Ekonomia

Sigurimet, ngrihet kontributi për tregtarët, rriten pensionet e ushtarakëve

Nga Zamir Alushi

Qeveria rrit brenda 6 muajve masën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit. Me propozim të Ministrisë së Mirëqenies Sociale janë bërë shtesa dhe ndryshime në vendimi e datës 28 janar 2015 për kontributin e detyrueshëm dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të kujdesit shëndetësor. Nga ndryshimet përfitojnë pension të parakohshëm më të lartë ish-ushtarakët dhe ish të përndjekurit.

Të vetëpunësuarit

Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantë, sipas vendimit të qeverisë, nga 4 246 lekë që ishte shuma e detyrimit, duhet të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 4 696 lekë, nga të cilat 3200 lekë për sigurime shoqërore dhe 1 496 lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Rritje e kontributit të detyrueshëm bëhet edhe për personat që punojnë si punëtorë shtëpie. Nga 3 498 që ishte detyrimi, punëdhënësi duhet të deklarojë dhe të paguajë kontribut minimal mujor në shumën 3 948 lekë, nga të cilat 3 200 lekë për sigurime shoqërore dhe 748 lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Ndërsa, për të vetëpunësuarit në bujqësi qeveria ka vendosur të ngrejë nivelin minimal të pagesës vjetore. Kështu, nga 33 000 lekë që ishte detyrimi, punonjësit e bujqësisë duhet të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore në masën 38 400 lekë. Përjashtim bëjnë të vetëpunësuarit që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor do të jetë 29 400 lekë, nga 25 300 lekë që ishte më parë.

Zyrtarët

Qeveria e shtyn me pesë muaj datën e hyrjes në fuqi të rritjes së kontributit të detyrueshëm për zyrtarët dhe disa kategori të tjera. Personat që kryejnë funksione kushtetuese, punonjësit e lartë të shtetit, sipas funksioneve, do t’u mbahen kontributet në masën 4, 3 dhe 2% të pagës bruto, nga 1 janar 2015 e deri në 30 prill 2015, dhe në masën 5, 4 dhe 3% të pagës bruto, nga data 1 maj 2015 e në vazhdim. Kurse, për profesorët që përfitojnë pensione suplementare shtetërore shtesa e kontributit iu fillon që nga 1 janari 2015 e në vazhdim. Personat që kanë titullin shkencor “Profesor”, “Drejtues kërkimesh”, “Profesor i asociuar”, “Mjeshtër kërkimesh”, kur punojnë në universitetet, shkollat e larta dhe Akademinë e Shkencave, në Republikën e Shqipërisë, e kanë detyrimin në masën 5% të pagës bruto, ndërsa, kur këta persona punojnë në universitete private, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, duhet të derdhin në masën 7% të pagës bruto. Një ndryshim tjetër bëhet për masën e kontributit që derdh shteti për personat që u shërbejnë invalidëve. Në vendimin ekzistues, për ish-punonjësit që kanë punuar në miniera në nëntokë dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake që përfitojnë trajtim financiar të veçantë, personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë e tetraplegjikë dhe gratë që dalin në pension, për periudhën e kryerjes së arsimit të lartë, buxheti i shtetit derdh kontribute për degën e pensioneve në masën 21.6% të pagës minimale. Këtu bëhet një shtesë: Për personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, duke filluar nga 1 janar 2015 e në vazhdim, buxheti i shtetit derdh kontribute edhe për degën e barrëlindjeve dhe aksidenteve në punë në masën 1.7% të pagës minimale.

Pensionet e parakohshme

Pensioneve të parakohshme iu bëhet një shtesë e lehtë. Në kapitullin “Shuma bazë e përfitimeve”, qeveria bën këto ndryshime dhe shtesa, ku më i rëndësishmi është saktësimi i shumës bazë mujore të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Nga data 1 gusht 2015 e në vazhdim, pensioni i parakohshëm do të jetë 12 436 lekë në muaj, ndërkohë që me vendimin e janarit ishte 12 264 lekë. Përfituesit e pensionit të parakohshëm kanë të drejtën e kompensimit të çmimeve sipas vendimit të vitit 1994, të kompensimit të energjisë, të kompensimit të të ardhurave, kompensimit të çmimit të bukës, të rritjes së pensioneve sipas vendimit të 2010, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimet të jetë 14 086 lekë në muaj. Në rastet kur pensioni për vjetërsi shërbimi rezulton më i lartë se pensioni bazë dhe, bashkë me kompensimet e të ardhurave, rezulton më i lartë se shuma e të ardhurave minimale prej 14 086 lekësh, kompensimet jepen pjesore, deri në plotësimin e kësaj shume. Këtë lloj pensioni e marrin personat që plotësojnë kushtet për përfitim sipas ligjit të vitit 2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve”. Këtu hyjnë ish-pjesëtarë të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe ish-punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Policisë.

Ish të përndjekurit politikë

Ish të dënuarit politikë dalin në pension 50% më të lartë sesa iu garanton ligji i vitit 1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”. Në bazë të vendimit të djeshëm, pensioni mesatar për ish të përndjekurit do të jetë sa 1,5-fishi i pensionit bazë. Ligji aktual u garanton pension mesatar. Kur personi me këtë status nuk plotëson periudhën e sigurimit mund të zgjedhë të marrë pension të pjesshëm mesatar, shuma e të cilit përllogaritet duke shumëzuar pensionin mesatar me raportin midis periudhës faktike të sigurimit me periudhën e përcaktuar.

Rritet pagesa për barrëlindjen në fshat

Përfitim kanë edhe gratë e siguruara si punonjëse të bujqësisë. E ardhura për barrëlindje për gratë të cilat periudhën e sigurimit për efekt të përfitimit të barrëlindjes e kanë si persona të vetëpunësuar në bujqësi ose kanë më shumë se 6 muaj të periudhës së fundit të sigurimit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë, si persona të vetëpunësuar në bujqësi, duke filluar nga data 1 gusht 2015, e në vazhdim, do të jetë 8 516 lekë në muaj. Në vendimin e janarit, kjo pagesë ishte 8 398 lekë në muaj.

Niveli

Qeveria nuk rrit pagën minimale kombëtare

Qeveria për të dytin vit rresht nuk rrit pagën minimale mujore të punonjësve, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në bazë të ligjit, paga minimale në shkallë vendi përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Kjo pagë në vitin 2013 u fiksua nga qeveria “Berisha” (sipas VKM nr. 573 date 03.07.2013 “Për përcaktimin e pagës minimale, në shkallë vendi”). Sipas këtij vendimi, duke filluar nga data 1 korrik 2013 e në vazhdim paga minimale do të ishte 22.000 lekë. Qeveria e re socialiste në marrëveshje me industrinë fason vendosi që të mos e ndryshojë këtë nivel, madje tentoi ta ulte. Më 21 korrik 2014, qeveria vendosi që duke filluar nga data 1 gusht 2014 e në vazhdim, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, do të ishte jo më pak se 19.406 lekë, ndërsa paga maksimale mujore do të ishte 97.030 lekë. Në janar 2015, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve për ligjin e sigurimeve shoqërore, qeveria vendosi që paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1 janar 2015 e në vazhdim, të jetë: jo më pak sesa paga minimale mujore, e barabartë me 22 000 lekë dhe deri në 97 030 lekë, për personat e punësuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button