Home / Intervista / Flutura Açka: Ed Zagoria, burri i letërsisë sime

Flutura Açka: Ed Zagoria, burri i letërsisë sime

Procesi i të shkruarit/ Lexuesi im besnik e di, është një burrë që e kam krijuar vetë, Ed Zagoria, një burrë që endet në prozën time gjithkund. Është i dashuri im në atë botë paralele, ku askush nuk akuzohet për flirte. Me të dashurin, edhe darkohet ndonjëherë, besoj

Alda Bardhyli

Mund të na thoni diçka mbi mënyrën se si shkruani? Në ç’kohë punoni? A keni një orar të caktuar, të cilin e zbatoni me përpikëri?

Prozën e shkruaj drejtpërsëdrejti në kompjuter, por redaktimin e saj vetëm në letër, kështu që derisa proza të më marrë formën përfundimtare, kaloj disa boca të printuara. Sikur të mundja, do ta kisha shkruar prozën në letër, siç bëj me poezinë, që e kam të gjithën nëpër blloqet e shumta, edhe në ato të axhendave ditore. Tregimet, më së shumti, i kam në shkrim dore dhe ngaqë më duhet kohë t’i hedh dhe t’i përgatis, idenë e një vëllimi me tregime e kam shtyrë vazhdimisht në kohë. Por edhe sepse jam e zënë me prozën e gjatë, që e shkruaj natën, vetëm. Poezinë në udhëtim, në lëvizje, veçmas në avion. Atje jam më afër Zotit, më larg tokësores, ku edhe rri poezia.

A e ndreqni dorëshkrimin, duke e lexuar sërish atë që keni shkruar një ditë më parë? Apo kjo është punë që bëhet më vonë, kur të kini mbaruar tërë veprën?

Ndreqje bëj edhe rrugës, veçmas prozën që më merr kohë. Prozën në përgjithësi e rishkruaj, pasi shpesh më krijohet një hendek mes historisë së rrëfimit dhe mënyrës së rrëfimit të kësaj historie. Nevoja e të rrëfyerit të historisë, ka më shumë nxit, se nevoja për të rrëfyer bukur. Unë jam nga ai soj i shkrimtarit që ka nevojë të rrëfejë bukur. Me këtë tekë timen merrem zakonisht kur e mbaroj rrëfimin.

 Sa herë e transkriptoni të njëjtën gjë?

Ka fragmente, që edhe disa herë.

Tornton Ualderi thotë se shkrimtarit i krijohen disa reflekse të veta të kondicionuara, që e ndihmojnë ta nisë punën. Te ju si ndodh?

Po, të jetuarit me historinë që dua të rrëfej, njëlloj si me një sëmundje. Mua kështu më fillon: një pjesë e imja zhvendoset në kohë, në atë kohën e shkrimit, nis e jetoj me personazhet, si të jenë pjesë e jetës sime. Kjo nuk ka asgjë fizike, nuk ka asnjë lloj dhimbjeje apo euforie. Pavarësisht se është një proces në kafkën time, është kaq larg, sa nuk më përplaset me të përditshmen time biologjike. Si të thuash, atëherë kur filloj të jetoj dy jetë paralele, unë e shoh se nuk kam zgjidhje tjetër, veç ta nxjerr jashtë meje këtë jetë të dytë, ta ‘përjashtoj’ atë. Dhe më fillon pagjumësia, siç ju thashë shkruaj natën. Dhe e tëhuaj historinë e shpikur nga vetja, prej vetvetes. Kurse poezia, po, poezia është një dhimbje koke e fortë, e çastit.

Për të shkruar mirë, a është e domosdoshme të jesh në ekuilibër të plotë shpirtëror? Hemingway shprehej se shkruante mirë vetëm kur ishte i dashuruar. A mund ta zhvilloni disi këtë mendim?

Nuk është e thënë të jesh domosdoshmërisht në ekuilibër të plotë shpirtëror. Do të thotë të jesh në jermin e jetës fiktive, pra të fiksionit. Por një njeri i dashuruar, është në sinergji të plotë dhe ka më shumë fuqi motorike, shpirtërore dhe fizike, sepse që të shkruash të duhet frymëzimi, ngopja me ‘gjënë’ tënde, por edhe fuqi fizike, dedikim të pafund, orë e orë që të privojnë nga jeta normale, dhe këtë nuk e përballon dot një shpirt i zbrazur. As edhe një trup që lodhet shpejt. Kjo është punë vetmitarësh, dhe nuk ka njeri më të vetmuar se njeriu i dashuruar, pasi jeton çdo çast me kërcënimin për humbjen e saj. Edhe kur e humb madje, nis e ndërton atë në shkrim, pra e shpik atë (dashurinë), si të jetë duke bindur veten se ende e ka, pra vazhdon të jetojë me atë dashuri sikur e kishte më parë, që do të thotë se gjithkohë është i dashuruar. Këto një shkrimtar i bën, këtë unë e kam bërë, dhe jam një njeri i dashuruar përjetësisht, edhe në subkoshiencën time.

Mund të na tregoni kur vendosët të bëheshit shkrimtare?

Nuk e kam vendosur unë, nuk e di kush e ka vendosur, dhe kur. E mbaj mend veten fëmijë që i rrëfehesha një audience të paqenë, që veçohesha për të lexuar, që rrija vetëm shumë duke menduar dhe shpesh prindërit më kanë zënë të përhumbur. Shpesh mamaja më përmendte: ‘Ku humbe, mos po shkruan ndonjë poezi me mendje?’ Edhe pse në jetën time ka pasur një kohë antishkrimtare – fëmijëria e vështirë, studimet joletrare – unë u bëra shkrimtare falë lirisë, falë kapërcyellit të ’90-s. Kjo është një histori shumë e gjatë në jetëshkrimin tim, por shkurt po them se një natyrë si imja, që të ishte shkrimtare në diktaturë, ose do të heshtte, ose do të ishte në burg: pra nuk do të isha bërë shkrimtare. Ndaj i falem Lirisë, ndaj liria është kaq e shqueshme në rrëfimin tim.

Cilët kanë qenë shkrimtarët që ju kanë frymëzuar, ata nga të cilët keni mësuar më shumë?

Në fëmijërinë time nuk mbaj mend shumë tituj për fëmijë, rinia ime më mbërriti më shpejt se mosha. I pari libër që më trembi me moskuptim, ishte “Tej fasadës”. Më joshte fuqia e shtrirjes dhe e detajit të Balzakut, Dikensit, fantazia dhe loja e fjalës së Kadaresë, por magjepsjen e kam pasur nga Migjeni dhe Majakovski në ato vite. Këto ditë gjeta në arkivin tim një bllok shënimesh ku kisha shkruar të plotë ‘Hamletin’, ashtu me shkrim dore e me shënime. Por vite më vonë këto toteme ndërruan, të vetmit që rezistuan ishte Shekspiri dhe Migjeni. Liria dhe përballja me letërsinë botërore sot na dha provën e madhe të ngopjes si lexues dhe të modestisë si shkrimtarë. Tani kam dashuri akute ndaj Philip Roth, Michel Houellebecq, J.M. Coetzee, që janë të gjallë dhe shkruajnë mrekullisht, një nevojë për të gjetur çelësat e prozës së gjatë dhe aq të ndjeshme të Orhan Pamuk, por edhe ndaj të vdekurve që s’do të vdesin kurrë si Nabokov, Gogol e Kafka, Wolf, Jonker e Lispector.

Sa duhet të largoheni nga emocioni që keni provuar vetë para se ta mishëroni atë në një trajtë artistike?

Arrij ta bëj këtë largesë, kjo vërehet edhe në prozën time. Askush nuk mund të thotë se romanet e mi janë autobiografikë, po të përpiquni të gjeni elementë të tillë, do ta keni të vështirë. Nuk do të gjeni. E pra po jua them pa drojë: ato janë para së gjithash vepra autobiografike. Kjo është largesa e padukshme dhe reale e shkrimtarit me rrëfimin, që unë ia kam dalë ta bëj.

Ka pasur personazhe letrare që kanë ndikuar në jetën tënde, flas për femra që i keni takuar në librat që keni lexuar?

Po, por kanë qenë burra. Jo si modele letrare, por projektim i lojës së fiksionit. Është një burrë që endet në kërkim të identitetit dhe vetvetes së humbur te “Shtëpia e heshtjes”, Faruku. Ai më ka ndikuar të shkruaj esenë, ende e pabotuar “Unë jam Faruku”, por edhe si ta mbaj pa e tëhuajtur në ujërat e dhimbjes ndonjë personazh timin. Por ka qenë edhe një vajzë, ditari i së cilës më ka frymëzuar në njërën nga linjat e romanit tim “Ku je?”. Ajo quhet Drita Çomo dhe ka qenë një vajzë që mund të ishte bërë shkrimtare. Tek ajo projektova atë vetveten që mund të mos ishte bërë shkrimtare nga mungesa e Lirisë. Pastaj, kë nuk do të ndikonte profesor Luri (Turpi), Zherzinski (Thërrmijat elementare), Humberti (Lolita), Dalloway (Zonja Dalloway), Çiçokovi (Frymë të vdekura), Peti (Liria), e sa e sa personazhe magjepsëse?

Po një burrë, nga ata që keni takuar librave, kë do të zgjidhnit për të darkuar…?

Lexuesi im besnik e di, është një burrë që e kam krijuar vetë, Ed Zagoria, një burrë që endet në prozën time gjithkund. Është i dashuri im në atë botë paralele, ku askush nuk akuzohet për flirte. Me të dashurin, edhe darkohet ndonjëherë, besoj…

Singer shprehej se letërsia është një histori dashurie dhe fati përzier bashkë… për ju çfarë është?

Letërsia është një trembje e madhe, një pasiguri për ta pranuar këtë botë reale para teje, që të shtyn të krijosh të reja paralele. Fshehja nga kjo botë në atë skutë vetmitare, sjell letërsi. Letërsia për mua është e vetmja mënyrë për t’i ikur vetmisë sime, e cila është sëmundja me të cilën kam lindur. Letërsia është një soj lumturie që nuk mund të përkufizohet nëpër doracakët e asnjë kohe. Të përkufizosh, do të thotë të kufizosh, thotë diku Niçe. Kështu që nuk guxoj as unë ta përkufizoj, sepse kam nevojë ta jetoj të pakufizuar atë që më shkakton letërsia.

Sa ndikon një dhembje apo një histori personale te shkrimtari?

Mund të ndikojë si impuls, si një ngarkesë emocionale, thjesht si histori për të cilën ndonjëherë ke nevojë të rrëfesh, por kurrsesi si dhembje personale. Shkrimtari nuk e vuan dhembjen e personazhit, sepse letërsia është shkërbim i jetës, por jo jeta vetë. Ka personazhe që më kanë ngritur nga gjumi, me të cilët kam bërë dialogë të gjatë, me të cilët kam ecur nëpër rrugët e zbrazura të Tiranës, por kurrsesi nuk e kam veshur qyrkun e tyre të dhimbjes, ndryshe do t’i kisha bërë melodramatikë. Unë e ndaj fare ftohtë (jo dhe aq pa mundim) shkrimtaren nga gruaja.

Besoni se letërsia nuk mund t’i largohet shumë jetës së shkrimtarit?

Po, kjo është e natyrshme, është i njëjti filtër që duhet t’i veçojë këto dy gjendje, mes koshiencës dhe subkoshiencës. Letërsia ime nuk është imitim i asaj çfarë ndiej unë, por ka ritmin e pulsit tim, ka rrapëllimën e përplasjeve të mia të thukëta me kohën kur jetoj, ka filozofinë time të të jetuarit, qëndrimet e mia, kulturën time. Unë nuk jam shkrimtare epistolare, është sipërmarrje e madhe t’i jepesh i gjithi lexuesit, siç bën sot me shumë sukses autori norvegjez Knausgaard, apo siç mbetën në fond të artë të letërsisë botërore, ‘I huaji’, “Toni Kregëri” apo “Rrëfimin për dashurinë dhe errësirën”.

Si lind një libër te ty? Çfarë jeni duke shkruar tani?

Jeton gjatë para se të lindë dhe lind shpejt. Mjaft të më fillojnë ujërat dhe libri nis të lindë. E shkruaj gjatë, nuk nxitoj dhe i kthehem, kam sqimë në fjalë e në stil, pasi kam bindjen se lexuesi histori di vetë pafund. Prej meje kërkon një rrëfim që ta argëtojë, para së gjithash letërsia është argëtim. Dhe kjo kërkon një kapërcim të vazhdueshëm të vetvetes, një proces i natyrshëm që vjen me maturimin letrar. Tani po punoj në prozë, vazhdimisht, por së shpejti do ta takoj lexuesin me poezi, u bë gjatëherë që jam ndarë me të. Titulli parak i vëllimit të ardhshëm poetik është “Ftesë për flirt”, një titull që të jep mundësi të aludosh shumë. ‘Flirti’ në kohët e sotme shqiptare ka një ngarkesë të shumëfishtë dhe i jep kuptim këtij titulli për të prezantuar poezitë e radhës.

*Revista letrare “Saras”

Leave a Reply

%d bloggers like this: