Home / Kryeartikull / Ku ka më shumë korrupsion, në Korenë e Veriut apo në Shqipëri?

Ku ka më shumë korrupsion, në Korenë e Veriut apo në Shqipëri?

Nga Mustafa Nano

Dje, në versionin online të së përditshmes britanike The Independent, duke iu referuar një lajmi të vjetër lidhur me indeksin e korrupsionit në botë për vitin 2014, flitnin edhe për korrupsionin në Korenë e Veriut.

Kishin gjetur si sebep faktin që në këtë vend aziatik u zhvilluan të dielën zgjedhjet për pushtetin lokal (pjesëmarrja në votime, dhe votimi në favor të kandidatit të vetëm të shënuar në fletën e votimit, ishte në masën 99,97%), dhe i ishin rikthyer tabelës së organizatës Transparency International, nga ku del se Koreja e Veriut është vendi më i korruptuar në botë, në të njëjtin nivel me Somalinë. Shqipëria, sipas kësaj tabele, del ashtu si edhe në vitet e mëparshme, si vendi më i korruptuar në Europë. Lë pas veç Kosovën. Korenë e Veriut po se po.

Por, siç e thashë, ky është një lajm i vjetër, për të cilin publiku shqiptar me siguri është informuar në kohën e duhur. Nuk ishte kjo që të bënte përshtypje. Të bënte përshtypje fakti që Transparency International, mbi bazën e metodikës e të kritereve të veta, e nxirrte Korenë e Veriut si vendin më të korruptuar të botës. Tani, nuk ka dyshim që Transparency International është burimi më i besueshëm në botën e sotme kur vjen puna te matja e nivelit të korrupsionit në vende të ndryshme, por nuk merret vesh se si ia ka bërë për ta matur korrupsionin në Korenë e Kim Jong-un-it. Ky i fundit është një vend tërësisht i mbyllur, shí siç ka qenë Shqipëria e Enver Hoxhës. Madje, mund të thuhet pa frikë se, nëse ka në kohët e sotme një vend të ngjashëm me Shqipërinë komuniste, ky vend është Koreja e Veriut. Klima e terrorit, votimi i detyrueshëm, varfëria e prapambetja, kulti i diktatorit, prepotenca e vetëpëlqimi i këtij të fundit (Kim Jong-un-it “i shkon ca më shumë” kjo prepotencë, ngaqë ka në dorë dhe bombën bërthamore), izolimi total i vendit, trushpëlarja e njerëzve, etj., etj., e bëjnë regjimin e Pjong-Jangut të ngjajë me një kopje të regjimit të Tiranës para viteve ’90. E prandaj, një shqiptar duket se ka kredencialet e duhura për ta thënë një fjalë edhe për të dhënën që del nga indeksi i korrupsionit të vitit 2014. Ka gjasa që Koreja e Veriut të jetë vendi më i korruptuar i botës?

Nuk duket. Gjasat janë që kjo të jetë një mufkë e organizatës “Transparency International”. Diktaturat janë ato që janë, janë që ç’ke me të edhe regjime të korruptuara, ngaqë ato rëndom ngrihen mbi demagogjinë, mashtrimin, rrenën, hipokrizinë, shkurt mbi korruptimin e një ideje apo ideologjie që në letër mund të jetë e lezetshme; e në këtë kuptim, Koreja e Veriut është njimend regjimi më i korruptuar në botë. Mirëpo, nuk është kjo logjika e organizatës Transparency International; kjo e fundit nuk është Hannah Arendt apo Isaiah Berlin. Kjo organizatë nuk e mat korrupsionin mbi bazën e arsyetimeve apo të kritereve të natyrës etiko-politike; përkundrazi, bën vlerësime empirike e statistikore të korrupsionit të shtrirë e të përhapur në të gjitha strukturat e institucionet e shtetit, e jo vetëm në majë të pushtetit. Me fjalë të tjera, Transparency International mat e vlerëson korrupsionin e kuptuar si “përdorim i përgjegjësive e funksioneve publike për qëllime e interesa personale”, apo si “abuzim me pushtetin për qëllime përfitimi nga ana e atyre që pushtetin e kanë marrë, apo që pushteti u është dhënë, me qëllim që të bëjnë të mira publike”.

Në gazetën The Independent binin dakord me këtë përfundim të organizatës së njohur, që ndryshe njihet me emrin “Koalicioni global në luftën kundër korrupsionit”. Për më tepër, e ilustronin këtë me situata korruptive, në të cilat ka qenë e është zhytur elita sunduese në këtë vend. Përmendeshin djathi, cigaret e verërat e shtrenjta që ata blejnë në Perëndim për konsum privat, apo – në një rast – 12 lepuj të shëndetshëm që i ati i diktatorit lunatik Kim Jong-un i kish blerë në Gjermani me idenë për të ndërtuar një linjë të prodhimit të mishit të lepurit në Kore e që kishin përfunduar në pjatat e atyre që ai kish ftuar në festën e datëlindjes së vet.

Kjo është një pesë me hiç. E vërteta është se banda politike koreanoveriore është më e korruptuar se sa kaq, siç ishte dhe nomenklatura sunduese gjatë komunizmit në Shqipëri. Atje ka një klikë që jeton mes luksit, mirëpo çfarë e bën kriminal këtë fakt a këtë sjellje nuk janë përmasat e korrupsionit, por fakti që koreanoveriorët e thjeshtë jetojnë mes një skamjeje të papërfytyrueshme në botën e sotme.

Regjimet totalitare, sidomos diktatura si kjo koreanoveriorja, dallohen për shtrirjen e shpërndarjen e varfërisë, e jo të korrupsionit. Për të qenë fare konkretë, në nivelet e poshtme të pushtetit gjatë regjimit tonë komunist syri të shihte lloj-lloj kokoroçësh që kapardiseshin e mbaheshin me të madh për shkak të statusit, por nuk mund të thuhej se ata ishin të korruptuar apo se ata jetonin mes luksit. Përkundrazi, ata ishin të terrorizuar nga ideja e abuzimit të pushtetit, pasi tehu i kosës trillane të diktaturës kapte më kollaj kokat e atyre që përfliteshin për ndonjë bëmë korruptive apo për ndonjë jetë shkapërdare. Klika e Tiranës jetonte mirë vetë, por nuk lejonte që privilegjet e saj të shtriheshin në nivelet e poshtme të pushtetit. Tek e fundit, klika jetonte mes luksit, por ajo nuk reshte së propaganduari një standard të caktuar etik në përdorimin e pushtetit. Dhe e vërteta është se anëtarët e nomenklaturës komuniste, duke përjashtuar Bllokun apo ata që ishin të lidhur me Bllokun, jetonin pothuaj si të tjerët. Nuk ishte korrupsioni karakteristika dalluese e diktaturës, ku ne kemi jetuar. Korrupsioni ka qenë më i fundit ndër problemet e atyre moteve (krahasoni në këtë drejtim Enver Hoxhën e Co. me ata që e kanë udhëhequr Shqipërinë pas rënies së komunizmit; çfarë ju rezulton?). Kam frikë se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për regjimin e sotëm koreanoverior, s’ka gjë se Kim Jog-Un është më vanitoz e më hedonist se sa Enver Hoxha.

Puna pra nuk është që klika sunduese koreanoveriore është e korruptuar. Puna është që kjo klikë e ka ngritur pushtetin e vet të frikshëm mbi mizoritë, vrasjet e terrorin, puna është që kjo klikë është e mbrojtur prej mureve të imunitetit e impunitetit që ajo ka ngritur për vete, për çdo zullum e krim që asaj ia ka qejfi ta kryejë. E prandaj, nuk kuptohet kjo tendencë naive e një organizate si Transparency International apo e një gazete si The Independent për të parë kotmëkot me lente zmadhuese nuanca të errëta te një sfond katran i zi, siç është regjimi koreanoverior.

Leave a Reply

%d bloggers like this: