Maqedonia

Prokuroria e ka bisedën e Ali Ahmetit me komandant Malishevën

Prokuroria publike e Maqedonisë ende nuk jep asnjë detal për hetimet lidhur me rastin e Kumanovës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 70 ditë nga aksioni i 9 dhe 10 majit, të dhënat lidhu me këtë ngjarje ende mbahen “top sekret” shkruan gazeta “Utrinski Vesnik”.

Burime anonime nga prokuroria thonë për “Lajmpress” se në mesin e materialeve që posedon prokuroria është edhe biseda e përgjuar e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti me Muhamet Krasniqin i njohur si Komandant Malisheva, që është zhvilluar ditën kur ka filluar aksioni.

Megjithatë nga prokuroria ende nuk tregojnë nëse kjo bisedë do të shfrytëzohet gjatë procesit gjyqësor kundër të arrestuarëve, prandaj janë të vogla gjasat që përmbajtja e saj të publikohet në opinion. Ekzistimin e kësaj bisede e ka konfirmuar edhe vetë Ahmeti, mirëpo në opinion janë paraqitur versione të ndryshme për përmbajtjen e kësaj bisedë.

Nëse e ka folur të vërtetën Sulejman Osmani, i arratisuri nga policia pas rastit të Kumanovës, biseda e Ahmetit përmban elemente tradhtie, sepse ai gjoja u ka premtuar pjesëtarëve të grupit të armatosur se nëse dorëzohen do të priten nga ekipe të OSBE-së, e jo nga policia maqedonase. Ahmeti nga ana tjetër, ka thënë se në këtë bisedë pjesëtarët e grupit të armatosur kanë kërkuar ndihmën e tij.

Ndryshe të arrestuarit në aksionin e Kumanovës ende mbahen në paraburgim, kurse procesi gjyqësor kundër tyre ende nuk ka filluar. Jozyrtarisht, për rastin e Kumanovës janë ngritur padi kundër 33 personave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button