Home / Arte / Muzike / Fanfara Tirana, sukses në dy festivale në Gjermani

Fanfara Tirana, sukses në dy festivale në Gjermani

Shtypi gjerman: Melankolia e polifonisë dhe kabasë së Jugut, nën vokalin drithërues të Hysni Zelës

“Zëvendësim? E kush do të donte ta përdorte këtë fjalë me konotacion negativ, pasi ka ndjekur i habitur performancën e Fanfara Tirana…Një shumëllojshmëri ritmike, tekste interesante të stilit të Linton Kwesi Johnson. Hysni Zela i “jep zërin e së shkuarës” duke e ndërthurur me artin e këngës tradicionale shqiptare, duke vepruar me finesë dhe dinamikë të pabesueshme…”. Kështu shkruan gazeta gjermane “Rhein Zeitung”, për performancën e Fanfara Tirana në Horizonte Festival Koblenz dhe në Shtutgart, nga data 18-19 korrik, ku morën pjesë mbi 10 mijë spektatorë. Grupi shqiptar arriti të marrë vëmendjen e shtypit gjerman dhe duartrokitjet entuziaste të të pranishmëve. Fanfara Tirana është grupi i vetëm shqiptar që ka arritur jo vetëm të eksportojë artin shqiptar në botë, por edhe të arrijë një famë dhe sukses ndërkombëtar. Muzika e tyre që merr frymëzim në folklor dhe sidomos në muzikën urbane shqiptare dhe e riarranxhuar për instrumente frymore bandistike është një miks i mirëdozuar arti dhe show, folklori dhe xhazi me elemente funky, reggae … që ka ngritur peshë publikun e qindra festivaleve ndërkombëtare. Një eksplozion gëzimi dhe hareje e alternuar me melankolinë e polifonisë, apo të kabasë së Jugut, në vokalin drithërues të ikonës folklorike shqiptare, Hysni Zela. Gazeta “Stuttgarter-Zeitung” shkruante pas performancës së tyre se “një klarinetë e vetmuar përhumbet, tingujt e tastierës e mbërthejnë pastaj tingulli përpunohet nga perkusioni indian Dhol dhe një bateri e keqtrajtuar me ritme maniake. Shumë shpejt prej këtyre tingujve del koncepti fenomenal i etno-elektronistëve londinezë të Transglobal Underground me veglat frymore Fanfara Tirana në Inferno-n e strukturuar me hollësi. Fuqia e këngës karaibike Dance hall dhe malli i melodive shqiptare ndërveprojnë bashkë në ndjesi aq intensive, siç mund të dhurojë Saksofoni dhe kompjuteri”. “Stuttgarter-Zeitung” shkruan se ky interpretim të njeh me Shqipërinë, për të cilën shumë njerëz nuk dinë shumë. “Shqipëria është një vend fantastik për të udhëtuar. Ka plazhe, male dhe banorë shumë të këndshëm dhe miqësorë. Publiku do të shohë në skenë muzikantë mbresëlënës shqiptarë, me të cilët punohet shumë mirë. Do të përjetoni gjatë një ore e gjysmë një bashkëpunim të vërtetë mes instrumentistëve shqiptarë të veglave frymore, muzikës elektronike dhe Transglobal Underground”, shkruan kjo gazetë. Fanfara Tirana do të sjellë në vazhdën e produksioneve të ardhshme Festivalin e ardhshëm Kaba 2.0 një projekt që është në fazën e tij embrionale dhe laboratorike.

Leave a Reply

%d bloggers like this: