Home / Rajoni / Maqedonia / Mehmeti: Me ligj të ndalohet të merren me politikë disa kryesues të BDI-së

Mehmeti: Me ligj të ndalohet të merren me politikë disa kryesues të BDI-së

Lidhur me rastin e vrasjes së komandant Shqiponjës ka reaguar edhe publicisti Kim Mehmeti. Ai në profilin e tij në rrjetin social shkruan se ai që ua dëshiron të mirën shqiptarëve të Maqedonisë duhet të çohet në këmbë e të kërkojë që me ligj, t’u ndalohet të merren me politikë disa kryesuesve të tanishëm të BDI-së!

 Statusi i plotë: 

“Vazhdon thellimi i tragjedisë dhe mjerimit politikë të shqiptarëve të Maqedonisë: Sërish u përgjak Kumanova – u vra një ish komandat i UÇK-së dhe u plagosën rëndë dy të tjerë! I dyshuar për vrasjen është drejtuesi i përkohshëm i degës së BDI-së në këtë qytet, pra i zgjedhuri i Kryetarit aktual të kësaj partie! Duhet thënë: edhe më parë shqiptarët e këtushëm janë rrahur, janë plagosur, e madje edhe janë vrarë mes veti gjatë zgjedhjeve, por askush nuk e besonte se do shkohet edhe më tej – që për interesa personale të drejtuesve partiak, do vriten edhe pjesëtarë të së njëjtës parti!

Dhe mbase kjo ndodhi shkaku se ne nuk u besuam me kohë atyre që pas konfliktit të 2001, na thoshin të kemi kujdes kur i përkrahim disa leninistë e enveristë të kthyer nga Zvicra, ngaqë kur ata do e shijojnë pushtetin, ne do e shohim dorën që na vret, por jo edhe atë të atij që e bënë listën e viktimave! Si do që të jetë, ka ardhur koha kur duhet thënë hapur: jemi në duart e atyre që le se kurrë nuk i kap ‘gjaku’, por të cilët sa më thellë zhyten në mëkate, aq më të rrezikshëm bëhen!

E kam thënë vite më parë: ai që ia do të keqen BDI-së, duhet t’i mbështetë drejtuesit e tanishëm të saj! Ndërkaq ai që ua donë të mirën shqiptarëve të Maqedonisë, duhet të çohet në këmbë e të kërkojë që me ligj, t’u ndalohet të merren me politikë disa kryesuesve të tanishëm të BDI-së! Përndryshe mbetet të mbështetemi te thënie se djallit duhet vetëm lëshuar litarin, ngaqë herdo-kurdo, ai vetë do vare në të! Apo në urtësinë: kush ua pret kokat kundërshtarëve të vet politik, ka vetëm një përparësi – paraprakisht e sheh trungun ku një ditë do rrokulliset edhe koka e tij!”, shkruan Kim Mehmeti në Facebook.

One comment

  1. A je tranue,në kohën e fundit komentet e juaja janë pa SHIJE,pse e pyes vetvehten?

Leave a Reply

Your email address will not be published.