Ekonomia

“ALBtelecom” dhe “T” përplasen për emrin

Konflikt për emrin mes dy gjigantëve të telefonisë, “ALBtelecom” dhe “Telekom Albania” (i pagëzuar para dy ditësh me emrin e ri). Në një deklaratë të bërë dje nga Drejtori i Përgjithshëm, Erkna Tabak, “‘ALBtelecom’, e njohur nga qytetarët shqiptarë edhe si ‘Albanian Telecom’, duke zotëruar edhe emërtesën zyrtare ‘Telekomi Shqiptar’, përpara privatizimit, është një kompani po aq e vjetër sa shteti shqiptar me rrënjë që zgjaten 104 vjet më parë”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kompanisë tjetër. “Telekom Albania” ka ndjekur me përpikëri të gjitha kërkesat ligjore, rregullatore dhe tregtare dhe emri i kompanisë sonë është zyrtarisht i regjistruar pranë QKR. Për ‘Telekom Albania’ është i pavend reagimi i ndonjë subjekti tjetër që pretendon zotërimin e fjalëve ‘Telekom’ dhe ‘Albania’”, deklaron “Telekom Albania”. Ndërsa kompania e telefonisë fikse “ALBtelecom” këmbëngul se “ky institucion, në të cilin shteti shqiptar edhe sot zotëron 20% të aksioneve, është kthyer në një identitet të konceptit të Telekomunikacioneve dhe Teknologjisë në Shqipëri”. Sipas “ALBtelecom”, “Përdorimi i emrit ‘Albanian Telecom’ nga kompani të tjera së bashku me të gjitha versionet e mundshme të tij dhe i cilitdo emër që në mënyrë direkte sjell në vëmendje emrin ‘Albanian Telecom’ dhe përkthimet e tij, është tërësisht i ndaluar bazuar në ligjet tregtare shqiptare në fuqi, dhe direktivat e Bashkimit Europian”. Albanian Telekom/Telekomi Shqiptar – shpjegon më tej deklarata, nuk është vetëm një emër kompanie, por gjithashtu edhe një pronë historike e shtetit shqiptar. Fakti që regjistrimi i emrit “Telekom Albania”, që ngjan identikisht me “Albanian Telecom” thjesht me një radhitje tjetër të fjalëve, është jo vetëm kundër ligjeve tregtare në fuqi, por edhe kundër kodeve të QKR-së dhe praktikave të Autoritetit të Konkurrencës. “Për arsyet më sipër, është shumë surprizuese për ‘ALBtelecom’ që të shohë përdorimin zyrtar dhe lançimin e emrit të kësaj kompanie nga një kompani tjetër. Gjithsesi, pavarësisht së më lart, ne ende besojmë se ky nuk është veprim i paramenduar, por një pikë pakujdesie brenda institucionit.

‘ALBtelecom’ është gati për të përdorur të gjitha të drejtat ligjore lidhur me këtë çështje, gjithsesi ka besim të plotë se ndryshimet përkatëse do të ndodhin dhe në këtë mënyrë nuk do të ketë nevojë për veprime ligjore”, paralajmëron “ALBtelekom”.

Reagimi

“Besojmë që subjekti në fjalë po përpiqet të krijojë një avantazh komercial nëpërmjet krijimit të një lidhjeje të mundshme me emrin tonë. Ne jemi krenarë për logon tonë të re “T”, për ngjyrën tonë të re magenta dhe vlerat e padiskutueshme që i lidhin ato me brandin ‘Telekom’ në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara”, reagon “Telekom Albania” duke shpjeguar dallimin e markës së tij. Mbi të gjitha, vazhdon reagimi, “Telekom Albania” është më se i angazhuar të kënaqë kërkesat e abonentëve me cilësinë dhe të rejat më të fundit të teknologjisë, nëpërmjet të cilave ky brand është i njohur në të gjithë botën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button