Keshilla

Mos e kërkoni perfeksionin me çdo kusht!

Të qenët të parët në të gjitha fushat, është një tipar i spikatur i kohës sonë. Por, a nuk është e rastit që të mësohemi me pranimin e faktit se shpesh nuk jemi perfektë?

Në një shoqëri si kjo, moderne, e dominuar nga kulti i performancës, kërkesat e shumta dhe të vazhdueshme ndaj vetes janë kthyer në normë. Humbjet që mund t’i kalojmë në jetën e përditshme e që shpesh janë një burim i madh vuajtjesh, na dënojnë për një frustrim të vazhdueshëm. A nuk është e rastit që të mësohemi me pranimin e faktit se nuk jemi perfektë? Obligimi i të qenët të parët në të gjitha fushat është tipari i spikatur i kohës sonë.

Në zyrë, me fëmijët, në shtrat … ankthi i performancës së lartë na “mbërthen” në të gjitha veprimet: ai të detyron madje të blesh sapunin dhe kremin më efektiv! Kulti i performancës na bën perfeksionistë të përkushtuar ndaj konkurrencës dhe të destinuar për të duruar gjithnjë e më shumë lumturinë e paarritshme. Në të vërtetë përpjekja për t’u bërë prindi më i mirë, i dashuri më i mirë ose punëtori më i mirë, vjen për shkak të frustracioneve të shumta.

Në librin “La felicità in tasca. L’arte di vivere bene senza essere perfetti”, Tal Ben-Shahar, docenti i psikologjisë pozitive, shkruan se “mosvazhdimi i ndjekjes së perfeksionit ndihmon në pranimin e asaj që jeta na ofron, për të marrë më të mirën prej saj”.

Identikiti i perfeksionistit

Çfarëdo gjëje që njeriu bën, pyet nëse ka bërë mjaftueshëm. “Perfeksionisti kërkon gjithmonë të jetë më i miri dhe të tregohet si më i besuari. Nuk kanë rëndësi mjetet apo ajo se çfarë ndien, e vetmja gjë e cila ka rëndësi është rezultati”, konfirmon filozofi Fabrice Midal, i cili ka mbështetur publikimin e librave të Tal Ben-Shahar.

Perfeksionisti refuzon gjithçka që devijohet nga vizioni i tij i idealizuar, nga ku janë të përjashtuara gabimet, dështimet e vogla dhe dobësitë. Tendenca e tij për të kontrolluar gjithçka gjeneron tek ai një ndjenjë të plotfuqishme, e cila është në fakt një iluzion. Sa herë që ai nuk arrin maksimumin e pritjeve vuan shumë, por gjithsesi nuk e pranon realitetin.

Rreziqet e perfeksionit me çdo kusht

Vendosja e objektivave praktikisht bën të pamundur arritjen e lumturisë. “Kjo sjellje mund të na bëjë shumë të palumtur”, thotë Tal Ben-Shahar në librin e tij.

Problemi është se perfeksionisti nuk merr asnjë kënaqësi nga arritjet e veta. Sapo arrin objektivat, “njofton” menjëherë nevojën për të përballuar një sfidë të re, “duke grumbulluar një pakënaqësi kronike dhe një ndjenjë frustrimi të vazhdueshëm”, shton Fabrice Midal.

Nga ana tjetër, fakti i të jetuarit në një botë imagjinare, në të cilën mendimet e dhembshme nuk ekzistojnë, e çon perfeksionistin në mohimin e realitetit, me pasoja të rënda të tilla si ndjenja e vazhdueshme e ankthit.

Frika e dështimit është një kërcënim konstant, e ngjashme me hijen e tij, e cila është e pamundur për t’u larguar. Në disa raste, pas një dështimi, ndiejmë se duhet të kontrollojmë gjithë botën tonë.

Mësohuni të jeni jo perfektë

Dëshira për t’u përmirësuar bën pjesë në natyrën njerëzore; shpeshherë ajo është e dobishme, por nëse insistohet shumë është më e dëmshme sesa e dobishme.

“Mënyra me të cilën projektojmë në realitet dëshirën tonë të perfeksionit na bën të verbër; është e nevojshme të punohet shumë mbi vetveten për të larguar besime të kota”, insiston Fabrice Midal, duke iu referuar Tal Ben-Shahar dhe psikologjisë pozitive.

Në vend që të tregoheni perfektë me çdo kusht, është e nevojshme të përpiqeni për të mirën e mundshme dhe të pranoni limitet. Në një vizion të botës së “papërsosur”, emocionet e dhembshme pranohen si pjesë e jetës. Ne jemi “gatuar” në mënyrë të tillë që, për shembull, të përjetojmë nervozizëm përpara një interviste pune dhe kjo është krejtësisht normale!

Sipas Tal Ben-Shahar, “nëse ju ndodh të dështoni në ndonjë rast, gjithsesi do ta merrni ndonjë mësim: në fund të fundit ajo që ka vërtet rëndësi është rrugëtimi që ndërmerret, më shumë sesa destinacioni i arritur apo rezultati”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button