Opinion

Basha nuk mund të bjerë poshtë Krosit

Nga Arben Manaj

Lexova me trishtim dhe pezmatim një deklaratë të ish-numrit dy të Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, që i vetëbindur ose i bindur nga të tjerët apo nga tradita jodinjitoze, të deklaronte se Kryetarin e ri të bashkisë, Erion Veliaj, kur të bëhej dorëzimi i pushtetit të kryeqytetit, do ta prisnin drejtorët aktualë të bashkisë dhe jo kryetari në ikje, z.Basha.

Të thuash që ish-nënkryetari i Bashkisë nuk ka formimin demokratik apo moshën fizike për të qenë i avancuar, sa për të kuptuar se ky prononcim është demode, i bie që të jesh naiv.

Por që kjo lloj demodeje të shitet si normalitet në 2015, është të mos kesh kuptuar se jeton në epokën e rizbulimit me sy zogu të planetit të Plutonit.

Nuk do doja kurrën e kurrës ta besoja se ky qëndrim adoptohet edhe nga udhëheqësi i opozitës z.Basha, për të cilin ndryshe nga shumë “op-ed” llogoresh, kam mendimin se përfaqëson, ndoshta një nga njerëzit më mendjehapur të opozitës, nisur nga njohja personale, por edhe formimi oksidental i tij.

Ardhja e Erion Veliajt në krye ta Bashkisë së Tiranës, pas zgjedhjeve demokratike dhe të pakontestuara në kryeqytet, me një votë plebishitare, përbën një arsye më shumë që kryetari në ikje i Bashkisë z.Basha, të ndihet më i çliruar nga ndonjë kompleks për mospjesëmarrje në ceremoninë e dorëzimit të stafetës.

Në fund të fundit, Veliaj është i deleguari i vullnetit politik i shumicës dërmuese të banorëve të Tiranës e për këtë Basha ka detyrimin për respektimin e këtij delegimi.

Ish-udhëheqësi i opozitës laburiste, Ed Miliband, në fjalën e tij të dorëheqjes, pas humbjes në zgjedhjet e fundit në Britani, dëshmoi pikërisht këtë respekt dhe përulje ndaj elektoratit kur tha se “nuk janë thjesht udhëheqësit, që arrijnë të bëjnë ndryshimin, por janë njerëzit që e bëjnë të mundur që ndryshimi të ndodhë”.

Do të ishte në nderin e z. Basha për t’u mbyllur gojën edhe skeptikëve dhe kritizerëve të tij, të dëshmonte se është mendjehapur dhe demokrat në shpirt, që di të respektojë vullnetet politike dhe të përulet përpara tyre.

Nëse nuk e bëri Rama këtë që ka shans ta bëjë Basha, le ta mbajë brengën Rama.

Nëse nuk e bëri Berisha kur e kishte radhën t’ia dorëzonte stafetën e pushtetit qendror Edi Ramës, le ta brejë ndërgjegjja Berishën, nëse e njeh brerjen e ndërgjegjes politike.

Erion Veliaj nuk ka përse të përjetojë atë që përjetoi vetë Basha nga Rama, kur ky i fundit la bashkinë. E Basha, jam i sigurt, do ndihej njësoj si Veliaj, nëse Rama për herë të dytë do të gabonte nëse hipotetikisht do t’ia linte një ditë stafetën Bashës në kryeministri kurdo që të jetë ajo ditë…

Erion Veliaj nuk do duhet respektuar vetëm si kryebashkiak i ri. Nderimi institucional për të është nderim për elektoratin dhe Veliaj është vetëm dhe thjesht simboli elektoral i shumicës së banorëve të Tiranës.

I tillë do të ishte nderimi edhe i kryetarëve të rinj të Përmetit apo Mallakastrës, të fituara nga PD-ja.

Nëse nuk ngjall shpresë z. Basha se di të jetë edhe në humbje dinjitoz, nuk ka kush ta ringrejë dinjitetin e opozitës, si e vetmja shpresë për një rotacion sa më të shpejtë dhe të shpeshtë pushteti, jetike si për demokracitë e brishta ashtu edhe ato të konsoliduara.

Pikërisht se e di që ndodhet në një formacion të vështirë politik dhe i kapur mes mirënjohjes dhe nevojës për më shumë kohë për të dëshmuar këto vlera, nuk do ta pranoja kurrë, pa më zhgënjyer, që z. Basha do bjerë poshtë nivelit të performancës politike të një vartësi të tij, si ish-kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, një dibrani të mençur si Ilir Krosi, që u dha një leksion demokracie shumë homologëve të tij në dorëzimin e stafetës së pushtetit lokal te fituesi.

Related Articles

Nje koment

  1. Po ti nga e gjete kete Bashen me formim perendimor apo se ka ndenjur ca vite ne Hollande, nga veprimet mua me duket shume nivel i ulet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button