Home / Arte / Teater / Një leksion për kujtimin e së keqes

Një leksion për kujtimin e së keqes

“Klasa jonë”, teatri i Izraelit u ngjit dje në skenën e Teatrit Kombëtar

Gjithçka ndodh në një klasë. Si në një orë të gjatë mësimi, aktorët izraelitë emocionuan dje gjatë interpretimit të veprës “Klasa jonë” në skenën e Teatrit Kombëtar. Vepra e përfolur në media, për shkak të dyshimeve që drejtori i teatrit “Çamëri” në Izrael Noam Samel, ngriti për sigurinë në Ballkan, është ngjitur dje në skenën shqiptare, në shenjë falënderimi për kontributin që shqiptarët kanë dhënë në mbrojtje të hebrenjve. Leksionet treguan historitë pikëlluese të jetë plot me urrejtje, vdekje dhe hakmarrje të nxënësve hebrenj dhe polakë të një shkolle të paraluftës në një qytet të vogël. Komuniteti i nxënësve ndahej dhe në të njëjtën kohë lidhej së bashku nga kujtimi i së keqes. Dukej që aktorët nuk interpretonin vetëm personazhet që kishin në këtë vepër, por dhe jetën e tyre. Pasi historia është një leksion që merret herët në familje dhe ti rritesh me të. Kjo vepër është shkruar në vitin 2008 nga dramaturgu polak Tadeusz Slobodzianek, dhe bazohet në historinë e masakrës që u bë ndaj 1600 hebrenjve më 10 korrik 1941, kur fqinjët e tyre katolikë polakë hynë në shtëpitë e tyre në fshatin Jedwabne dhe i vunë flakën. Shumë historianë dhe gazetarë kanë shkuar pas kësaj tragjedie në fshat për të marrë versionin e tyre të historisë. Janë shkruar libra dhe shkrime të ndryshme, por dramatizimi që i bëri Tadeusz Slobodzianek historisë, do të ngrinte në art të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Dhe pse brenda veprës ka shumë dhembje, Tadeusz është përpjekur të japë detaje nga raportet njerëzore, mbi historinë të shkuarën dhe të ardhmen, përmes lidhjes së dhjetë nxënësve brenda hapësirës së një klase. Vepra është ngjitur në teatro të njohur, si: Poloni, Kanada, Amerikë, Spanjë, Itali, Çeki, Japoni, Brazil, Danimarkë, Suedi dhe Hungari.

Leave a Reply

Your email address will not be published.