Ekonomia

BSH rregullore për rritjen e transparencës së shërbimeve bankare ndaj klientëve

Banka e Shqipërisë (BSH) detyron bankat e nivelit të dytë që t’u tregojnë klientëve të gjitha kostot dhe detyrimet që lindin nga marrja e një kredie. Këto norma janë vendosur me rregulloren e re “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore”, që hyn në fuqi me 1 gusht 2015. Qëllimi është mbrojtja e konsumatorëve, sidomos nga “kostot e fshehura”. Subjekte të rregullores janë bankat, degët e bankave të huaja, të cilat ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Shqipëri, si dhe subjektet financiare jobanka.

Banka duhet t’i paraqesë konsumatorit formularin standard të hartuar nga BSH me informacion të plotë, përpara nënshkrimit të kontratës së kredisë. Klienti duhet të ketë njohuri të plota lidhur me këtë transaksion, si dhe të ketë mundësi të zgjedhë ofertën më të favorshme në treg. Informacioni parakontraktor, sipas rregullores, përfshin: llojin e kredisë; vlerën totale ose kufirin e kredisë në rastin e overdraftit ose kartës së kreditit; kushtet për livrimin dhe tërheqjen e kredisë; kohëzgjatjen e kontratës; normën efektive të interesit; periudhat, kushtet dhe procedurat për ndryshimin e saj; vlerën e këstit, numrin e kësteve dhe periodicitetin e shlyerjeve, si dhe një plan të shlyerjes së kredisë, duke përfshirë totalin e detyrimit për të gjithë kredinë. Banka duhet t’i tregojë klientit mënyrën e njoftimit, si dhe mënyrën e marrjes së pëlqimit të konsumatorit në rastin e ndryshimeve të kushteve, të cilat sjellin pasoja në bazë të kontratës.

Gjithashtu, me shumë rëndësi për t’u ditur nga klienti janë: kostoja e mbajtjes së një llogarie për kryerjen e transaksioneve të livrimit të kredisë dhe të pagesave, kosto e përdorimit të një karte apo mjet tjetër pagese për transaksionet e livrimit të kredisë dhe të pagesave, kosto të tjera lidhur me transaksionet e pagesave; çdo kosto shtesë që është e detyrueshme për përfitimin e kredisë (shumë banka aplikojnë komisione për disbursimin e kredisë). Gjithashtu, klienti duhet të njihet me garancitë dhe kontratat e sigurimit të kërkuara. Në përgjithësi, bankat e zgjedhin vetë siguruesin dhe klienti bie pre e çmimeve të kripura. Sipas rregullores, klienti ka të drejtë të tërhiqet nga kontrata dhe për këtë duhet informuar.

Klienti duhet të njihet me: ekzistencën e së drejtës së tërheqjes nga kontrata, periudhën gjatë së cilës mund të ushtrohet kjo e drejtë dhe procedurat për ushtrimin e kësaj të drejte; të drejtën për të shlyer para afatit, si dhe kostot që rrjedhin nga kjo, duke treguar vlerën dhe metodën e llogaritjes; kamatëvonesat në rastin e pagesave që kryhen pasi u ka kaluar afati, siç janë të zbatueshme në kohën kur jepet ky informacion, si dhe penalitetet në rast të mosrespektimit të kushteve ose afateve të tjera të kontratës; detyrimin për konsumatorin, në rastin kur në kontratën e kredisë kufi (overdraftit) parashikohet që kredia të shlyhet në çdo kohë me kërkesën e bankës, me një këst të vetëm, nëse është e aplikueshme. Banka i sugjeron konsumatorit llojin, vlerën dhe monedhën më të përshtatshme të kredisë, ndërmjet kredive që ajo ofron, duke marrë parasysh gjendjen financiare dhe aftësinë paguese të konsumatorit, avantazhet dhe dizavantazhet që shoqërojnë produktin e propozuar dhe qëllimin e kredisë, sipas përcaktimeve në rregulloret dhe procedurat e brendshme të bankës. Banka, sipas rregullores së re, duhet të mbajë një kopje të informacionit parakontraktor të nënshkruar nga konsumatori në dosjen e kredimarrësit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button