Home / Te ndryshme / Vendet më interesante të botës, që nuk mund të vizitohen

Vendet më interesante të botës, që nuk mund të vizitohen

Njihuni me listën e vendeve të çuditshme dhe interesante në të njëjtën kohë, që për fat të keq nuk mund të vizitohen, pasi janë të arritshëm vetëm për pak të autorizuar …

Nëpër botë ka shumë vende me interes, të cilat paraqesin një alternativë origjinale, ndryshe nga destinacionet e njëjta turistike, gjerësisht të njohura. Po flasim për shembull për vende të tilla si shpellat Lascaux ose për ishullin e gjarpërinjve. Por fatkeqësisht, shumë nga këto lloj vendesh janë të pavizitueshme ose të paarritshme, për shkak të kafshëve, fiseve të egra, largësive të mëdha ose prej sigurisë së lartë!

Shpellat Lascaux dhe pikturat shkëmbore

Shpellat Lascaux janë një vend i rëndësishëm historik. Ato janë një kompleks shpellash, të cilat gjenden në Francë dhe në brendësi të tyre ndodhen piktura shkëmbore, që i përkasin periudhës së paleolitit. Padyshim se ky vend është i mbrojtur nga UNESCO. Ishte shumë i vizituar dhe i dashur nga turistët, por fatkeqësisht në vitin 2008 shpellat u mbyllën, ngaqë po konsumoheshin shpejt dhe për këtë vetëm një numër i vogël studiuesish mund t’i vizitojë.

Arkivat sekrete të Vatikanit

Arkivat sekrete të Vatikanit janë “shtëpitë” e sekreteve të mëdha të shkruara, të pabotuara, të cilat do të ishin vërtet interesante për t’u lexuar. Për shembull, thuhet se aty ka shkrime që i përkasin shekullit VIII, tekste të shkruara nga Mikelanxhelo, nga Henry VIII dhe nga Marie Stewart përpara se të ekzekutohej. Është vlerësuar se shkrimet përbëjnë një total prej 35 000 ekzemplarësh! Sigurisht, aty nuk mund të shkojë askush, përveç një grupi të vogël studiuesish të kualifikuar, pajisur me një leje të veçantë.

Poveglia, ishulli i përhumbur ose ishulli i shtrigave

Ishulli i Poveglia-s gjendet në Lagunën Veneciane, ndërsa ai njihet si vend sekret i pushtuar nga shpirtra të shumtë. Për momentin, ishulli është i braktisur, por në të kaluarën ai ishte një strehë për murtajën, një front lufte, një vend për anijet dhe në fund, një spital psikiatrik. Spitali u braktis në vitin 1968 dhe qysh atëherë askush nuk jetoi më në këtë ishull, por thuhet se jetojnë fantazma të çdo lloji: që nga viktimat e murtajës, e deri te mjekët dhe pacientët e spitalit psikiatrik!

Ishulli i gjarpërinjve: një në çdo pesë metër katrorë

Ishulli Queimada Grande në shtetin e San Paolos, në Brazil, është quajtur “ishulli i gjarpërinjve”, sepse aty jeton një “popullsi” vdekjeprurëse. Fauna e ishullit në fjalë është vërtet e çuditshme: bëhet fjalë për habitatin e vetëm në tokë ku jeton lloji i gjarprit Bothrops Insularis, shumë helmues. Në ishull nuk jeton asnjë gjitar; sipas studiuesve, në të gjenden më shumë se 4000 gjarpërinj ose më mirë një gjarpër në çdo pesë metër katrorë.

Depozita nëntokësore botërore e Svalbard, shpëtimi për të ardhmen

Depozita botërore e farërave të Svalbard, e cila gjendet në Norvegji, mund të përbëjë të vetmin shpëtim të biodiversitetit mbi tokë, në rast të “humbjes aksidentale të trashëgimisë gjenetike tradicionale”. Bëhet fjalë në fakt për një bankë të sigurisë së lartë, e ndërtuar rreth 120 metra në brendësi të një mali, të ndërtuar në ishujt Svalbard, një arkipelag shumë i largët, 1200 km nga Poli i Veriut.

Ishulli i Sentinelit verior, ku jeton një nga tributë më të egra

Ky ishull është pjesë e ishujve Andaman (në gjirin e Bengalit). Ajo që e bën interesante dhe njëkohësisht të paarritshëm, është fakti se jetohet nga sentinelasët, një tribu vendase e përbërë nga 500 persona, të cilët nuk kanë dashur asnjëherë të integrohen në shoqërinë moderne. Përkundrazi, ata duket se janë vërtet armiqësorë: pas cunamit të vitit 2004, i cili goditi oqeanin Indian, ata refuzuan helikopterët e urgjencës, duke iu hedhur gurë dhe shigjeta!

Leave a Reply

%d bloggers like this: