Ekspozita

Art kundër krizës

Një ekspozitë e videoartit sllovak sjell 12 artistë në Galerinë Kombëtare të Arteve

Ekspozita e ideuar nga “White House Biennial”, një lëvizje që lindi më 2010-n si protestë ndaj krizës financiare në Greqi

Arti u ka paraprirë gjithnjë zhvillimeve shoqërore, ashtu siç ka reaguar fort për daljen nga situata që kanë prodhuar kriza. Kur gati pesë vite më parë, Greqia dha shenjat e para të një regresi ekonomik, “White House Biennial” lindi si një reagim artistik krah dhjetëra demonstratave dhe protestave të ashpra kundër periudhës së vazhdueshme të krizës së thellë financiare dhe etike, mes të cilave po kalon vendi ku ka lindur demokracia. Gjatë këtyre viteve, kjo lëvizje artistike ka prodhuar ekspozita dhe situata që kanë prodhuar debate mbi artin. Më 30 korrik, “White House Biennial” sjell në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën “Strategji dhe taktika”, një ekspozitë e videoartit sllovak. Brenda kuadrit konceptual të edicionit aktual, Sprova për Demokraci, “White House Biennial” do të prezantojë në Galerinë Kombëtare të Arteve një program shumështresësh ndërkombëtar të ndarë në dy ekspozita. “Strategji dhe taktika” është ekspozita e parë, e cila fokusohet në videoartin bashkëkohor sllovak, kuruar nga Lýdia Pribišová. Artistët që do të marrin pjesë janë: Anton Čierny, Pavlína Fichta Čierna, Iva Durkáčová, Oto Hudec, Martin Kochan, Daniela Krajčová, Tamara Moyzes, Ilona Németh, Lucia Nimcová, Tomáš Rafa, Shlomi Yaffe dhe Anabela Žigová. “Mund të thuhet se artistët sot janë kthyer në ekspertë në konceptimin e alternativave të reja dhe gjetjen e mënyrave të pazakonta, krijuese, për të mbijetuar. Shoqëria jonë neoliberale, bazuar në dinamikën e kapitalit, zor se e njeh vlerën simbolike të “pakapshme” të artit, duke i detyruar artistët ose të bëhen aleatë me tregun ose të zënë një pozitë periferike në shoqëri, e cila nuk i lejon ata të jetojnë nëpërmjet profesionit të tyre, artit. Pikërisht kjo situatë i detyron artistët për të ideuar dhe zhvilluar struktura të reja ekzistence dhe kjo temë shfaqet në punën e shumë artistëve, në një gamë të gjerë formash. Nëpërmjet mënyrash krijuese dhe taktikash të ndryshme ata kërkojnë të gjejnë rrugën e tyre në shoqëri”, thotë kuratorja Pribišová. Sipas saj, në veprat e tyre ata shpesh mbështeten dhe tematizojnë taktikat e mbijetesës të minoriteteve në shoqëri dhe njerëzve të pafuqishëm, të tillë si emigrantët, romët, të persekutuarit nga regjimet totalitare, e kështu me radhë. Tema kryesore e ekspozitës, një përzgjedhje e videoartit bashkëkohor sllovak, është bazuar në kundërvënien mes strategjisë dhe taktikës. Dallimet mes tyre janë propozuar nga filozofi francez Michel de Certeau në librin e tij “Praktika e jetës së përditshme” (1984). “Strategjia, në terminologjinë ushtarake, është fusha e superioritetit të arritur dhe e influencës që tashmë është afirmuar pjesërisht; ajo është programi i udhëheqjes së bashkësisë drejt pushtimeve të mëdha; është plani afatgjatë i atyre që kanë kohë dhe njohuri të përgjithshme për të krijuar një formulim teorik. Strategjia është identifikimi i fushatave kyçe që janë të nevojshme për të përmbushur objektivin kryesor. Strategji do të thotë kontroll (i një qyteti, një institucioni etj.). Sipas De Certeau, zhvillimi i strategjisë evidenton kompetencat dhe fuqinë e pushtetit. Ushtrimi i strategjisë është i lidhur me një vend që mund të përkufizohet si i mirëqenë dhe në këtë mënyrë shërben si një bazë për gjenerimin e marrëdhënieve me subjekte të jashtme. De Certeau argumenton se taktikat janë e kundërta e strategjisë. Taktikat i përkasin tjetrit. Pra, ngaqë përdoruesi i taktikave nuk ka një bazë, taktikat varen nga koha. Kjo do të thotë fleksibilitet, kombinim i elementeve heterogjenë”, thotë Pribišová. Artistët në këtë ekspozitë përdorin taktika të shpikura prej tyre për të zbuluar dhe evidentuar strategjitë e shoqërisë në përgjithësi dhe në veçanti strategjitë e saj utilitare. Kundërveprimet e artistëve tregojnë ndjeshmëri, humor dhe fleksibilitet. Nëpërmjet këtyre instrumenteve, strategjitë e ndryshme politike dalin të jenë boshe dhe vetëreferuese. “Për shkak se kontrolli i strategjisë nuk është kurrë i përsosur, arti ndihmon për të gjetur këto boshllëqe në sistem”, thotë kuratorja Lýdia Pribišová.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button