Opinion

Ulza, “bukuroshja e fjetur” e turizmit

Nga Ndue Dedaj

Nganjëherë të bukurën, turistiken e kërkojmë tepër larg, ani se e kemi krejt pranë, para syve, por nuk e shohim, prekim e shijojmë. Si një mollë që pa dashje ia kemi ndaluar vetes. Eja e merre vesh këtë qëndrim tonin sa adhurues, aq indiferent karshi vlerave që nuk kanë nevojë për certifikim. Pamjet e Ulzës, nga Gryka e Shkopetit e të tjerë, janë kartolina që shëtisin gjithandej nëpër studio artistësh e zyra drejtuesish, veçse aty ku ato janë shkrepur mungojnë jo pak gjëra nga dora e njeriut në funksion të turizmit!

Ndonjë urë e varur tej e tej lumit të Matit, ndonjë lundër e hijshme që vozit pushuesit liqenit, ndonjë kullë e përshtatur për pritjen e turistëve, bujtinë druri apo hotel. Apo, më e pakta, nja katër-pesë tabelëza që t’i thonë kalimtarit se ku je dhe pse duhet të qëndrosh aty. Herë-herë të ngjan se koha ka ngecur tek ai tuneli i vogël pa asnjë element arkitekturor (që ka përbiruar shkëmbin si një shpellë), digat e hidrocentraleve “Karl Marks”, “Frederik Engëls” dhe kronikat e “Rrugës së Dritës” fill pas Luftës, me të cilat ky rajon pati hyrë në historinë e re. Nuk po zgjohemi që të zgjojmë dhe “Bukuroshen e fjetur” ulzake. Të huajt që kalojnë këndej këtë stinë sikur na thonë: “E kërkoni turizmin deri në skajin më të largët të Alpeve e në kanionet e Skraparit dhe nuk ndaleni në Ulzë, vetëm 60 kilometra nga Tirana, ngjitur me Rrugën e Kombit”.

Rubiku, Skuraj, Pllana, Ulza e të tjerë hyjnë në ato vende që Lambertci më 1916 i cilësonte me “një pamje të mrekullueshme”. Po përse atëherë Ulza ka mbetur larg të qenët qendër turistike atraktive? Asgjë ndryshe nga vendet e tjera turistike gjysmë të zhvilluara. Një qëndrim thuajse spontan ndaj turizmit e mjedisit, pa shumë strategji e përparësi. Dhe pse ka pasur jo pak përpjekje për të krijuar një realitet tjetër në këtë areal të rrallë turistik të vendit. Kryekomunarët dhe specialistët e pyjeve nuk kanë reshtur së lobuari për disa vite për Ulëzën dhe falë tyre ajo ka fituar njëfarë statusi, atë të Parkut Natyror Rajonal. Në 4.206 hektarë parku i saj ngërthen sipërfaqen ujore nga diga e hidrocentralit të Shkopetit deri në Urakë, si dhe zonën kodrinore përgjatë kufirit me Rrethin e Mirditës. Kremtohet si ngjarje kjo atje, së bashku me festën e Shën Markut, ku organizohet dhe një panair me prodhime vendase, por të gjitha këto nuk kanë mjaftuar që Ulza të jetë përherë me turistë. Aty nuk ka turistë të qëndrueshëm, por më së shumti kalimtarë, soditës, ndoshta nja treqind të tillë në vit, tepër pak për bukurinë e saj që përkundet mes blerimit e kaltërsisë. Perla liqenore-malore nuk është kthyer ende në një qendër turistike e kërkuar, dhe pse i ka të gjitha ato që i duhen turizmit: natyrën e begatë gjithë larushi të terrenit, lumin e Matit, liqenet e hidrocentraleve, bimësinë e pasur, peizazhin shkëmbor, kanionin mahnitës të Shkopetit, peshqit e “markës” autoktone nilën e mlyshin, si dhe disa monumente kulture të lashtësisë. Është toka e maleve dhe legjendave të Skënderbeut, e plakut të urtë të folklorit Kokë Malçi, e familjes së njohur të Skurajve, stemën e të cilëve e kemi sot në emblemën e kryeqytetit, por dhe e Shpanëve me zë në mesjetë etj. Një hap nga deti, një hap nga mali, e megjithatë Ulëza ka mbetur si një arë gjysmëdjerr e turizmit shqiptar. Ani se liqenit të saj poetët e trevës i këndojnë me tone lasgushiane, ndër ta dhe ish-kryetari i Komunës para disa vitesh, Simon Kaca, që nuk rron më. I gëzohen sidomos 50 peshkatarët që mes flladit liqenor gjejnë bukën e përditshme.

Vëren një paradoks në këtë rajon tipik mesdhetar, shtatëdhjetë vjet më parë “Rruga e Dritës” i mori jehonën dhe udhëtarët udhës së vjetër të Zogut, që në vitet ‘30 kalonte nga Uraka nëpër Mirditë e dilte në Milot, kurse me rikthimin e saj në identitet, ndërtuar para tre vitesh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, “Rruga e Dritës” nisi të bëhej ndonjëherë dhe rrugë “territ”, me maskat që iu zinin pritë udhëtarëve. Me rrugën e re/vjetër (nga Rrësheni) Ulëzës, Bazit e Skurajve iu pakësuan vizitorët. Nuk duam ta teprojmë, pasi Shqipëria është plot vende turistike që kërkojnë gjallërim, por ndër to Ulëza është unike. Shpallja e saj Park Natyror mbetet një dëshirë e mirë, pa u shoqëruar me përmirësime të dukshme në infrastrukturën rrugore etj. Nëse për parqet kombëtare investohet qeveria me politika efikase e buxhete, për ato rajonale janë qarqet dhe bashkitë që duhet të bëjnë më të mirën. Ndryshe ç’kuptim ka që mblidhemi e marrim vendime pa i shoqëruar ato me faturën ekonomike, ndoshta jo në formën e grantit, por të projekteve të zhvillimit etj. Nuk janë vetëm guidat e shoqatave, fletëpalosjet e gjitha. Sa festohet për parkun vit për vit, më mirë të bëhet sinjalistika turistike e objektit, apo mveshja me asfalt e rrugës së dërmuar buzë liqenit.

2

Ka vite që kambana e turizmit bie për herë e më fort. Kuvendi sapo miratoi ligjin e ri për turizmin. Deputetët deshën ta linin të miratuar atë në pikun e sezonit turistik, para se të ngrinin çadrat në plazhe. Por se sa ata e kanë me shpirt “patriotik” këtë punën e turizmit mbetet për t’u parë se ku do t’i kalojnë pushimet, brenda vendit apo jashtë tij? Të shohim se mos ndonjë e përditshme, apo e përkohshme do të mund të na japë në ditët në vijim të dhëna rreth gjeografisë së pushimeve të ministrave, deputetëve, gjykatësve, shtetarëve në përgjithësi. Deri tani kemi parë Presidentin e Republikës të pushojë një fundjavë te “Rana e Hedhun” në Shëngjin, se i ka pëlqyer plazhi dikur “ushtarak”, se ka dashur të japë ndonjë mesazh, apo se nuk e kanë lejuar të vendoset në rezidencat qeveritare në Vlorë. Ndërsa ky soj “kacagjelimi” të mëdhenjsh të lë shije të hidhur, nuk do të ishte e tepërt të pyesnim nëse ndonjë ministër do ta kalonte fundjavën në Ulzë? Jo se do ta bënte me flatra turizmin e atyshëm për aq, qoftë dhe ministrja e Turizmit, por mbase do të ishte gjetur një fond për rikonstruksionin e rrugës nga Shkopeti në Ulzë rreth 10 km që jo vetëm nuk është turistike, por burim aksidentesh të rënda. Kaq nuk është shumë as për Këshillin e Qarkut të Dibrës që e ka dhënë Ulzës titullin e lakmueshëm të parkut natyror. Pronari i një resorti turistik, për nevojat e biznesit të tij tregtar e prodhues, do ta marrë ujin 11 km larg nëpër kreshta, kurse shteti nuk gjen një dorë pará sa për një copë udhë dhjetë kilometërshe në aksin që deri dje ishte e vetmi që lidhte Matin, Bulqizën e Peshkopinë me Tiranën?

Flitet ndërkohë nëse duhen bërë rrugë të asfaltuara për te bujtinat turistike. Mendja ta do se diku po e diku jo. Ama deri te “hyrja” e parkut do të shkosh se s’bën me makinë, tjetër pastaj aty ku habitati pyjor, lagunor është më mirë i paprekur, se po çuam rrugën, prishet magjia e peizazhit dhe turisti duhet të “lodhet” për të shkuar deri te mirazhet e fshehura në pyje. Tashmë janë qartësuar ato çka mund të bëhen për turizmin me standarde dhe jo turizmin tonë “origjinal”, njëri ngre një bujtinë druri e tjetri një hotel pesëkatësh me beton! Për më tepër Ulza mund të shihet dhe si një bashkëprojekt turistik me Kurbinin, Rubikun, Rrëshenin, Kthellën etj. Ka ardhur koha e projekteve ndër-rajonale e ndërbashkiake, siç mund të jetë e përbashkët dhe puna për pastrimin e lumenjve, se nuk është vetëm rëra e plazheve (që i japim një “fshesë” çdo pranverë) që duhet pastruar, por dhe lumenjtë që i kemi kthyer në kazanë plehrash. Nuk ka shëmtim më të madh se kur ndot një lumë apo liqen me (pa)dashje. Lumenj si Fani e Mati kanë vuajtur dhe më parë nga mbetjet teknologjike të minierave e fabrikave, kurse tani janë bërë deng me material plastik ambalazhesh ushqimore etj. Bërlloku që ka mbushur lumenjtë në të katër anët është i rrezikshëm sa masakra mjedisore e shkaktuar nga sëpatat në pyje, fadromat në gërryerjen e shtretërve lumorë etj. Kësisoj Ulza është një ftesë e kësaj vere dhe e muajve që vijnë, për t’iu dhënë mbështetjen e duhur banorëve, vendorëve, bizneseve, shoqatave, operatorëve turistikë që kjo perlë mesdhetare mes katër rrethesh (Mirditës, Matit, Kurbinit dhe Lezhës) të kthehet në një nga vendet më të jetueshme dhe më të vizitueshme të Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button