Home / Arte / Teater / Asnjë dramë shqipe, mungon teatri i ri

Asnjë dramë shqipe, mungon teatri i ri

Veprat që do të vihen në skenë

  • “Sonte luajmë pa tekst” – Luigi Pirandelo, regjisor Driada Dervishi
  •  “Mallkimi i fukarenjve” – Sem Shepard, regjisor Kastriot Çipi
  • “Zbutja e kryeneçes”, Shekspir, regjisor Elma Dorezi
  • “Opera për tre grosh”, Vaclav Havel, regjisor Mehmet Xhelili
  • “Pushteti i grave”, Aristofani, regjisor Spiro Duni
  • “Tri motrat”, Anton Çehov, regjisor Hervin Çuli

Teatri Kombëtar publikon gjashtë veprat që do të ngjiten në skenë gjatë sezonit të ri

Skualifikohet Viktor Zhusti, Stefan Çapaliku…

Teatri Kombëtar ka bërë publike dje veprat që do të ngjiten në skenë gjatë sezonit të ri teatral 2015-2016. Nga 22 vepra që iu përgjigjën thirrjes së teatrit për të aplikuar për këtë sezon, vetëm gjashtë prej tyre kanë fituar të drejtën për të qenë produksionet e reja të këtij sezoni. Një përzgjedhje që endet nga komedia, drama e deri tek teatri politik i Vaclav Havel, por që në thelb mbetet klasike. “Sonte do të luajmë pa tekst”, vepra e Luigi Pirandelo-s, do të ngjitet në skenë nga regjisorja Driada Dervishi, e cila është një ndër regjisoret më aktive të viteve të fundit. Një nga shfaqjet e suksesshme të saj gjatë sezonit që shkoi ishte “Vanja, Sonja, Masha” e Çehovit apo “Martesa”, një tjetër komedi e Çehovit, që ajo e ngjiti në skenën e Teatrit të Durrësit. Rikthehet në këtë sezon në skenën e Teatrit Kombëtar regjisori Kastriot Çipi. Pas përvojës si drejtor i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Çipi i rikthehet teatrit për të ngjitur në skenë dramën familjare “Mallkimi i fukarenjve” nga Sam Shepard. Një tjetër regjisore e re femër do të jetë protagoniste këtë sezon. Elma Dorezi, pas rolit aktiv që pati në netët e leximit të dramës shqipe, duke kuruar disa drama, do të ngjisë këtë sezon në skenën e Teatrit Kombëtar “Zbutja e kryeneçes” nga Shekspir. “Emocion dhe përgjegjësi, këto janë dy ndjenjat e mia në këto momente”, thotë Dorezi. Regjisori Mehmet Xhelili do të ngjisë në skenë veprën “Opera për tre grosh” nga Vaclav Havel. Teatri i Havel, ashtu si letërsia e shkruar prej tij, ka në qendër ndryshimet politike shoqërore. Havel i flet shpirtit të klasave duke besuar se forca e ndryshimit gjendet në zgjedhjet e tyre. Regjisori Spiro Duni do të ngjisë këtë sezon veprën “Pushteti i grave” nga Aristofani. Drejtori i Teatrit, Hervin Çuli, do të jetë dhe në rolin e regjisorit këtë sezon. “Tri motrat” e Çehovit është një tjetër vepër që do të ngjitet në skenë këtë sezon të ri artistik. Gjatë sezonit të shkuar, ai interpretoi si aktor në veprën “Vrasja e Maratit” nën regjinë e Arben Kumbaros.

Ajo çfarë të bie në sy në këtë përzgjedhje është se mungojnë dramat shqipe, dhe pse për më shumë se një vit u fol për dramën shqipe, përmes netëve të leximit të tyre. Të vetmet drama shqipe konkurruese për këtë sezon janë lënë jashtë, “Made in Albania” e Stefan Çapalikut dhe “Rrjeta” e Saimir Gongos. Dhe pse në politikat e reja të teatrit është folur për një mbështetje ndaj dramaturgjisë kombëtare, ajo sërish mungon këtë sezon. Teatri i ri, ai bashkëkohor, nuk shihet në përzgjedhje, pasi nuk ka asnjë autor që përfaqëson teatrin e ri. Pavarësisht emocioneve që të japin veprat e Pirandelos, Shekspirit, Çehovit, apo Aristofanit, do të ishte mirë që në teatër të shihnim dhe vepra të autorëve që konsiderohen si më të rëndësishmit të teatrit sot. Janë lënë jashtë regjisorë të mirë si Altin Basha, apo Sulejman Rushiti, për të vijuar me regjisorët e rinj si Laert Vasili, Klajd Kapexhiu, Olta Çali, Saimir Gongo, Luljeta Hoxha, Donald Hasani, Ben Apollon. Në këtë sezon kishte konkurruar për të qenë regjisor për veprën “Zogu i zi” nga David Harrower dhe aktori i njohur Viktor Zhusti. Gjashtë veprat e përzgjedhura për t’u ngjitur në skenë nuk do të kenë fond më të lartë se 30 milionë lekë të vjetra. Sipas drejtorit Hervin Çuli, teatri do të vijojë të funksionojë dhe për tre vitet e ardhshme në këtë godinë, pavarësisht kushteve jo të mira të tij. Në janar të këtij viti, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deklaroi se Teatri Kombëtar është një nga institucionet që do t’i nënshtrohej rikonstruksionit gjatë 2015. U gjet edhe godina se ku do të zhvendosej, në ish–Institutin e Energjikës, 500 metra larg gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Por punimet për ta shndërruar këtë ndërtesë në një qendër multikulturore, që do të strehojë përkohësisht edhe Teatrin Kombëtar, ende nuk kanë filluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.