Home / Opinion / Media , kjo e sëmurë distrofike

Media , kjo e sëmurë distrofike

Nga Zamira Çavo

Të ndjekësh konferencat për shtyp e ke të pamundur të mos ndihesh keq me pyetjet gati qesharake që bëhen nga gazetarët. Por nuk është kjo e keqja më e madhe. Media shqiptare, me forcën e pushtetit të katërt, është përgjegjëse po aq sa pushtetet e tjera, në rrënimin e vlerave të këtij vendi, në mbështetjen e autoritarizmit, në gjendjen stanjative të Shqipërisë, në përçmimin e kulturës, në krijimin e situatave iluzive e në mbulimin e problemeve të mëdha që ka shoqëria.

Në shoqëritë e sotme demokratike, media është një pushtet me forcë të shumëfishtë, pasi është përçuesja e njëkohësisht dhe përpunuesja e opinionit publik. Pushtetarët kudo në këto vende kanë një “frikë konstante” nga media pasi, një skandal, përfolje apo një investigim i medias i shkatërron përfundimisht karrierën. Media në demokraci është një dritare ku problemet e shoqërisë duhet të marrin jetë, është një pushtet ku shoqëria, nëpërmjet saj, ushtron presionin ndaj politikave qeverisëse në favor të interesave të shoqërisë. Problemet e trajtuara nga media janë kambana alarmi për qeverisjen. Madje media është difuzori i jashtëzakonshëm i problemeve akute të një shoqërie, të cilat ajo vetë i shtron për zgjidhje.

E megjithatë është realitet i njohur fakti se media ka nevojë për politikën dhe politika për median. Mes tyre ekziston një lloj marrëveshje e heshtur shkëmbimesh. Por pavarësisht kësaj media mbetet një pushtet i fuqishëm që është në gjendje të ndryshojë jo vetëm qeveri, por edhe modele qeverisje. Media shqiptare fatkeqësisht është jashtë këtij trendi. Le të analizojmë disa qasje:

-Media dhe politika në Shqipëri janë një. Kjo jo vetëm sepse Shteti e gjen mënyrën si të ndërhyjë në një media, madje jo vetëm sepse mediat vetë janë pozicionuar politikisht, por edhe për arsyen e thjeshtë se interesat e pronarëve të medias janë lidhur ngushtësisht me qeveritë. Është vështirë në Shqipëri të gjesh një media e cila të jetë (të paktën në dukje) jashtë ngjyrimeve politike. Madje sa më i “ashpër” pushteti, aq më i dukshëm bëhet kalimi i medias në favor të tij! Sigurisht përjashtoj këtu shtypin partiak.

Media shqiptare dhe politika janë aq të ndërlidhura sa shpesh nuk kupton cila merr përparësi. I lutem lexuesit të gjykojë mbi opinionet në TV, mbi emisionet e lajmeve, mbi titujt e gazetave dhe të shikojë se çfarë pozicioni nënshtrues ka media përballë politikës. Ky raport i medias me politikën ka sjellë një gjendje distrofike të medias në Shqipëri. Është shtrembëruar misioni i saj, por edhe vetë shtylla e saj kurrizore.

-Mediat duke u përpjekur të bëhen “palë” me qeverisjen janë vënë në kundërshtim të hapur me interesin e opinionit publik. Ato shpesh bëjnë vetëm përcjelljen e informacionit që vjen nga zyra e Kryeministrit, ministrave apo kryetarit të opozitës. Nuk iu intereson lajmi, por iu intereson emri, e në varësi të tij shkruajnë lajmin. Del kryeministri në konferencë shtypi dhe media e pranishme me mundësi të pafundme për ta vendosur me “shpatull pas murit” Kryeministrin për ato çka ai nuk ka bërë, ose i ka bërë keq në gati 700 ditë qeverisje, bëjnë pyetje për t’i bërë qejfin kryeministrit!!! Si nuk u gjet një gazetar që ta pyeste për problemet e mëdha akute të njerëzve? Shqipëria e vitit 2015 s’ka akoma ujë e drita në një sezon turistik që paraqitet “i paparë” në 25 vjet! Si nuk u gjet dikush që ta pyeste çfarë kupton kryeministri me reforma në Arsimin e Lartë, në Shëndetësi, në Drejtësi apo çfarë ka ndër mend të bëjë me pronat? Nuk dinin t’i bënin pyetje të tilla? Nuk besoj, por jam e bindur se psikologjia e medias është po ajo e pushtetit: bëj sikur! Ndaj gazetarët bëjnë sikur bëjnë pyetje, por me një synim dyfish të dukshëm: t’i bëjnë përshtypje të mirë kryeministrit dhe pronarit të tyre! Ja pra si shfaqet distrofia mediatike.

Do të ishte jo fort e rrezikshme nëse do ishte vetëm kaq e dukshme kjo shmangie e medias nga misioni i saj. Në median e shkruar nuk mungojnë zërat për probleme akute të shoqërisë shqiptare. Ka shkrime kritike, problemore dhe analitike. Por zërat janë të shkëputur dhe media jo vetëm që nuk i amplifikon apo nuk i shkon deri në fund problemit, por e mbyll po vetë çështjen. Duket sikur detyra e saj është thjesht publikimi i një shkrimi. Nga ana tjetër dhe kur ndodh që një media e bën argument të sajën një problem madhor të vendit, sërish askush nuk do t’ia dijë. Kjo do të thotë se ka humbur pikërisht misioni i vërtetë e medias në vend. Qeveria as do t’ia dijë për problemet mediatike! Kjo, me fjalë të tjera do të thotë se sëmundja distrofike e ka çuar në prag të vdekjes median shqiptare! Nëse qeverisja nuk ka frikë nga media, opinioni publik ka humbur një nga instrumentet e tij të demokracisë. Dhe një demokraci që nuk ka “frikë” nga media është lehtësisht e kthyeshme në rrugën e autoritarizmit. Detyra e medias është të seleksionojë lajmin politik. Por media shqiptare nuk e bën këtë. Madje ajo vetëm lajme politike, të dala nga zyrat e përmendura më sipër, transmeton.

Funksion i medias në demokraci është kritika që duhet të bëjë ndaj politikave qeverisëse në favor të interesit të opinionit publik. Por jo, media shqiptare nuk kritikon. Dhe kur tenton ta bëjë këtë nuk bën kritikë, por sharje. Pra nuk merret me problemin, por me individin, duke treguar edhe një herë dukshëm se sa distrofike është. Të mos flasim më tej për antivlerat e shitura si vlera në median shqiptare.

Nuk dua të merrem këtu me mënyrën se si funksionojnë së brendshmi mediat shqiptare. Jo se nuk i njoh, por sepse do më duhet edhe një shkrim tjetër për të treguar se si rekrutohen gazetarët (një pjesë vetëm emrin kanë të tillë) sesi paguhen ata dhe sesi u nënshtrohen interesave të punëdhënësit. Ajo që më shqetëson është tjetër gjë: A po e ndihmon media shqiptare vendosjen e diktaturës në Shqipëri? A po e shkatërron ajo besimin e njerëzve te demokracia? A është ajo bashkëpërgjegjëse në shkeljen e lirisë së fjalës dhe sjelljes? Unë them po, sepse media shqiptare me forcën e një arme të shkatërrimit në masë, tashmë ka shkuar drejt të qenët “palë” me pushtetin, duke krijuar vetëm iluzivisht mendimin se ekziston fjala e lirë. Dhe ky është mashtrimi i madh që i bëhet shoqërisë shqiptare!

One comment

  1. GAZETARJA  ZAMIRA CAVO, BEN NJI KRITIKE MODESTE NDAJ PUSHTETIT TE KATERT NE SHQIPERI . ESHTE FJALA PER MEDIAT. UNE DO TA UROJA KETE GAZETARE:ILUMTE MENDJA DHE PENA E TE SHKRUARIT.

Leave a Reply

%d bloggers like this: