IntervistaKosova

Kotzias: Hapa të rëndësishëm për Kosovën, çështja çame nuk ekziston

Ministri i Jashtëm i Greqisë i cili ka vizituar gjatë javës Kosovën në një intervistë për Vizion Plus ka thënë se vendi i tij ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për Kosovën, pavarësisht se shteti grek nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj njohjes së pavarësisë.

“Kemi ndërmarrë disa hapa shumë të rëndësishëm, por fillimisht duhet t’i implementojmë ato” ka thënë diplomati grek.
Nikos Kotzias, në këtë intervistë ka folur për raportet e Greqisë me Shqipërinë ndërkohë që ka ripërsëritur qëndrimin se për Athinën cështja çame nuk ekziston.
Cili është qëllimi i vizitës tuaj këtu në Shqipëri dhe në rajon?
Mendoj se kemi nevojë për më shumë siguri dhe stabilitet në të gjithë rajonin
e Ballkanit dhe për këtë Greqia e Shqipëria mund të luajnë një rol pozitiv.
Ne jemi dy kombe të vjetër në këto anë të Botës, kemi një miqësi të vjetër.
Por duhet të shohim sesi mund të gjejmë zgjidhje për problemet që vijnë nga e shkuara dhe sesi mund të krijojmë një të ardhme pozitive, nëpërmjet bashkëpunimit në të gjitha fushat, si arsimi, kultura, ekonomia, e drejta ndërkombëtare, etj.
Cilat ishin temat kryesore të prekura gjatë takimeve me autoritetet shqiptare dhe cilat janë përfundimet kryesore të vizitës tuaj?
Mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme është orientimi europian i Shqipërisë. Për këtë, ne kemi firmosur një marrëveshje të veçantë për mbështetjen që Greqia mund t’i japë Shqipërisë për ta ndihmuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Kemi diskutuar gjatë për Bashkimin Europian dhe për rolin e dy vendeve tona në këtë kontinent. Së dyti, diskutuam për atë që ju e quani “problemi i detit”. Si mund të arrihet tek një zgjidhje dhe mendoj se kemi arritur një marrëveshje për të ngritur një grup teknik me ekspertë, i cili do të evidentojë nëse ka patur ndonjë gabim në marrëveshjen tonë apo nëse ka patur keqkuptime, në mënyrë që t’i korigjojmë ato dhe nëse nuk do të gjejmë një zgjidhje të plotë, atëherë mund të shohim mënyra të tjera për të arritur një marrëveshje. Shpresoj deri brenda vitit të ardhshëm duhet ta mbyllim këtë kapitull, pasi kemi shumë gjëra për të bërë së bashku. Është për të ardhur keq që nuk po i përdorim në maksimum mundësitë tona për këtë bashkëpunim. Së treti, diskutuam për të ashtuquajturën “situatë lufte”. Siç e dini, ne grekët mendojmë se nuk ka ndonjë situatë lufte. Është bërë një deklaratë në 1986 nga qeveria greke që i ka dhënë fund kësaj gjendjeje lufte. Kemi një traktat miqësie mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ne i kemi dhënë mbështetje Shqipërisë për integrimin në NATO dhe aty nuk jemi vetëm dy vende mike, por edhe aleate. Kështu që nuk jemi duke bërë asnjë lloj lufte. Por unë e mirëkuptoj kërkesën e palës shqiptare që kërkon të ketë një zgjidhje për këtë çështje. Kështu që do të rishikojmë dhe rifreskojmë marrëveshjen mes Greqisë dhe Shqipërisë që ne e quajmë “Traktati i Miqësisë” i vitit 1996. Dhe në marrëveshjen e re mund të përfshijmë bashkëpunimin në një sërë fushash, si energjia, diplomacia, etj. Mund të përfshijmë aty një deklaratë të re në lidhje me bashkëjetesën paqësore të dy vendeve. Ne nuk mendojmë se kemi nevojë për një gjë të tillë, por kam kuptuar se pala shqiptare ka nevojë dhe ne do ta bëjmë këtë. Kjo do të ndihmojë për një frymë më të mirë mirëkuptimi mes dy popujve. Më pas kemi diskutuar për të drejtat e minoriteteve, minoritetit grek në Shqipëri, si të krijohet një klimë dhe kushte më të mira për ata që jetojnë këtu dhe në të njëjtën kohë kemi biseduar edhe për emigrantët shqiptarë në Greqi. Siç e dini, ne kemi dërguar në parlament dhjetë ditë më parë një ligj të ri që i jep mundësinë të gjithë qytetarëve nga familjet shqiptare që kanë lindur në Greqi që të marrin nënshtetësinë greke, duke krijuar lehtësira për ta arritur këtë edhe për prindërit e tyre. Ramë dakord se kemi shumë interesa të përbashkëta dhe shumë ura lidhëse, atë të minoritetit grek në Shqipëri, atë të shqiptarëve që jetojnë në Greqi, kemi interesa të përbashkëta ekonomike dhe tregtare. Siç e dini, Greqia është investitori më i madh në Shqipëri. Kemi diskutuar dhe mendoj se vitin e ardhshëm do të realizojmë një forum të madh ekonomik për lidhjet mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe për mundësitë e forcimit të tyre.Gjithashtu mendoj se mund të realizohet një bashkëpunim me universitetet greke për të bërë një konferencë të madhe në lidhje me atë që mund të jetë perspektiva e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kemi diskutuar gjithashtu për nevojën e bashkëpunimit në të gjitha fushat, në veçanti në arsim dhe kulturë. Siç e dini kemi firmosur një marrëveshje për rishikimin e teksteve shkollore, pjesën më të madhe për librat e historisë në shkolla për të parë se çfarë tablloje i paraqitet grekëve për Shqipërinë dhe anasjelltas. Duhet të kemi libra më miqësorë mes dy popujve. I kam thënë të gjithëve se ne jemi shumë krenarë, jemi me fat që kemi emigrantët shqiptarë në Greqi. Pasi familjet e tyre po punojnë shumë fort, po integrohen gjithnjë e më shumë në ekonominë dhe shoqërinë greke. E shoh këtë si profesionist, si pedagog universiteti. Ka kaq shumë studentë të mirë që vijnë nga Shqipëria. Dhe m’u bë qejfi që dëgjova nga një deputet i parlamentit shqiptar se disa nga ish-studentët e mi tani janë profesionistë të mirë në universitetet shqiptare. Kemi diskutuar për gjithçka që na shqetëson në lidhje me marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe sesi mund t’i shtyjmë ato përpara. Por edhe për problemet rajonale, si për shembull raportet tona me Kosovën, me fqinjin tonë që ka Shkupin si kryeqytet, quajeni FYROM, ose FYROM Maqedoni, si të doni. Kemi diskutuar sesi mund të gjejmë zgjidhje për problemet që vijnë nga e shkuara dhe sesi mund të gjejmë një rrugë më të mirë për të ardhmen e përbashkët. Ne duhet të bashkëjetojmë, pasi nuk ka popuj të tjerë në gjithë rajonin që të kenë lidhje kaq të forta mes familjeve, mes njerëzve, mes minoriteteve, mes gjithçkaje, sa Greqia dhe Shqipëria. Kemi shumë gjëra të përbashkëta.
Si do t’i sheshoni diferencat që ekzistojnë në disa çështje. Si për shembull, në rastin e kufirit detar. Çfarë do të bëni nëse nuk do të ketë një marrëveshje?
Mendoj se do të gjejmë një marrëveshje nëpërmjet grupit teknik të ekspertëve, por nëse nuk do ta arrijmë, atëherë ligji ndërkombëtar na jep shumë mundësi dhe instrumente për të gjetur zgjidhjen, nëpërmjet një pale të tretë, duke shkuar në gjykatë, por do ta bëjmë së bashku.
Po në lidhje me pronat e popullsisë çame si do të veprohet? Edhe kjo është një çështje e nxehtë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Unë them gjithmonë se ne jemi një shtet i së drejtës, në Greqi mbizotëron shteti ligjor. Kështu që gjithkush, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë mund të shkojnë në gjykatat greke për të kërkuar të drejtat e tyre, nëse mendon se i ka humbur ato përgjatë historisë. Dhe nëse nuk e fiton të drejtën aty mund të shkojë deri në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Gjëja më e rëndësishme është se ne kemi zgjidhje për rastet individuale, vendime gjykatash, të cilat nuk sjellin hije në marrëdhëniet tona, mes shteteve dhe popujve tanë. Nuk duhet të jetë një çështje mes nesh, mes Greqisë dhe Shqipërisë si shtete, por duhet të zhvillohet në rrugë normale ligjore, përmes gjykatave.
Ju nuk e shikoni këtë çështje si një problem në marrëdhëniet mes dy vendeve?
Jo, nëse dikush mendon se nuk ka marrë atë që i takon, atëherë duhet të shkojë në dyert e gjykatave dhe të kërkojë të drejtën e tij. Kjo ka të bëjë me çdo shtetas shqiptar që ka humbur pronën e tij për të gjitha ato që ndodhën në shekullin e 20-të. Por, nuk është për shtetasit shqiptarë që ishin kriminelë, apo pjesëmarrës në akte kriminale dhe e kanë humbur pronën e tyre nëpërmjet gjykatave. Po flasin për shqiptarët normalë që i kanë humbur pronat përgjatë gjithë historisë së shekullit të 20-të, ku siç e dini ka patur shumë lëvizje dhe njerëzit kanë humbur në shumë raste pronat, të drejtat, shtëpitë, etj. Por, nuk po flasim për një grup të veçantë që i është drejtuar gjykatave dhe i ka humbur të drejtat me vendime të këtyre gjykatave në vitet ’40 të shekullit të kaluar. E kam fjalën për njerëzit normalë që kanë të drejtë të shkojnë në gjykata. Edhe shtetasit grekë i drejtohen gjykatave. Edhe qytetarët e vendeve të tjera bëjnë të njëjtën gjë. Kjo nuk i dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ju folët për një “Traktat Miqësie”, por a do të abrogonte ky dokument ligjin e luftës që është në fuqi?
Ne mendojmë se nuk jemi në luftë. E gjithë historia e luftës është mbyllur. Pala shqiptare, – dhe unë e respektoj, – mendon se duhet të gjejmë një formulim më të mirë për ta mbyllur këtë. Kështu që propozimi im ishte, – dhe mendoj se pala tjetër e pranoi, – që të bëjmë Traktatin e ri të Miqësisë dhe në kuadër të këtij Traktati ne do të vendosim aty gjithçka do të jetë e nevojshme që pala shqiptare të ndihet më mirë me këtë moment historik.
Vizita juaj në Shqipëri vjen në një situatë shumë të vështirë për Greqinë dhe për Bashkimin Europian në tërësi. Cilat mendoni se do të jenë ndikimet te bizneset greke në Shqipëri?
Këto janë kohë të vështira për bizneset greke. Por them se shumë prej këtyre bizneseve greke në Shqipëri mendojnë se kushtet këtu janë më të mirat e mundshme për ta dhe për këtë janë duke investuar. Por më e rëndësishme në gjithë krizën e Greqisë është situata në Bashkimin Europian. Ia kam thënë kolegëve të mi europianë, miqve të mi europianë se ne duhet të kemi një plan për Europën e shekullit të 21-të. Nuk po diskutojmë mjaftueshëm për vizionet, për vlerat tona për Europën. Të gjithë po bisedojnë për sanksione, ndëshkime, memorandume. Këto instrumente janë të nevojshme. Ndonjëherë duhet të përdorësh sanksione për të ndëshkuar dikë. Por nëse e zbret gjithë Bashkimin Europian vetëm tek këto instrumenta, kjo është shumë e varfër. Dhe gjëja tjetër që u them është se mos harroni që gjithçka po bëjmë si Bashkim Europian duhet të mendojmë për imazhin që i përcjellim pjesës tjetër të Botës. Pra, po diskutojmë dhe po bëjmë ligje për emigracionin, për zbarkimet në Mesdhe. Azia juglindore po ndjek me vëmendje zhvillimet, nëse ne po i adresojmë të gjitha problemet tona në mënyrën e duhur. Mendoj se imazhi i Europës dhe thelbi i politikave europiane nuk është në lartësitë e duhur, duhet të bëjmë shumë më tepër nga ajo që po bëjmë. Nuk është vetëm një problem për Greqinë. Edhe çështja greke, ua them të gjithëve, amerikanët dhe aziatikët po na shohin duke thënë:”A do të munden europianët të gjejnë një zgjidhje për problemet e tyre?”. Për ne, është një problem shumë i madh, por për ata jashtë Greqisë duket si një i vogël. Mendoj se është shumë e rëndësishme që Bashkimi Europian, vandet kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe të gjitha shtetet në rajonin e Ballkanit të ndjekin dy rregulla shumë të rëndësishme: I pari është shteti ligjor, brenda shteteve të tyre, por edhe në marrëdhëniet mes shteteve dhe i dyti është gjetja e kompromisit, kultura e kompromisit. Bashkimi Europian ka ekzistuar si i tillë prej vitesh pasi është krijuar kjo kulturë e kompromisit, pasi ka shumë shtete, shumë institucione dhe shumë interesa. Por mendoj se në vitet e fundit e kemi patur të vështirë të gjejmë zgjidhje të tilla kompromisi.
Si mendoni se do të ndikojë kriza greke te qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje. A rrezikojnë ata të humbasin vendet e punës dhe të kthehen këtu në Shqipëri?
Ju e dini se ne kemi shifra papunësie rreth 27 %, ndërkohë që në rradhët e të rinjve kjo shifër shkon deri në 60 %. Kështu që nuk mund të themi se asnjë shtetas shqiptar nuk do të humbasë vendin e tij të punës. Ky do të ishte një iluzion. Mendoj se kjo është një periudhë e vështirë për këdo që jeton në Greqi dhe gjithashtu edhe për shtetasit shqiptarë. Kjo ka një kosto edhe për Shqipërinë, pasi shumë familje këtu jetojnë përmes të ardhurave të të afërmëve të tyre në Greqi. Mendoj se është në interes të përbashkët të Greqisë dhe Shqipërisë që ne ta kalojmë këtë krizë, duke gjetur zona të reja zhvillimi dhe rritjeje.
A janë të kënaqura bizneset greke me kushtet që kanë gjetur këtu në Shqipëri?
Mendoj se pjesa më e madhe e bizneseve greke janë të mira, disa nuk janë më të mirët. Por, ata janë duke e shijuar jetën dhe biznesin e tyre këtu në Shqipëri. Ndonjëherë kërkojnë më pak burokraci, ndonjëherë u duket sikur burokracitë këtu janë më të mëdha sesa edhe në Greqi. Por ndonjëherë janë më të lumtur sesa në Greqi.
Si i gjykoni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë në këtë moment?
Mendoj se dita në mbrëmje është shumë më e mirë sesa dita në mëngjes. Ndoshta edhe për shkakun se këtë intervistë po e jap në mbrëmje dhe jo në mëngjes. Por mendoj se edhe në mëngjes kishte shumë njerëz që buzëqeshnin këtu në Shqipëri, sesa në Kosovë. E dini që ishte vizita e parë e një ministri të jashtëm grek në Kosovë. Ka qënë më parë edhe z.Venizelos, por ai ishte aty si përfaqësues i presidencës së Bashkimit Europian. Ishte i detyruar të shkonte. Por këtë herë unë zgjodha vetë të shkoja dhe nuk ka patur një ministër të jashtëm grek që të këtë vizituar më parë Kosovën. Ky është një hap i madh. Ne po i mbështesim vendin që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, si Unesko, Interpol, etj.
A ka ndryshuar Greqia qëndrim në lidhje me pavarësinë e Kosovës? A po merrni në konsideratë njohjen e saj?
Kemi ndërmarrë disa hapa shumë të rëndësishëm, por fillimisht duhet t’i implementojmë ato.
Cili është opinioni juaj në lidhje me progresin e bërë nga Shqipëria gjatë këtyre muajve në rrugën e saj drejt çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian?
Më duhet t’ju them se jam shumë i impresionuar nga Tirana. Kam qënë për herë të fundit këtu, si pjesë e një delegacioni të ministrisë së punëve të jashtme të Greqisë në vitin 1999. Tirana nuk është më i njëjti qytet, siç ishte 16 vjet më parë. Së pari, ju keni bërë progres shumë të madh si vend, si shoqëri dhe unë kam ndjesi shumë të ngrohta dhe pozitive për këtë. Së dyti, mendoj se jemi duke bërë disa hapa drejt anëtarësimit, por çdo politikan europian thotë se Shqipëria duhet të bëjë më shumë. Por në fakt, Bashkimi Europian na thotë edhe ne që duhet të bëjmë më shumë. Kështu që është e njëjta përgjigje.
A është Shqipëria në rrugën e duhur për reformat?
Mendoj se nëse do të zbatohet marrëveshja e firmosur sot për mbështetjen e Shqipërisë nga Greqia në reformat e saj integruese, jemi në rrugën më të mirë të mundshme.
A shikoni ndryshime në politikën e jashtme të Greqisë, në veçanti në drejtim të Shqipërisë, që kur Syriza është në pushtet?
Mendoj se së pari jemi duke bërë një politikë më aktive. Së dyti, po rimendojmë gjithë politikat tona për atë që e quajmë “faktori shqiptar”. Kam patur takime konstruktive me partitë shqiptare në Shkup. Vizitova për herë të parë Kosovën. Jam këtu me vullnetin për të gjetur zgjidhje në marrëdhëniet tona, duke i dhënë atyre një të ardhme pozitive. Mendoj se jemi më pozitivë sesa të tjerët përpara nesh.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Spiegel”, ju jeni shprehur se “Parimi i shpresës është shumë i fuqishëm”, duke iu referuar një marrëveshjeje të mundshme mes Greqisë dhe BE-së. Dhe në fakt, kishit të drejtë. Sa i fortë duhet të jetë ky “parim shprese” për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të mbetura pezull mes Shqipërisë dhe Greqisë?
Është e vërtetë. Një filozof gjerman, Erich Bloch, ishte i fiksuar pas kësaj teorie, kësaj teze, duke shkruar shumë libra për të.Ai thotë se njerëzit kanë nevojë për shpresën, kanë nevojë për perspektivën.Njerëzit kanë të drejtë të ëndërrojnë për të ardhmen e tyre dhe në veçanti të rinjtë. Kështu që mendoj se ajo që po bëjmë ne tani së bashku me Shqipërinë është që njerëzit e të dy vendeve të ëndërrojnë për më shumë bashkëpunim dhe më shumë ndjesi pozitive. Pasi nuk mund të bësh politika ekonomike, apo ndërkombëtare pa ndjesitë pozitive të njerëzve. Dhe nga vizita ime në Shqipëri kuptoj se në fund të ditës, njerëzit, stafi im, janë më optimistë për të ardhmen tonë të përbashkët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button