Opinion

Paradoksi i frikës nga anëtarësia dhe jo nga elektorati

Mbledhja e fundit e Asamblesë së socialistëve tregoi ndër të tjera se partitë shqiptare nuk është se kanë ndonjë dallim të madh kur vjen puna te kryetarët dhe vuajnë nga e njëjta patologji politike.

Edhe pse duan të kopjojnë përvojat më të mira të funksionimit të simotrave të tyre perëndimore, faktikisht tregojnë se janë aq larg tyre, sa ç’është Toka nga Plutoni.

Referencat me laburistët anglezë të shqiptuara nga eksponentë pitbull, siç njihen në zhargonin politik të Tiranës, janë sa jorealiste, aq edhe dizinformuese e spekulative.

Laburistët britanikë kanë një proces përzgjedhje të titullarëve dhe përfaqësuesve të saj, që nëse do aplikoheshin sa gjysma e tyre në jetën politike të neo-socialisteve shqiptarë, madje tërë partive politike shqiptare, Shqipëria e sotme politike do kishte një frymëmarrje dhe dinamizëm shumë më demokratik sesa sot.

Bisedoja do javë më parë me mikun tim laburist, avokatin e njohur ne Londër, Kastriot Berberi, këshilltarin e vetëm shqiptar të zgjedhur demokratikisht në pushtetin lokal në Britani në radhët e laburistëve, i cili, kur me shpjegonte proceset selektive të kandidaturave, që nga këshilltarë e përfaqësues të laburistëve në pushtetin lokal e deri te deputetë e drejtuesit më të lartë të saj, dhe se çfarë pune dhe sitash elektorale dhe anëtarësie do duhet të kalojnë përpara se të jenë përfaqësues të anëtarësisë së laburistëve, e kupton se sa boshe janë referencat që lëshohen tërë euridicion fals nga njerëzit e qarkut të mbyllur të liderit.

Për hir të argumentit, meqë përmenden laburistët, Toni Bler vërtet ishte kryetar partie dhe kryeministër, por u largua nga postet e tij në mes të mandatit dhe jo se humbi zgjedhjet, por se i kishte fituar disa herë me radhë dhe ia la njeriut të dytë, të identifikuar prej kohësh si pasardhësi i tij, e që në rastin e socialistëve shqiptarë, dhe në shumë parti të tjera, me shumë vështirësi, ka dhe identifikon të dytë të mundshëm.

Edi Rama vërtet fitoi dy zgjedhjet e fundit dhe ka një të drejtë morale, po jo statutore, për të adoptuar dhe për të interpretuar atë qëndrim që ka, duke xhongluar me statutin, sipas rrethanave të tij specifike.

Them xhonglim, pasi tani që ka fituar zgjedhjet, nuk preferon rizgjedhjen sërish nga anëtarësia, e cila nuk është asesi ekuivalente me elektoratin dhe realisht nuk e kuptoj përse jo.

Ndërkohë edhe kur humbi zgjedhjet përpara se t’i fitonte ato për herë të parë, nuk bëri atë që do duhet të bënte, të jepte dorëheqjen siç ia kërkuan nga kreu i PS, por xhongloi dhe paradoksalisht, iu drejtua anëtarësisë me parimin “një anëtar një votë”, për të mbajtur postin, gjë që sërish paradoksalisht, nuk preferon ta bëjë tani që ka fituar zgjedhjet!

Jam i bindur se, edhe nëse bën votim me “një anëtar, një votë”, Rama mund dhe do të fitojë sërish.

Por Partia Socialiste ka nevojë në radhë të parë të zbatojë statutin që ka, jo atë që do të duhet të ketë, në funksion të objektivave të kryetarit të saj.

Votimi apo votëbesimi në anëtarësi, pas atij në elektorat, ka vlera të tjera demokratizuese, pasi jo domosdoshmërisht, socialistët e thjeshtë anëtarë të saj, mund të konfirmojnë ose të mos preferojnë, po them parimisht dhe hipotetikisht, edhe pse me pak gjasa, Edi Ramën, si kryetar.

Por siç spekulohet, nëse Edi Rama ka ndonjë frikë në vetvete, kjo do ishte sinjifikative dhe shpjeguese e qëndrimit të tij për këtë çështje.

Por një votim dhe konkurrim për rimandatim të Ramës apo të kandidatëve të tjerë, do sillte vlera të shtuara kredibiliteti, për këdo që do fitonte.

Elektorati, jo domosdoshmërisht mendon si anëtarësia, edhe i pari, nuk mund të jetë i barasvlefshëm me të dytin, as në shifra e as në përkushtimin partiak.

Anëtarësia e socialistëve kërkohet të shkojë në sezonin e ri të gjuetisë së elektoratit në 150 mijë, edhe pse për socialistët kanë votuar disafish më shumë se aq.

Argumentueshëm, në atë parti ka edhe vlera të tjera, që mund të bëjnë një oponencë dhe të shpalosin vizione më të avancuar se kryetari aktual, siç mund të jetë parimisht Erion Veliaj, i cili edhe Rama e pranon se do jetë në postin e Kryetarit të Bashkisë më i suksesshëm për vizionin se Rama në kohën e vet.

Po ashtu, edhe Blushi, pse jo, pavarësisht se është shndërruar në “dele të zezë” apo “gjinkallë” në atë parti, siç e etiketuan gjatë fundjavës, edhe pse atij i kam sugjeruar një aksion tjetër politik, që të mos humbasë kohë në projektin e tij ambicioz.

Tragjikisht, Asambleja e Socialistëve dëshmoi frikshëm mungesën e dyshimtë të mendimit alternativë në atë parti, ku të gjithë dukeshin ose hiqeshin si të kënaqur me gjithçka dhe me vetveten, si dhe qoshet e Pëllumbit, që kanë zënë secili, në pushtetin e ditës.

Të kënaqur e rehat në shkërdhatokracinë e tyre do t’i cilësonte, Dritëroi i heshtur.

Është e papranueshme për mua që në atë parti të mos pipëtijë askush, madje edhe senatori Servet Pëllumbi, që nuk e di nëse do kishte ndonjë vërejtje përpara rezultatit të zgjedhjeve të fundit për funksionimin e partisë, të cilat mund t’i kishte thënë që atëherë, nëse nuk do të kishte fituar lokalet partia e tij!

Andaj në këtë aspekt, Partia Socialiste e Rilindjes (jo ajo e rilindur), nuk dallon dhe aq nga mënyra sesi funksionojnë partitë e tjera shqiptare, që nga partia më e madhe e opozitës e deri te partia “kingmaker“, ku kryetarët rrethohen nga një klientelë politike e mirëpërzgjedhur për ditë të tilla, që më shumë bëjnë pitbullin dhe më pak gjinkallën, edhe pse bëhen më pak relevant në vokalitetin politik, pavarësisht se kopjojnë në “look“, dikush Timoshenkon e dikush tjetër Qemal Stafën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button