Arte

Imazhet fotografike, do të mbrohen me ligj

Hartohet projektligji për të drejtat e autorit, pritet miratimi në Parlament

Artet pamore, botimet, kinematografia, apo transmetimet televizive, tashmë nën ombrellën e një ligji

Pas një sërë debatesh të ngritura në shtyp këto vite, mbi shkeljet e të drejtave të autorit, projektligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to pritet të miratohet në Parlament. Ky ligj është përgatitur pas një sërë tryezash me diskutime dhe debate nga Zyra shqiptare për të Drejtën e Autorit, si dhe takime të shumta me përfaqësuesit e grupeve të ndryshme të interesit, përfaqësues të subjekteve përdorues të pronësisë artistike. Rreth 104 faqe dhe 191 nene, ky ligj përmbledh në mënyrë të detajuar të gjitha detyrimet dhe të drejtat e subjekteve të ndryshme, duke nisur nga botuesit, artet pamore, muzika, fotografia, kinematografia, apo prodhimet televizive. Sipas këtij projektligji, një vepër e mbrojtur nga e drejta e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me to do të konsiderohet se është “e njohur” nga publiku në qoftë se është vënë në dispozicion të publikut me pëlqimin e mbajtësit të së drejtës. Ligji gjen zbatim për të gjitha veprat, përfshirë ato të mbrojtura nga marrëveshjet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, të cilat në momentin e hyrjes në fuqi të marrëveshjes përkatëse nuk kanë hyrë ende në domenin publik në vendin e tyre të origjinës pas përfundimit të afatit të mbrojtjes dhe të cilat nuk kanë hyrë ende në domenin publik në Republikën e Shqipërisë, për shkak të përfundimit të një afati mbrojtjeje të parashikuar nga ky ligj. Në domen publik hyjnë veprat e së drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, të cilave u ka mbaruar afati i mbrojtjes të së drejtës së autorit ose që nuk kanë qenë ndonjëherë nën mbrojtjen e ligjit të së drejtës së autorit të cilat mund të përdoren lirisht nga publiku. Objekt i të drejtës së autorit është çdo krijim intelektual origjinal, në fushën e letërsisë, artit dhe shkencës, i cili mbart karakteristika individuale, pavarësisht nga mënyra ose forma e shprehjes së tyre, objektivi, rëndësia, për aq sa nuk parashikohet ndryshe në këtë ligj. Veprat e së drejtës së autorit janë: krijimet e fjalës, të shprehura nëpërmjet shkrimeve letrare dhe publicistike, leksionet, predikimet fetare, fjalimet, çdo krijim tjetër me gojë ose me shkrim dhe programet kompjuterike; krijimet dramatike dhe dramatiko-muzikore; kompozimet muzikore, me ose pa tekst; krijimet koreografike dhe pantomimat; krijimet audiovizuale, në të cilat përfshihen krijimet kinematografike dhe krijimet e tjera audiovizuale të krijuara në mënyra të ngjashme me ato kinematografike, veprat radiofonike, krijimet e artit pamor në fushën e pikturës, skulpturës dhe grafikës, artet dekorative monumentale, pavarësisht nga materiali/mediumi përbërës i tyre dhe krijime të tjera të artit pamor; krijimet arkitekturore që përfshijnë vizatimet, planet, skicat në shkallë të zvogëluar dhe krijimet grafike në projektet arkitekturore; krijimet fotografike dhe çdo krijim tjetër që shprehet nga çdo proces i ngjashëm me atë fotografik; veprat e arteve të aplikuara duke përjashtuar ato vepra si dizenjo industriale që mbrohen nga ligji për “Pronësinë industriale”; krijimet tredimensionale, ilustrimet, listat, hartat dhe vizatimet në fushën e topografisë, gjeografisë dhe shkencës në përgjithësi; krijimet kartografike, krijimet shkencore me shkrim ose me gojë siç mund të jenë prezantimet, monografitë, deduksionet, disertacionet, studimet, leksionet universitare, librat shkollorë, projektet dhe dokumentacioni shkencor. Nuk do të mbrohen nga ky ligj idetë, teoritë, konceptet, zbulimet dhe shpikjet në një vepër krijuese, pavarësisht nga mënyra e marrjes, e të shpjeguarit ose e të shprehurit, shpikjet, tekstet zyrtare të fushave legjislative, administrative, juridike (aktet, rregulloret, vendimet, raportet, procesverbalet e takimeve, gjykimet, dhe të tjera të ngjashme), si dhe krijime të tjera zyrtare dhe koleksionet e tyre, të paraqitura me qëllim që të informohet zyrtarisht publiku; etj. Ligji i jep fuqi autorit, ose trashëgimtarëve të tij, të gëzojnë të drejta ekskluzive pasurore

për të gëzuar, për të autorizuar apo për të ndaluar përdorimin e veprave ose kopjeve të veprave të tyre. “Çdo mënyrë e shfrytëzimit të origjinalit të një vepre ose të kopjeve të saj pa lejen e autorit/trashëgimtarit/ose personit të autorizuar prej tij, do të konsiderohet e paligjshme me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj..”, thuhet në ligj. Një pikë e këtij ligji ka të bëjë dhe me përdorimin e veprave në publik. Ky ligj u jep mundësi autorëve të shpërblehen nga përdorimi i veprave të tyre, gjë që nuk ka ndodhur këto vite. “Autori, veprat e të cilit, për shkak të natyrës mund të riprodhohen pa autorizim në kushtet e nenit 72 nëpërmjet fotokopjes, regjistrim zëri, videos/figurës tekstit apo nëpërmjet çdo forme tjetër për përdorim personal, privat apo tjetër, ka të drejtën e shpërblimit të arsyeshëm nga shitja e materialeve teknike, të cilat bëjnë të mundur riprodhimin e tekstit, zërit apo figurës si dhe materiale, të cilat bëjnë të mundur mbajtjen/fiksimin e veprave nëpërmjet zërit, figurës, tekstit. Lista e pajisjeve si dhe tarifat përkatëse, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligj.

Veprat fotografike

Jo çdo imazh fotografie mund të përdoret kaq lehtë sa është përdorur në media apo rrjetet sociale. Tashmë projektligji jep rregulla mbi përdorimin e tyre. Pamjet e personave ose të paraqitjeve, elementeve ose ngjarjeve të natyrës ose jetës, të marra nëpërmjet proceseve fotografike, duke përfshirë riprodhimet e veprave të artit figurativ dhe pozave të veprave audiovizuale, do të konsiderohen fotografi në kuptim të këtij ligji. Nuk do të konsiderohen objekt i këtij neni fotografitë e shkrimeve, dokumenteve, letrave të biznesit, objekteve materiale, vizatimeve teknike dhe produkteve të ngjashme. Transferimi i pronësisë së negativit apo çdo trupëzimi të ngjashëm të një vepre fotografike, mbi bazën e së cilës mund të bëhen kopje, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe me anë të një kontrate me shkrim, sjell si rrjedhojë kalimin e të drejtave pasurore mbi veprën, përveç së drejtës së rishitjes. Individi i portretizuar në një vepër fotografike të porositur prej tij kryen çdo veprim që mbulohet nga të drejtat pasurore edhe pa autorizimin e autorit të fotografisë, përveçse kur në kontratën me shkrim parashikohet ndryshe.

E drejta mbrohet për 70 vjet

Të drejtat pasurore të parashikuara nga ky ligj mbrohen gjatë gjithë jetës së autorit dhe deri në 70 vjet pas vdekjes së tij, pavarësisht nga data kur vepra është bërë publike në mënyrë të ligjshme. Pas vdekjes së autorit të drejtat pasurore do të transferohen nëpërmjet trashëgimisë, sipas legjislacionit civil. Nëse autori nuk ka trashëgimtarë, ushtrimi i këtyre të drejtave do të bëhet nga AAK-ja përkatëse e autorizuar sipas këtij ligji. Afatet e përcaktuara në këtë sesion fillojnë nga data 1 janar e vitit pasardhës të vdekjes së autorit ose, sipas rastit, të shfaqjes së parë të ligjshme në publik të veprës. Të drejtat pasurore mbi një vepër me bashkautorësi mbrohen deri në vdekjen e bashkautorit të fundit dhe deri në 70 vjet pas vdekjes së tij. Të drejtat pasurore mbi një vepër muzikore me tekst mbrohen deri 70 vjet pas vdekjes së autorit të fundit të mbetur gjallë, autorit të tekstit, apo kompozitorit të veprës muzikore, nëse ata janë ose jo persona të caktuar si bashkautorë dhe në rast se kontributi i të dyve ishte posaçërisht i krijuar për përdorimin e të njëjtës vepër muzikore. Nëse muzika ose teksti, përkatësisht, nuk është krijuar posaçërisht për të njëjtën vepër muzikore me tekst, do të zbatohen rregullat e përgjithshme për kohëzgjatjen e së drejtës së autorit. Të drejtat pasurore të një vepre audiovizuale mbrohen deri 70 vjet pas vdekjes së autorit të fundit të mbetur gjallë, nëse këta persona janë apo nuk janë përcaktuar si bashkautorë, (regjisori kryesor, drejtorit artistik apo i fotografisë, autorit të skenarit dhe autorëve të tjerë) dhe kompozitorit të muzikës së krijuar posaçërisht për përdorimin e veprës audiovizuale. Të drejtat pasurore të veprave anonime ose nën pseudonim mbrohen deri 70 vjet. Kur kjo vepër nuk është vënë në mënyrë të ligjshme në dispozicion të publikut brenda 70 viteve nga krijimi i saj, mbrojtja e së drejtës së autorit pushon. Kur pseudonimi i vendosur nga autori nuk lë dyshime për identitetin e tij, gjen zbatim përcaktimi i pikës 1, të këtij neni. Ky përcaktim gjen zbatim edhe kur autori i një vepre anonime ose nën pseudonim zbulon identitetin e tij ose kur identiteti i tij bëhet i qartë gjatë asaj periudhe kohe. Të drejtat pasurore të përmbledhjeve mbrohen deri në 70 vjet nga vënia e veprës në mënyrë të ligjshme në dispozicion të publikut. Projektligji mbron dhe veprat origjinale, duke ndaluar shkatërrimin e tyre. “Pronari i një vepre origjinale të mbrojtur nga ky ligj, që di ose ka të dhëna të arsyeshme për të ditur se autori apo secili nga bashkautorët ka një interes të veçantë për të ruajtur një vepër origjinale të tillë nga shkatërrimi, është i detyruar, përpara shkatërrimit të saj, t’i lajmërojë ata për shkatërrimin dhe duhet t’i ofrojë blerjen e origjinalit me një çmim të barasvlershëm me vlerën e tij reale. Kur kthimi i origjinalit në zotërimin e autorit nuk është i mundur, pronari mund t’i lejojë autorit të bëjë një kopje të veprës në mënyrën përkatëse. Nëse autori nuk dëshiron të blejë origjinalin, pronari është i lirë ta shkatërrojë atë, por ai, me kërkesën e autorit, mund t’i lejojë atij fotografimin përpara shkatërrimit”, thuhet në projektligj. Ky ligj kërkon të bëjë më të fortë dhe monitorimin e subjekteve në terren nga ana e Zyrës shqiptare të të Drejtave të Autorit, për të fuqizuar pozitat në mbrojtje të interesave që evidentohen në këtë ligj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button