Home / Arte / Prej dëshirës dhe frikës

Prej dëshirës dhe frikës

Dy artistë bashkëkohorë finlandezë, Noora Geagea dhe EGS, sjellin sot në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën “Five”. Një udhëtim përmes Tiranës, frymëzuar nga romani i njohur i Italo Calvino-s, “Qytetet e padukshme”

“Qytetet janë si ëndrrat, krijuar prej dëshirave dhe frikës, ku edhe nëse filli i bisedës së tyre është sekret, rregullat e tyre janë absurde, perspektivat e tyre të mashtrojnë, dhe gjithçka mbulon diçka tjetër.” Italo Calvino i përshkruan kështu qytetet që krijoi në imagjinatën e tij, në librin “Qytetet e padukshme”. Për gazetarin dhe shkrimtarin italian, një nga figurat e rëndësishme të shekullit XX, çdo qytet ishte si të njihje një grua. Ai u vuri emra femrash qyteteve të tij imagjinare, duke e bërë shtegtimin në to të ndier dhe dëshirues. Noora Geagea, artiste e re bashkëkohore finlandeze, e ka lexuar disa herë librin e Calvino-s, aq sa e tërhequr nga përshkrimet që ai u bën qyteteve, ka nisur rrugëtimin për t’i gjetur këto qytete në jetën reale. Ashtu si Calvino mendonte se çdo qytet është një grua, Noora i sheh qytetet si qenie që frymojnë. Për të, qytetet kanë karakter, personalitetin e tyre, dhe shërbejnë si një pasqyrë e vetë botëve tona. Vetëm pak kohë më parë, sapo mbërriti në Tiranë, ajo e ndjeu se ky qytet do ta përfshinte jo vetëm me strukturën e tij, por dhe botën tjetër, atë ku ndërthuret historia dhe e tashmja, misteri dhe e padukshmja. Një qytet që e frymëzonte me çdo rrugë apo çdo njeri që takonte bashkë me miqtë e saj. Sot, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Noora Geagea do të hapë një ekspozitë bazuar mbi qytetet, është prodhuar tërësisht në Tiranë. Punët e saj do të shoqërohen nga punët e një artisti tjetër finlandez EGS, i cili hulumton mbi hartat e botës. Ekspozita e quajtur “Five” do të qëndrojë e hapur deri më 22 korrik, dhe është një vështrim mbi artin bashkëkohor sot.

Nëpërmjet punëve të saj në fotografi dhe video Noora Geagea kërkon të trajtojë çështje si udhëtimi e dokumentimi i realitetit, si dhe të zbulojë se sa është në gjendje të prodhojë “portrete” të besueshme qytetesh të tjera nisur vetëm nga “portreti” i Tiranës. Në punën e saj për këtë ekspozitë ajo përpiqet të kapë pesë portrete krejtësisht të ndryshme karakteresh, atmosferash e hapësirash të pesë qyteteve imagjinare, nga të cilat është magjepsur dhe frymëzuar. Duke pasur parasysh natyrën tërheqëse dhe të shtresëzuar të qytetit, puna e saj është një homazh për qytetet si krijesa të kujtimeve, ëndrrave, frikës dhe historive të bukura – ashtu si jemi vetë të gjithë ne. EGS është një tjetër emër i njohur i artit bashkëkohor finlandez. I tërhequr nga hartat e botës, ai kërkon të rigjejë në to gjurmët që bëjnë bashkë sot vendet. Duke transformuar dhe riformatuar topografinë deri në atë pikë sa të shkruajë emrin e tij (që i abstraktuar mezi dallohet), hartat e EGS ilustrojnë stilin e tij të paimitueshëm kirografik në gjininë e grafitit, si dhe aftësinë e tij për të shkatërruar dhe ripropozuar grafikën e shkronjës në mënyra dhe kompozime të pafundme.

Duke përdorur të argjendtën dhe të zezën si ngjyra të preferuara për të shkruar grafitin (jo vetëm ngaqë shkronjat të dallohen më qartë, por sepse “këto ngjyra nuk mund të fiksohen, ose të kamuflohen me ngjyra të tjera”) – përdorimi nga EGS i bojës së zezë indiane në punët artistike i lidh edhe më fort këto dy praktika me njëra–tjetrën, duke e detyruar vizitorin të shikojë qartësisht pastërtinë dhe kompleksitetin e imazheve të tij në grafite. Për më tepër, duke përdorur në vend të penelit për të pikturuar një shiringë, EGS tregon njëkohësisht si rolin prej arti të margjinalizuar të gjinisë së grafitit, ashtu edhe mjediset ‘prapa skene’ ku ky art shpesh krijohet: në rrugica, lagje të varfra dhe djerrina e landfille të mbushura me objekte të hedhura. Nga ana tjetër, hartat e EGS janë jo vetëm një version i abstraktuar i hartës së botës; ato luajnë edhe me idenë e europianëve si pushtues kontinentesh të “reja”, të cilat i ndajnë me laps e vizore, duke krijuar me çdo të rënë të lapsit vende e konflikte që kurrë nuk kanë ekzistuar më parë. Hartat e EGS tregojnë edhe fuqinë e bojës për të ndryshuar ambientin rrethues, si dhe aftësinë e pikturimit për të ndryshuar thellësisht mënyrën se si ne e kuptojmë hapësirën.

Leave a Reply

%d bloggers like this: