Maqedonia

Rasti i “Kumanovës”, procesi dëgjimor me shkelje ligjore

Procesi dëgjimor ndaj nëntë personave të akuzuar për rastin e Kumanovës, i cili filloi të martën, është pezulluar. Lajmin e ka bërë të ditur për mediat avokati mbrojtës i të pandehurve, Naser Raufi.

Sipas pohimeve të Raufit, pezullimi ka ardhur për shkak të shkeljeve ligjore që ka bërë prokuroria gjatë marrjes në pyetje të të pandehurve.

“Ende nuk kemi përgjigje nga prokuroria për shkeljen e nenit 206, pika 5 e ligjit për Proçedurë Penale, me ç’rast të akuzuarve nuk u prezantohen provat që posedon prokuroria, gjë që është parakusht për marrjen e deklaratave nga të akuzuarit”, pohon Raufi.

Avokati Raufi thekson se sipas këtij neni, para se të merren deklarata nga të akuzuarit, prokuroria është e detyruar t’i prezantojë të gjitha provat që posedon.

“Nga sa jam i informuar, nuk është bërë as obduksioni i policëve të vrarë gjatë aksionit policor dhe ndoshta kjo është arsyeja pse nuk na prezantohen provat neve. Por, sido që të jetë, ne do të insistojmë në prezantimin e tyre”, thotë avokati mbrojtës.

Ngjarjet e Kumanovës ndodhën më 9 dhe 10 maj, kur autoritetet e rendit në Maqedoni ndërmorën një aksion policor në Lagjen e Trimave të këtij qyteti.

Gjatë përleshjes së armatosur mes policisë maqedonase dhe grupit të armatosur të shqiptarëve, mbetën 18 të vrarë, mes të cilëve 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button