EkonomiaPolitika

Unaza energjetike e Jugut, Rama: Eliminon të gjitha problemet e bregdetit

Ndërprerjet e energjisë elektrike, që nuk kanë munguar edhe këtë sezon turistik, nuk do të jenë më të pranishme në vijën bregdetare të Jugut.

Të paktën kjo është pritshmëria e qeverisë, për një nga investimet më të rëndësishme në fuqizimin e transmetimit Babicë-Sarandë, 109 kilometra, pjesë e “Unazës energjetike të Jugut” 110 kV.

Investimi prej 110 milionë eurosh, që përbën të parin në këtë segment, në plot 4 dekada pas elektrifikimit, parashikon zëvendësimin e rrjetit tërësisht të amortizuar, si dhe rritjen e cilësisë së furnizimit.

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në këtë segment dhe është informuar nga ministri i linjës dhe drejtori i OST-së për ecurinë e punimeve, sikundër ka parë nga afër demostrimin për herë të parë të metodës së re të transportimit të fibrave, përmes “drone”-it, për t’u shtrirë nga një shtyllë në tjetrën, çka deri më sot bëhej në mënyrë manuale nga vetë punëtorët.

“Përfitimi i kësaj është nëpërmjet zvogëlimit të humbjeve, por edhe duke ulur orët e mungesës së energjisë, që po t’i llogarisësh tani, kostot janë qindra herë më të larta se një energji e blerë shtrenjtë”, tha Engjell Zeqaj.

“Mendoj se brenda dy vitesh do të kemi një furnizim energjie me standarde bashkëkohore dhe nuk do të ketë më problem. Gjithë infrastruktura bazë për zhvillimin e turizmit do të jetë në dispozicion”, tha ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.

Kryeministri ka garantuar banorët e zonës se, problemi i tyre shumëvjeçar me furnizimin me energji do të marrë fund:

“Ta mbyllim këtë historinë e energjisë elektrike, sepse u tmerruat. Kjo linjë do ta mbyllë të gjithë problemin që ka i gjithë bregdeti”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Zhvillimi i investimit parashkon ndërtimin e dy nënstacioneve 110 kV në zonën e bregut të Jonit, në Orikum dhe Himarë. Unaza e Jugut, tashmë në fazën e zbatimit, përfshin linjën 110 kV Vlorë-Sarandë, Korçë-Ersekë, Përmet-Këlcyrë-Memaliaj dhe Zemblak-Korçë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button