Europa

Zvicër, ekstradohet në SHBA zyrtari i FIFA-s

Një zyrtar i FIFA-s i arrestuar muaj më parë në Zvicër është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, kanë deklaruar autoritetet zvicerane.

Zyrtari, emri i të cilit ishte mes atyre 7 zyrtarëve të organit që qeveris futbollin që u arrestuan në Zvicër më 27 maj. Ai u shoqërua për në Nju Jork nga tre agjentë policie ditën e mërkurë, deklaroi Departamenti zviceran i Drejtësisë.

Ndonëse emri i tij nuk u publikua, raportime të mehershme sugjeronin se Jeffrey Webb, nga ishujt Kajman, ishte përpjekur të luftonte ekstradimin në Amerikë.

Webb, ish-president i Federatës së Futbollit për Amerikën Veriore dhe Qendrore, Concacaf, akuzohet për marrje ryshfeti në miliona dollarë për shitjen e të drejtave të marketingut.

Korrespondenti sportiv i BBC, Richard Conway deklaroi se, në bazë të ligjeve federale të Shteteve të Bashkuara, një i pandehur mund të çohet përpara gjykatës sapo të mbërrijë në rajonin prej nga janë ngritur akuzat.

Duke qenë se Webb u nis nga Zyrihu ditën e mërkurë, atëherë dalja e tij para trupit gjykues mund të ndodhë shumë shpejt. Ndërkohë, 6 zyrtarët e mbetur janë ende duke luftuar ekstradimin në Amerikë.

Ata u arrestuan më herët gjatë vitit me kërkesë të Departamentit të Drejtësisë, që në total ka paditur 14 ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të FIFA-s, si dhe bashkëpunëtorë të tyre, për “rrënjosje të thellë të korrupsionit sistematik”, pas një hetimi të Byrosë Federale të Hetimeve, FBI.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button