Kryeartikull

Ligji i vjetër që nuk fshihet nga paketat e reja greke

Nga Aleksandër Çipa

Qeveria aktuale greke e politikanit të ri Aleksis Cipras nuk ka asnjë mundësi të ketë ngjashmëri dhe të krahasohet me qeveritë e fillimviteve ’90 të Konstandin Micotaqisit apo Kostas Simitisit e Jorgo Papandreut.

Një krahasim i tillë, sot do të ishte i urryer prej secilit grek, por i palogjikshëm dhe i paqëndrueshëm edhe për gjithë fqinjët e Greqisë.
“..Ne dëshirojmë të jemi sa më krijues në përgatitjen e Shqipërisë drejt BE-së dhe çdo gjë që ndodh në Ballkan duhet të përfshijë dhe Shqipërinë”, u shpreh ministri i Jashtëm grek Kotzias gjatë konferencës për shtyp me homologun shqiptar Ditmir Bushati, të mërkurën e javës së shkuar në Tiranë. Për çfarë kreativiteti e ka fjalën ministri mysafir? Cilat mundësi ka ai dhe qeveria e tij për përgatitjen e vendit tonë drejt BE? Dhe, pse nevojitet ta theksojë sikur të jetë meritë e këtyre fqinjëve përfshirja e Shqipërisë në çdo gjë të Ballkanit?

Këto janë disa pyetje që lindin vetiu si recencë e pohimeve që ministri aktual i Greqisë bëri në takimin me homologun e vet Ditmir Bushati në Tiranë. Pohime që u bashkëshoqëruan edhe me një incident të parëndësishëm, ndryshues të emrit Ditmir në Dhimitër, ndaj të cilit ministri ynë reagoi pa investuar së paku as inteligjencë e as humor, por thjesht një korrekturë. Qeverisësit grekë e kanë pothuajse të pamundur të shkëputen nga një mendësi në mos paternalizmi dhe dominimi, së paku kujdestarie dhe supremacie që krijoi tranzicioni postkomunist në vendet e Ballkanit. Kjo mund të verifikohet lehtësisht edhe në vizitën e javës së fundit të ministrit të Jashtëm të Greqisë në Tiranë. Edhe pse një vizitë e ndërprerë dhe e lënë në mes, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që dominon shtetin e tij të falimentuar financiarisht, me pohimet e veta zoti Kotzias, ringjalli debatin e vjetër për çështjet e mbetura shqiptaro-greke. Në aq axhendë sa u krye, ministri grek pati mundësinë të shfaqte disa elementë dhe faktorë të interesit dhe strategjisë vepruese greke në raport me shqiptarët dhe shtetin fqinj.

Për herë të parë, një ministër i Jashtëm i Greqisë vlerëson si faktorë, dy kategori shqiptarësh në vendin e tij: së pari emigrantët dhe studentët, madje duke i konsideruar hallkë lidhëse në marrëdhëniet mes dy vendeve. Një mënyrë e lehtë, për të përjashtuar në të vërtetë, dy elemente themeltarë: së pari shtresat e trashëgimisë dhe origjinës shqiptare në Greqi (arvanitët dhe minoritetin etnik të papranuar çam) dhe së dyti, emigrantët e integruar (të pas viteve ’90) dhe me të drejta të paplota. Megjithatë është hera e parë që një ministër i Jashtëm i Greqisë shprehet se: “Jemi me fat që kemi bashkëqytetarë të tillë, të cilët janë njerëz me kulturë dhe frymë bashkëpunimi dhe që kanë tendencën të kenë një ngritje shoqërore, si emigrantët shqiptarë. Praktikisht, me ligjin e ri që kaloi para pak ditësh Parlamenti grek, kryesisht fëmijët, janë ajo hallkë lidhëse mes dy vendeve tona, janë e ardhmja e marrëdhënieve tona”, u shpreh ministri Kotzias.

Në të vërtetë, ardhmëria e emigrantëve tanë në Greqi është një ardhmëri që në mos i fshin, së paku i përjashton së qeni arsye dhe faktorë veprues te fëmijët tanë: gjuhën dhe sidomos ndërgjegjen etnike të tyre. Në këtë rrjedhë dialektike, e cila duket se shihet si favorizuese për interesin shtetëror grek, ministri vizitëndërprerë nuk harron të përfshijë çështjet që kanë shkaktuar dhe mbajnë në fuqi ngërçin në marrëdhëniet aktuale greko-shqiptare. Fjala është për ato që sipas zotit Kotzias u diskutuan me krerët e lartë shtetërorë në Tiranë: Diskutuam dhe për marrëveshje që ekzistojnë dhe që duhet të riaktivizohen, si ajo e librave shkollorë, por dhe për mënyrën se si duhet t’i zgjidhim çështjet me interes të përbashkët, si ajo që ka të bëjë me të drejtën mbi ujërat…

Diplomacia greke, pavarësisht në ç’pozita gjendet administrata e vendit sot, vijon të ruajë strategjinë e pandryshueshmërisë së raportit me interesat e veta historike, pavarësisht se fqinjët, me të cilët ajo i ka problemet e mbartura, kanë ndryshuar dhe janë kryekëput në rrethana të reja.

Greqia e sotme i përdor dekretet e administratës së vjetër helene (sikundër është i ashtuquajturi Ligji i Luftës), të zhvlerësuara si besim, por jo si dokumente realë. “Ne besojmë se nuk ekziston një ligj lufte me Shqipërinë. Mendojmë se të gjitha marrëveshjet dhe deklaratat e bëra apo bashkëpunimi që kemi si anëtarë në NATO, jo vetëm na bëjnë miq, por dhe dy shtete partnerë dhe aleatë. Në të gjitha marrëveshjet e tjera që do të bëjmë në të ardhmen do të gjejmë mënyrën për të konfirmuar se nuk jemi në gjendje lufte”, u shpreh Kotzias. Sa u takon të drejtave të pronësisë, ministri grek e la të hapur se “çdo qytetar shqiptar mund t’i drejtohet gjykatave greke dhe i mbështetur mbi të drejtën të mund të pretendojë për kërkesat e tij. Ne nuk duam të minojmë miqësinë tonë. Duhet të mësojmë nga historia, të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, por dhe të mos mbetemi të burgosur në këtë histori. Ne duam të ndërtojmë me Shqipërinë të ardhmen, e cila i përket të dyja vendeve dhe popujve, kryesisht në gjenerata tona të reja”, u shpreh ministri i Jashtëm grek. Qasja e vjetër e ministrit të ri grek nuk sjell asgjë të re për çështjen shqiptare. Kjo çështje nuk lidhet vetëm me gjykatat dhe nuk mund të reduktohet si problem pronësie. Ajo është çështje e një minoriteti që nuk pranohet, një minoriteti të dëbuar me gjenocid dhe të mohuar, por me një triumf të pamundshëm siç është trualli dhe sidomos historia e dokumentuar.
Pak kohë para mbërritjes në Tiranë përmes Prishtinës, ministri grek ishte shprehur se “kishte ndër mend t’i propozojë palës shqiptare një zgjidhje paketë për gjithë problemet në marrëdhëniet dypalëshe”. Ministri në fjalë, këtë deklarim e kishte bërë gjatë ligjëratës së mbajtur në qendrën e studimeve europiane në Kolegjin Saint Antony’s College të Universitetit të Oksfordit. Mirëpo pjesa kryesore e kryer e vizitës dhe e takimeve të parashikuara, nuk e konfirmuan këtë pretendim të ministrit grek. Ndërkohë që duhet pranuar se aktualisht qeveria Cipras mund të konsiderohet ndër më miqësoret me emigrantët shqiptarë dhe e vetmja që pranon faktin se: “Greqia, është vendi që ka më shumë shqiptarë, se çdo tjetër në botë”. Madje duhet thënë se edhe pse është lënë shumë jashtë vëmendjes së mediave të Shqipërisë drafti ligjor i miratuar së fundi edhe në parlamentin e Greqisë për marrjen e nënshtetësisë greke, përbën një dokument me rëndësi historike dhe që rrjedhojat mund t’i ketë të tilla edhe në relacionet mes dy popujve dhe dy shteteve. Kjo e drejtë e legjitimuar tashmë në shoqërinë greke, mund të sjellë risi dhe ndryshime gjithfarëllojshme në përfaqësimin shqiptar në skenën dhe jetën politike të Greqisë, por është herët të flitet se mund të ndryshojë edhe raportin e shqiptarëve dhe Shqipërisë me problemet e vjetra dhe “çështjen” shqiptare në Greqi. Kjo mund të marrë rrjedhë tjetër, kur në paketat e reja të fshihet një “ligj i vjetër” dhe të instalohet pariteti për të drejta të mohuara shqiptarësh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button