Maqedonia

Sulmi ndaj gazetarit në Maqedoni, shoqatat kërkojnë dorëheqjen e zv/kryeministrit

Shoqatat e Gazetarëve në Maqedoni e kanë dënuar ashpër sulmin fizik ndaj gazetarit Sashe Ivanovski nga zëvendëskryeministri maqedonas, Vladimir Pesevski dhe kanë kërkuar dorëheqjen e këtij të fundit.

“Ne kërkojmë dorëheqjen e zëvendëskryeministrit dhe vlerësojmë se ky do të ishte veprimi më i vogël që mund ta bëjë dikush në një vend demokratik , siç pretendon të jetë Maqedonia. Në të kundërtën do të vlerësojmë se pushteti inkurajon njerëzit e vet që të konfrontohen me të gjithë ata që nuk mendojnë njësoj”, tha Ida Protugjer, nga plenumi i gazetarëve në Maqedoni.

I mbështetur nga disa kolegë të tij, gazetari Sashe Ivanovski protestoi të enjten para selisë së qeverisë. Ai, ndjehet i pasigurt pas sulmit fizik, ndaj ka vendosur që të kërkojnë mbrojtje nga ambasada e SHBA-vë dhe BE-së.

“Do të kërkoj të takohem me ambasadorin amerikan dhe atë të BE-së në Shkup. Dua të kërkoj mbrojtjen e tyre sepse ndjehem i kërcënuar dhe nuk ndjehem i sigurt, sidomos pas qëndrimit të VMRO-DPMNE-së, parti kjo e cila thotë se gjithkush që kërkon probleme do të marrë dënimin. Me këtë, sikur dëshirojnë të na tregojnë se ngjarjet e tilla do të përsëriten”, u shpreh gazetari Ivanovski.

Lidhur me ngjarjen skandaloze të një ditë më parë, ka reaguar edhe partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, e cila ka marrë në mbrojtje zëvendëskryeministrin dhe ka akuzuar gazetarin Sashe Ivanovski se është dorë e zgjatur e partisë opozitare, LSDM.

Ivanovski, një ditë më parë u sulmua fizikisht nga zëvendëskryeministri Vladimir Pesevski, pasi e provokoi duke e pyetur në lidhje me akuzat e ngritura nga opozita për përfshirjen e tij në disa skandale kriminale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button