thjeshtë e deri tek e qytetarit numër 1 të atij vendi, nuk arritën të mbizotëronin mbi urrejtjen antishqiptare serbe, të demonstruar në stadium e jashtë tij, për javë, e pse jo, muaj të tërë.

Gjesti i “Ballistit” Morina ishte thjesht një element zgjuarsie par excellence, shumë e rafinuar dhe e gjetur, që zor se serbët do të mund ta replikojnë në Shkodër.

Ismail Morina është boll i rrezikuar sot e kësaj dite fizikisht, edhe nga agjentura serbe, e për këtë të mos keni dyshim.

Ky njeri, që për mua është hero, si për shumicën e shqiptarëve, do të duhet mbrojtur seriozisht nga shteti ynë për një kohë shumë të gjatë.

E siç sugjeronte një lexues online i një blogu të njohur, për të duhet hapur një llogari bankare e tërë shqiptarët do të duhet të kontribuojnë që ai ta ketë më të lehtë jetën në ilegalitet.

Ismail Morina, këtë “ballist” kuksian, që do të doja ta puthja në ballë, të parin dhe të fundit ballist në fakt, siç e asocion pafajshmërisht ky llagap, nga ata të kohës së luftës partizane, nuk pretendon se është as Ismail Qemali dhe Isa Boletini, e as ndonjë tjetër që ka bërë ndonjë akt të admirueshëm atdhetarie në historinë e kombit.

Por një gjë është e sigurt, përtej xhelozisë dhe kozmopolitanizmit të pështirosur dhe “sans frontier” të elitave opinionbërëse të Tiranës, se ky djalë që rrezikoi aq shumë fizikisht dhe do të duhet të imagjinoni se çfarë do i kishin bërë serbët po ta kapnin të gjallë atë natë ferri, kur të ndërrojë jetë si të gjithë ne, me siguri nuk do të prehet në varrezat e dëshmorëve, por në kujtesën e shqiptarëve është i skalitur dhe do të mbahet mend tërë jetën, si djali i dronit në Beograd.

Ai do të jetë më i paharruar, në të gjallë e në të vdekur, se shumica e atyre që e adhurojnë apo e urrejnë atë, qofshin shqiptarë apo antishqiptarë, sa herë të kujtohet ajo ndeshje e papërsëritshme në Beograd.

Këtë e them me të njëjtën siguri, si të asaj të ardhjes së çdo dite, pas çdo nate.

3 comments

  1. i   guxinshem   morina    beri  nje  gjest  te  madh   hakmarres ,,,,,,serbet kan   djegur  shum  flamur  shqiptare    nga  urretja qe kane  per ne          ,dhe kete  here   rane    kurthe ,,,,,,,,,, dhe  eshte  vetem  fillimi    kane   kusure  per te lare,,,,,

  2. Meriton respektin e te gjithe Shqiptarise.

    “Drone in Belgrade”-Google Game Android

     

  3. tironsi/gjermani

    I nderuar zoti Manaj

    e lexova 2 here artikullin tuaj dhe mendova te vecoja disi Temen dhe idene e tij si edhe mesazhin qe ju doni ti percillni lexuesit shqiptar e njekohesisht edhe atij te huaj.
    OK me lejoni t´ju them se kam mendimin se duke i shtremberuar disi faktet doni te kapni  nje fare suksesi ne syte e lexuesve tuaj.
    Ju e filloni artikullin keshtu: …nje gjest qe vullkanizoi shpirtin nacionalist te shqipetareve…
    Edhe sikur ta mendojme per nje cast se do te ishte e vertete kjo qe thoni ju, a e keni menduar vetem per nje moment se kujt i sherbejne keto clirime te ajrit te konsumuar nga dalja e gabuar ne trupin tuaj?
    Une nuk dua t`ia ul nivelin e adrenalines historise te Zotit Morina.
    Kjo ishte vertet nje Provokim spektakolar dhe si ju e thoni, zor se do te mundet qe tifozet serbe te bejne dicka me te madhe se kjo. Por a eshte vertet kjo ajo qe presim apo deshirojme ne nga ata ne ndeshjen e radhes ne Shkoder ?
    Mua do te me pelqente me shume qe shqiperia ta fitonte ndeshjen me nje rezultat qe do te justifikonte nje shtrengim duarsh dhe nje veshtrim paliativ miqve tane veriore.
    (kjo per arsye te rreshtimit te tyre ne tabelen e grupit ku bejne pjese skuadrat tona)
    Gjesti qe beri zoti Morina mund ta quani si te doni por vetem me terrorizem nuk mund ta lidhni dot. Kete e them per arsyen e thjeshte se, pervec rrezikut te madh qe ai veprim solli per vete aktorin si edhe diskretitimin e atyre qe pretendojne civilizimin e papare te shoqerise serbe, nuk ishte planifikuar e nuk u krye asnje veprim ofendues, plagoses apo me keq vrases ne terren.
    E megjithate une mendoj qe pavaresisht se c`fare bejne tifozet e vecante serbe ne stadiumet e tyre apo jashte serbie, nuk ka asnje arsye ta ulim vehten ne nivelin e tyre.
    Persa i perket historise, se ardhmes apo fames te kesaj vepre dua t`ju kujtoj se ka patur aksione edhe me spektakolare ne historine e europes (p.sh.: ulja e 18-vjecarit gjerman me avionin sportiv ne mes te Moskes) por me sa kuptova une nga intervista e zotit Morina ky nuk ka qene qellimi i tij.
    Ai eshte nje njeri i thjeshte si une e ti, nje baba me dy femije qe jeton ne exil e perballet me jeten ashtu si ne te gjithe. Une i uroj zotit Morina gjthe te mirat per te e familien e tij per nje te ardhme te sigurte e me pak spektakolare.
    Zoti i bekofte te gjithe shqiptaret (te marre apo te mencur).

Leave a Reply

Your email address will not be published.