Libri

Gazmend Krasniqi / Në një bisedë për kohët që e çuan drejt shkrimit

Nën lëkurën e Montales – Gazmend Krasniqi nuk i është larguar grishjes poetike dhe në prozën e gjatë. Poeti ndihet teksa lexon “Fytyrën e Simurgut” apo “Shitësi i apokalipsit”, dy romanë të botuar nga botimet “Saras”. Por cilat ishin kohët që e lidhën me poezinë dhe si është gjuha me të cilën ai komunikon sot me të …

E kujtoni kohën kur nisët të shkruanit poezi?

Lexon dhe ke nxitje që të shkruash vargje. Nuk e mbaj mend se si kanë qenë ato vargje. Sigurisht, mund ta marr me mend: punë fëmijësh, për të cilat nuk ia vlen të flitet. Ia vlen të kujtohet se ndoshta atëherë është zgjuar ai që quhet temperamenti artistik, i cili mbetet të zhvillohet, nëse je shënuar prej kësaj gjëje, por këtë mund të marrësh vesh kur nuk të bëjnë më as duart, as këmbët. Siç mund të mos e marrësh vesh asnjëherë.

Si ka qenë marrëdhënia juaj me të? Gjatë viteve, si arrini të kuptoni që tashmë jeni poet?

As edhe një herë në jetën time nuk jam prezantuar diku: “Jam poet”, megjithëse kjo ka qenë gjëja për të cilën kam menduar dhe investuar më shumë gjatë jetës sime. Josif Brodski thotë se e përzunë nga Bashkimi Sovjetik me epitetin “parazit”, që ishte barabar me fjalën “poet”. Në perceptimin e përgjithshëm, në Shqipëri poeti është ai modeli që na kanë mësuar në shkollë: një patriot i madh, një mbartës i revoltës sociale dhe vetë poeti i realizmit socialist. Po të pyesësh njerëz në rrugë, do të japin emra nga këto tri lloje shfaqjesh poetike. Meqë nuk e përmbush asnjërën, mbetet të pres ndonjë kohë që mund të ndërrojë perceptimi.

Por jo çdo gjë vjen nga jashtë: më të forta janë dyshimet që vijnë nga vetvetja, gjë që besoj se do të më vinte nga çdo lloj profesioni. Poezia si krijim nuk është shpjeguar asnjëherë, por të paktën ekziston iluzioni se mund të shpjegohet si shkencë. Kjo shpjegon faktin se, edhe pas një periudhe shumëvjeçare, përpiqem të mbaj në këmbë vetëm një numër shumë të vogël poezish, duke i rrotulluar nga të gjitha anët, edhe pse mbijeton iluzioni se poezia bëhet “fët e fët”, mjafton që disa njerëz të duartrokasin.

Që të kthehemi te pyetja: herë pa here zbulohet një marrëdhënie e re, e cila të ndjell me iluzionin e fjalës “poet”.

Si shkohet drejt një forme të shkruari, ndikojnë modele? Cilat ishin për ju?

Për fëmijën, modelet vijnë nga shkolla. Si fëmijë, i takoj një brezi që në këtë drejtim shkolla është bërë në mënyrën më të keqe të mundshme. Çalon gjithçka që ka prodhuar ajo epokë në raport me poezinë, prandaj modelet duheshin kërkuar gjetkë.

Por le t’ia nisim nga fillimi. Në të vërtetë, formimin e parë të mirëfilltë artistik e kam pasur si piktor, duke vazhduar studimet në shkollën e mesme artistike të Shkodrës. Në shkollë mësonim se si vizatohej objekti, se si vizatohej figura njerëzore, se si kompozoheshin, se si mund të dështoje herë pas here apo se si mund të mbusheshe me dyshime pa fund, e shumë gjëra të tjera si “zanat”. Sa ishte e mundshme për kohën, tregohej se si ia kishin dalë mjeshtrit. Të gjitha këto, për të mësuar se nuk mund të hyje në art si amator, siç ndodhte aq shpesh në letërsi. Pedagogu Danish Jukniu më thoshte një herë se sa dëm bënin shkrimtarët në Lidhjen e atëhershme, sepse diskutonin si kompetentë për pikturën. Nga shkrimtarët e asaj kohe, vetëm Kadareja flet për ripunimin e veprës, kur shkruan se një ditë filloi ta ripunonte “Gjeneralin”, edhe pse, ndërkohë, ai libër qe botuar në Francë. Dua të them se, në pjesën më të madhe, letërsia qe mbërthyer nga amatorizmi dhe matej me kut jashtëletrar, një sëmundje nga e cila ende nuk është shëruar. Problemi nuk është prodhimi, çdo letërsi ka firot e veta, por kuti matës, që çorodit, duke “krijuar” kryevepra, në një letërsi ku gjërat po shkojnë keq e më keq. Kjo ndodh sot e gjithë ditën. Kanë filluar të jepen çmime nga çdo komunë dhe s’po e merr vesh i pari të dytin në proklamimin e vlerave.

Të kthehemi te modelet, se për këtë ishte pyetja. Nuk janë medoemos modele më të mira ato që të mësojnë se çfarë të bësh, sepse mund të jenë edhe më të rëndësishme ato modele që të mësojnë se çfarë nuk duhet të bësh. Unë gjykoj se një rast të jashtëzakonshëm për këtë e ofron poeti Frederik Rreshpja. Kur të pranohet ky gjykim nga shumë veta, poezia shqipe do të fillojë të kuptojë vetveten. Arshi Pipa ka hedhur një tezë: letërsia shqipe nuk e ka arritur “pjekurinë”, sepse gjithmonë është shkruar prej autorësh në moshë të re. Ndoshta ka ardhur koha të shikohet ajo tezë: Frederik Rreshpja e ngjiz veprën e vet poetike pas moshës 50-vjeçare, në kohën e një lirie poetike që me terma socialë e quajmë demokraci. Ai nuk ribotoi asgjë nga vepra që kishte shkruar në rininë e hershme.

 

Nëse do të donit të ishit një prej poetëve tanë të shqipes, cili do të ishit ai?

Do të doja të dija të realizoja ritmin poetik të Lekë Matrëngës, rimat e brendshme të Jul Varibobës dhe Fan Nolit, kërkimin e strukturës poemike të De Radës dhe të Martin Camajt, formën poetike të Ndre Mjedës dhe Lasgush Poradecit, vargun e lirë të Gaspër Palit dhe kumbimin muzikal të Ali Asllanit, kontemporanitetin e Migjenit, tingëllimin e idiomës shqipe të Azem Shkrelit dhe zhveshjen nga çdo gjë jo poetike të Frederik Rreshpjes.

E di se nuk mundem, si dhe nuk hyn medoemos në synimet e mia, por thjesht më vjen mirë që i kemi këto gjëra në shqip. Por modelet e kapërcejnë apo e zhvendosin njëri-tjetrin në kohë të ndryshme dhe më tepër se për një poet, sipas meje, duhet folur për poetika: cilat janë poetikat e modernitetit shqiptar?

Poezisë shqipe të modernitetit (shfaqur në dy – tri dekadat e para të shekullit XX, kur Shqipëria e pavarur përpiqej të bëhej një shtet modern) mund t’i veçohen dy poetika më me ndikim, dy pole që tërheqin shumë nga vetja:

– ajo e kultit të formës (arti i kënaqësisë estetike);

– ajo e kultit të moralit të ri shoqëror dhe veprimit në emër të tij (arti i revoltës).

Poetika e parë – arti është etern dhe nuk i shërben askujt – lidhet me krijimtarinë e Lasgush Poradecit (1899 – 1987), student dhe doktorant i Gratz-it (Austri). Në këtë art, ku në plan të parë dalin mjetet, ndërsa burimi i poetikës duhet kërkuar te parnasistët francezë, shembulli shqiptar i formës mbetet jezuiti i kulturuar Ndre Mjeda (1866 – 1937). Ky “parnasisëm” shqiptar, përgjithësisht, ngrihej kundër patriotizmit të tejkaluar dhe folklorizmit, duke u karakterizuar nga stili aticist – i përmbledhur, lapidar, thelbësor. Azianizmi – tepri, paqartësi, tensionim – një botë që lejon të shndërrosh gjithçka në gjithçka, ku një ngjarje artistike nuk buron prej botës së natyrës, por prej botës së përfytyrimeve, do të shfaqet më vonë. Ai e gjen modelin tipik te ndonjë poemë e veçantë e poetit nga Kosova, Fahredin Gunga (1936 – 1997). Mirëpo, në periudhën kur lulëzonte socrealizmi, për të shkruar me këtë poetikë duhej të jetoje jashtë Shqipërisë, si Martin Camaj (1920 – 1993) në Gjermani, apo si Azem Shkreli (1938 – 1997) në Kosovë, pjesë e ish-Jugosllavisë, ku frynte ndonjë fllad i lehtë lirie.

Poetika e dytë – mbrojtja e njeriut nga ideologjia dhe institucionet e shtetit – lidhet me emrin e Migjenit, seminarist ortodoks i Manastirit (Bitola, ish-RJ e Maqedonisë). Kjo poetikë, ku mjetet nuk janë në plan të parë, por mbeten të rëndësishme, e si ekspresionizmi mund të akuzohet që më fort se një metodë mund të jetë një ndjenjë shpirtërore, nganjëherë bie në “Formulë logjike”, siç do të shkruante për Migjenin një bashkëkohës i tij (Qemal Draçini, 1922 – 1947). Aty rrinë më të spikaturit e kësaj periudhe gjatë periudhës së quajtur të realizmit socialist, si Ismail Kadare (1936), Fatos Arapi (1930) dhe Dritëro Agolli (1933), të cilët për të qëndruar brenda veçantisë së poetikës, thirrën në ndihmë alegorinë, duke bërë një lojë të dyfishtë, të varur nga leximi që mund t’i bëhej asaj, por zyrtarisht, në kohën e vet, u pa si një letërsi e funksionit.

Të dyja poetikat mund të adhurojnë të njëjtin poet, për shembull, Baudelaire-in (pranuar si shfaqja më e shquar e modernitetit perëndimor), por në pamje të ndryshme, të dyfishtë:

– Të prirë nga forma (veçse duhet thënë se Poradeci nuk e qas errësirën simboliste);

– Të prirë nga problematika (veçse Migjenin e tërheq pjesa ku i këndohet skamjes njerëzore).

Poetika e parë, në kohën e quajtur të realizmit socialist ishte një “tabelë qitjeje” dhe nuk mund të funksiononte, prandaj doli jashtë loje një poet si Lasgush Poradeci. Kjo periudhë impononte, me urdhër nga lart, elemente të poetikës së dytë, atë pjesë që mund të vihej në shërbim, prandaj në këtë kohë, Migjeni ishte poeti më i dashur.

Pas Luftës së Ftohtë (vitet ’90), tashti që Shqipëria ishte pjesë e një historie më globale apo e një kohe të profetizuar “pa histori”, iluzioni se poezia mund ta shndërronte shoqërinë njerëzore nuk mund të kthehet më në pozicionin e dikurshëm. Ngaqë, me anë të përkthimeve të shumta, kërkohet të plotësohet sistemi letrar shqiptar, bie më shumë në sy poetika e parë: kërkimi i poezisë në gjendjen e vet. Poetika e dytë nuk arrin të imponohet vetë, edhe pse herë pas here ngre lart flamurin e migjenizmit (që ka lënë një emër të dashur për lexuesin), por më tepër duke i bërë jehonë pa argumente profesionale një nostalgjie, sepse është huazuar nga socrealizmi krijimi i listave me emra që vjen pa studime reale. Prandaj mund të flitet më shumë e më mirë për poetika, sesa për emra. Cilido qoftë produkti, ata kanë prekur hapjen maksimale.

Mirëpo eklektizmi stilistik i këtyre poetikave mbetet një çështje për zgjidhje: poetika e parë më tepër u përket studimeve, ndërsa poetika e dytë më tepër u përket lexuesve, të edukuar që të gjejnë tek arti mbështetje për problemet sociale. Për një poet duhen përthithur të dyja, për të dalë në një moment të ri. Sigurisht, ka diçka mes këtyre skajeve, por vetëm fatlumët mund ta lënë një emër diku.

 

Po nëse do të ishe nën lëkurën e një poeti të huaj, kush do të ishte ai?

Do të doja të isha nën lëkurën e atyre poetëve që ua kanë kushtuar jetën e tyre ligjërimit: Malarmeja, Elioti, Montale, Kavafis, Rilke, Pesoa e poetë të tjerë të këtij lloji. Është bukur edhe t’i përmendësh! Por do të duhej një kohë e gjatë për të folur për ta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button