Home / Politika / Dekretohet ambasadori i bllokuar, Nishani firmos edhe për diplomatin shqiptar në Izrael

Dekretohet ambasadori i bllokuar, Nishani firmos edhe për diplomatin shqiptar në Izrael

Presidenti tërhiqet nga bllokimi i emërimit të ambasadorëve. Të paktën i tillë duket dekreti i tij i radhës, që i dha miratimin emrit të Bardhyl Canajt si përfaqësuesi ynë diplomatik në Izrael.

Top Channel ka siguruar dekretin me firmën e kreut të shtetit, për emrin e propozuar nga qeveria si diplomat.

Bardhyl Canaj nuk do të tërhiqte asnjë vëmendje nëse nuk do të ishte një nga tre emrat e propozuar njëkohësisht nga qeveria për ambasador, së bashku me Visar Zhitin si i propozuari i qeverisë në Vatikan dhe Fatos Rekës në Maqedoni.

Për të tre këta emra, presidenti pati deklaruar se nuk do t’i dekretonte për shkak të mungesës se konsultimit me të të ministrit të Jashtëm.

Por, vetëm pak nga zotimi i presidentit për të bllokuar këtë proces deri kur qeveria të konsultohej me të, Bujar Nishani dekretoi si ambasador në Shkup Fatos Reken.

Dekreti i tij u firmos vetëm dy ditë pas ngjarjeve në Kumanovë, çka i linte mundësi kreut të shtetit të argumentonte me nevojën urgjente të përfaqësimit tonë me ambasador në Shkup. Por tani dekreti për emrin e Bardhyl Canajt mbetet më i pashpjegueshëm.

Kjo lëvizje e kreut të shtetit përmban dy mundësi: ose ai është tërhequr nga kërkesa që dikur e pati quajtur detyrim kushtetues të qeverisë për konsultim me të, ose përforcon qëndrimin e qeverisë se vetoja e presidentit për të bllokuar ambasadorët kishte si shkak vetëm emrin e Visar Zhitit, për të cilin kreu i shtetit u tregua deri në fund këmbëngulës për të mos e dekretuar.

Kjo duket të jetë gjasa më e madhe, sesa zbutja e qasjes së presidentit ndaj qeverisë për çështjen e emërimit të ambasadorëve nëse do të sillet në vëmendje se dy prej propozimeve të Ministrisë së Jashtme për lirim nga detyra, ai për ambasadorin tonë në Londër dhe ai në Romë, prej më shumë se një viti nuk janë pranuar nga presidenti.

Leave a Reply

%d bloggers like this: