Libri

Martin Camaj – Yni apo i mërgatës ?

Për 90-vjetorin e ditëlindjes së Martin Camajt

Sot, më 21 korrik 2015, mbushen 90 vjet nga lindja e poetit, prozatorit dhe albanologut Martin Camaj.

Poezia e tij mbase më e cituar është “Vendit tem”. Tash, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij, dhe pasi ai dëshmoi me veprën letrare dhe shkencore që Shqipëria ishte vendi i tij, mund të shtrohet pyetja nëse Shqipëria e ka bërëMartin Camajn shkrimtar të vendit të tij, d.m.th. nëse Camaj në vendin e vet e ka gjetur vendin e duhur pas një gjysmëshekulli të heshtjes totale për të, ku ai nuk u përmend as për të keq si “tradhtar” e “reaksionar” (si rasti i sulmit të Kadaresë ndaj Fishtës sipas motos “më mirë të përmendet për të keq sesa të mos përmendet dot”) dhe pas një çerekshekulli të pluralizmit shqiptar.

Postmortem në Shqipëri janë bërë përpjekje jo të pakta për të bërë të njohur e për të vlerësuar Martin Camajn dhe veprën e tij. Më 1996-n, Ardian Klosi botoi një pjesë të madhe të veprës letrare të Camajt; në fillim të viteve ’90, botuesi “Camaj-Pipa” në Shkodër botoi gjithashtu një pjesë të veprës letrare camajane. Më 2010-n, shtëpia botuese “Onufri” botoi veprën e plotë letrare të Camajt. Poezi të tij gjenden në disa antologji. Po ashtu, më 2010-n, ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, e nderoi Camajn me titullin “Nder i Kombit”. Më 2002-shin, Martin Camajt iu akordua çmimi kombëtar për letërsi “Penda e Artë”. Për veprën letrare camajane janë shkruar libra (Anton N. Berisha, Koçi Petriti, Ymer Çiraku, Primo Shllaku, Behar Gjoka), punime master dhe disertacione. Vjetëve të fundit dolën libra seriozë studimorë nga Hasan Sinani (2011) dhe Albana Alia (2014). Më 2013-n u xhirua dhe u shfaq dokumentari biografik i gazetares Tefta Radi “Martin Camaj i papërsëritshëm”.

Prapëseprapë, duket sikur Martin Camaj ende nuk e ka vendin e duhur në vetëdijen kolektive shqiptare. Këto ditë, Akademia e Shkencave e përkujtoi me një simpozium përvjetorin e 85 të vdekjes së poetit atdhetar Çajupi dhe nuk ia kushton vëmendje poetit të madh të poezisë moderne shqiptare, Martin Camaj. Ministria e Kulturës preferon të merret jo me përvjetorin e Camajt, por me mbrojtjen e monumenteve të kulturës për “turizmin kulturor”, me ekspozita artistësh etj. Një lidhje e shkrimtarëve për të qenë, fatkeqësisht, nuk ekziston. Shtypi hesht sa institucionet e kulturës. Kur bëhet fjalë për poetët e mëdhenj shqiptarë të kohës sonë, ende flitet dhe shkruhet për Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Tash së voni hasa në një listë të vogël shkrimtarësh që “ne i kemi nxjerrë” në kohën e diktaturës, ku u përmendën autorë si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Dhimitër Shuteriqi, Xhevahir Spahiu e shkrimtarë të tjerë të njohur të kohës. Për fat të mirë, lista mbaroi me Frederik Rreshpjen, të cilin më së shumti begenisin ta “harrojnë”. Simptomatike ishte mungesa e emrit të Kasëm Trebeshinës që e injorojnë për shkaqe jashtë letrare, si dhe mosprania e Martin Camajt – siç duket po ashtu për shkaqe joletrare.

Mosprania e poetit dhe prozatorit Camaj në vetëdijen e përgjithshme duket se në radhë të parë nuk është se “Camaj është i vështirë”, por se ai konsiderohet ende si shkrimtar “i diasporës”, “i mërgatës”, “i ekzilit”. Në të vetmen Histori të letërsisë shqiptare nga Robert Elsie (shqiptarët ende s’kanë shkruar një vepër përkatëse), Martin Camaj dhe Arshi Pipa figurojnë ndër emra si Xhevat Kallajxhi, Kosovë Rexha-Bala, Mustafa Huluki, Nijazi Sulça etj. Ky kategorizim përvetësohet dhe nga penda të tjera. Me këtë, Camaj margjinalizohet dhe, deri diku, përjashtohet nga rrjedha e letërsisë shqiptare. Askujt nuk do t’i binte ndër mend ta quajë Nolin a Konicën autorë “të diasporës”, “të mërgatës” a “të ekzilit”. Kategorizimi i Martin Camajt si autor “i mërgatës” etj., bëhet për shkakun thjesht biografik d.m.th. joletrar.

Nëse Camaj nuk bën pjesë ndër shkrimtarët që “ne i kemi nxjerrë”, do të ishte e logjikshme të thuhet se atë e ka nxjerrë mërgata, diaspora, ekzili. Gjë absurde! Shkrimtarin Martin Camaj nuk e nxori diaspora, mërgata a ekzili, por tradita e letërsisë shqiptare dhe thesari i traditave gojore të Shqipërisë së Veriut. Në krijimtarinë e Martin Camajt nuk gjenden elementet tipike të shkrimtarëve të mërgatës a ekzilit. Ata zakonisht merren qoftë me letërsi sentimentale patriotike që e idilizon dhe glorifikon atdheun, qoftë me letërsi të politizuar që e akuzon vendlindjen dhe rrethanat politike në të. Autorë të tillë zakonisht merren edhe me shkrime gazetareske që e damkosin sistemin diktatorial në vendlindje. Ndryshe nga ata, shkrimtari Camaj shkroi me këmbëngulje letërsi, letërsi të mirëfilltë dhe asgjë tjetër. Ai është një autor i letërsisë shqiptare në kohën e diktaturës komuniste, një nonkonformist për nga stili e estetika dhe për nga përmbajtja e veprës së tij, një shkrimtar jashtë kornizave të letërsisë zyrtare të kohës, por jo jashtë kornizave të letërsisë së Shqipërisë.

Në vitin e fundit të jetës, më 1992-shin, ai tha në një mesazh për shqiptarët se “unë jam i jueji dhe ju jeni të mijt”. Ka ardhur koha që të mendohet në Shqipëri se “Martin Camaj është yni”.

Nga Hans-Joachim Lanksch

Related Articles

Nje koment

  1. Me duket so problematike dytesore. Problemi kyc eshte se ne pergjithsi mesusit tane te letersise s`arrijne ta koncptojne Cmajn si psiko -letrar ne komponentetn e pergjithshme te psikikes sone si komb. E shohin hermetizmin e tij si porte e mbyllur dhe kjo vjen nga kultura e paket qe kane per te gjitha rrymat moderne ne prgjithsi dhe  ato letrare ne vecanti. Camaj eshte po aq shqiptar ne mendesi sa dhe Agolli apo Frasheri ,megjithate ai ngelet i “veshtire” kur ne fakt nuk eshte i tille S`ka faj Camaj se eshte i talntuar dhe i madh. Faj kemi ne qe s`shkojme dot tek ai

     

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button