Home / Politika / “Financial Times”: Arti i ndërtesave qeveritare në Shqipëri

“Financial Times”: Arti i ndërtesave qeveritare në Shqipëri

“Kryeministri i Shqipërisë mban shkumësa me ngjyra në zyrën e tij e dikur këmbëngulte në lyerjen e godinave me bojra të ndezura. Peter Aspden takon një lider të skllavëruar prej pushtetit të artit”. Me këto dy fjali, “Financial Times” bën hyrjen e një artikulli të gjatë të fokusuar tek kreu i ekzekutivit shqiptar, por në një dritë krejt ndryshe.

Shkrimi nis me vizitën e Angela Merkelit në Tiranë: një shkëputje e shkurtër, siç e përkufizon Aspden nga negociatat torturuese të Eurozonës mbi zgjidhjen e halleve financiare të Greqisë, përmes një udhëtimi në Ballkan që synon forcimin e marrëdhënieve të Gjermanisë me rajonin. Ndalesa e parë ishte Shqipëria, ku Rama i uroi mirëseardhjen me fanfarën e zakonshme diplomatike dhe me një surprizë shtesë. Përpara se t’i drejtoheshin hollit të kryeministrisë për konferencën e përbashkët të shtypit, Rama e çoi kancelaren në një dhomë të vogël ku i prezantoi disa prej artistëve më të spikatur kontemporane të Europes sot: Philippe Parreno i Francës, i njohur dhe për filmin e realizuar me Douglas Gordon mbi futbollistin Zinedine Zidane; shqiptari Anri Sala; konceptualist britanik Liam Gillick, artisti nga stokholmi Carsten Höller si dhe bashkëkombësi i Merkelit, Thomas Demand.

Takimi, siç do të pohonte më pas njëri prej pjesëmarrësve, qe paksa “surreal”. Konferenca për shtyp u mbajt në sfondin e një fotografie gjigande të Demand-it. Quhet “Sign”, është rikrijuar mbi një vepër të prezantuar në 1939-tën në Ekspozitën Botërore në Nju Jork. Forma në fotografi vjen e papërfunduar; ngërthimi i duarve është një proces në zhvillim. Në shpjegimin e vetë Ramës, është një duarshtrëngim që simbolizon partneritetin mes popujve të botës përmes konsumit.

Jashtë ndërtesës, për miken e shquar të kreut të qeverisë kishte edhe të tjera mesazhe plot ngjyrë. Një prej skulpturave të famshme të Höller-it, “Kërpudha gjigande e trefishtë”, është një kolazh 3D i tre kërpudhave të ndryshme: njëra është e ngrënshme, tjera helmuese, e treta halucinogjene. Një skulpturë, që siç thuhet në një shënim zyrtar, mund të perceptohet edhe si koment për “politikën shqiptare”. Në hyrje, një tendë e bardhë me drita vezulluese, e dizejnuar nga Parreno, sinjalizon jetën e re të një ndërtese që ka qënë për shumë vjet selia e kobshme dhe mbytëse e sunduesve komunistë të vendit. Sot, përurohet si qendra e re e Tiranës për hapjen dhe dialogun. Dhe Rama, artisti i kthyer në politikan, po i tregonte kësisoj njërës prej lidereve më të fuqishme të globit se në këndvështrimin e tij, asgjë nuk mund ta ndryshojë botën ashtu siç bën arti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.