Home / Arte / Film / Zogjtë mund të fluturojnë, unë pse jo?

Zogjtë mund të fluturojnë, unë pse jo?

DokuFest nis udhëtimin nga Tirana/ Edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit do të mbahet nga data 8-16 gusht në Prizren. 228 filma nga 43 vende të ndryshme do të vijnë përgjatë 8 ditëve … 

DokuFest gjithashtu do të prezantojë një numër rekord të filmave shqip nga filmëbërës që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë. Festivali do t’i bëjë homazh njërit ndër filmëbërësve më të mëdhenj botërorë Albert Maysles, me shfaqjen e gjashtë filmave të tij, përfshirë filmat legjendarë Gimme Shelter dhe Grey Gardens e po ashtu edhe dy filmat e tij të fundit Iris dhe In Transit.

“Zogjtë mund të fluturojnë, unë pse jo?”. Kjo është motoja që do të mbledhë këtë vit në Prizren në edicionin e 14-të të Festivalit ndërkombëtar të Filmit DokuFest, kineastë nga e gjithë bota, frymëzuar nga filmi me këtë titull nga regjisori Daniel Mulloy.  Filmi me metrazh të shkurtër realizuar nga vullnetarë, një pjesë e të cilëve kanë emigruar apo janë kthyer me forcë në Kosovë. Ky film është pjesë e 228 filmave nga 43 vende të ndryshme që do të shfaqen përgjatë 8 ditëve në ekranet e mëdha të festivalit, në gjashtë programe garuese. Edhe këtë vit festivali ka hapur siparin e tij nga Tirana. Drejtuesit e këtij eventi, në prani të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, prezantuan dje kalendarin e filmave pjesëmarrës. “Jemi të lumtur të rikthehemi në Tiranë dhe të një copëz të vogël të programit të madh të këtij edicioni të DokuFest, për të cilin kemi punuar një vit dhe të cilin jemi krenarë ta shfaqim në Prizren nga data 8-16 gusht”, tha drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari. Për ministren Kumbaro, DokuFest është një nga markat më të mira të festivaleve që organizohen në trojet shqiptare. “Për ne është detyrë dhe krenari ta mbështesim, duke qenë se DokuFest bën pjesë në kalendarin e përbashkët kulturor të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, si një ndër gurët më të rëndësishëm të këtij kalendari i cili nuk kufizohet vetëm në shfaqje të filmave, por shtrihet edhe përtej datave të festivalit dhe përtej Prizrenit”, tha ministrja Kumbaro. Tema e festivalit këtë vit është migrimi, konteksti i tij shoqëror global dhe lokal, si dhe pasojat, të cilat do të theksohen dhe hulumtohen në një numër të aktiviteteve, përfshirë panele dhe debate me regjisorë dhe me ekspertë të ftuar ndërkombëtarë dhe vendorë. Një program i filmave të cilët fokusohen në çështjen e migrimit është krijuar ndërsa regjisori fitues i BAFTA, Daniel Mulloy, edhe këtë vit ka krijuar një fushatë vizuale për temën e festivalit. Filmat nga programi garues janë në thelb të festivalit dhe përzgjedhja e këtij viti sjell disa nga titujt më të mirë të filmave dokumentarë, si dhe atyre të shkurtër dhe eksperimentalë, në qytetin e Prizrenit dhe në kinematë e tij të hapura tanimë të njohura, deri te kinemaja më e re e shpallur këtë vit, the Dream Cinema (Kino Andrra). DokuFest gjithashtu do të prezantojë një numër rekord të filmave shqip nga filmëbërës që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë. Festivali do t’i bëjë homazh njërit ndër filmëbërësve më të mëdhenj botërorë, Albert Maysles, me shfaqjen e gjashtë filmave të tij, përfshirë filmat legjendarë Gimme Shelter dhe Grey Gardens e po ashtu edhe dy filmat e tij të fundit Iris dhe In Transit. Albert Maysles, i cili vdiq në fillim të këtij viti, në moshën 88-vjeçare, së bashku me vëllain e tij, David, ri-definuan filmëbërjen e dokumentarëve dhe ndikuan te një brez i regjisorëve me aftësinë e tyre për të kapur realitetin ashtu siç ndodh. View From The World, programi jo-garues i festivalit prapë do të sjellë disa nga filmat më të mirë të këtij viti, përfshirë “Citizenforur”, fitues i çmimit Oskar për filmin më të mirë dokumentar, The Wolfpack, senzacionin e Sundance dhe fituesin e çmimit të jurisë atje, si dhe “The Pearl Button”, fitues i çmimit për skenarin më të mirë në këtë edicion të Berlinales. Program i pasur i këtij viti po ashtu përfshin programin e kuruar nga kritiku i filmit Neil Young e që është një studim i skenës së pavarur të filmit amerikan në programin e titulluar Uncharted States of America (Shtetet e Bashkuara të paeksploruara) dhe programin e Pamela Cohn që tanimë është një eksplorim i vazhdueshëm i muzikës në filmin dokumentar, në programin e titulluar Sound of my Soul (Tingujt e shpirtit tim). Nuk do të mungojnë gjatë ditëve të festivalit dhe debatet. Debati i titulluar “Ballafaqimi me të kaluarën” do të adresojë rolin e rëndësishëm që arti dhe kultura kanë në krijimin e vlerave të reja që do të mund të ndihmojnë në ballafaqimin me traumat e konflikteve të viteve të ’90-ta. Një debat tjetër do të mbledhë panelistë, të cilët do të diskutojnë për shqetësimet kryesore mjedisore dhe ndryshimet klimatike në rajon. Debatet do të mbahen në hapësirën e Muzeut të Hamamit, ndërsa biseda të tjera që do zhvillohen aty përfshijnë debatin mbi tregun e filmave të shkurtër, rolin e mediave në luftën kundër korrupsionit, mbi dhunën seksuale gjatë konflikteve në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë dhe pasojat për të mbijetuarit, dhe tre debate që do të shqyrtojnë temën e migrimit nga kënde të ndryshme. Hapësira e Kino Klubit do të jetë hapësira e ligjëratave të ndryshme përfshirë masterklasën me Lucy Walker, regjisore e nominuar dy herë për Academy Award, e cila do të ndajë këshilla për procesin dhe anën praktike të editimit të filmave dokumentarë. Në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës do të organizojmë ligjëratën me Vasif Kortun një shkrimtar, kurator dhe ligjërues i artit bashkëkohor nga Stambolli, i cili do të flasë për artin dhe ndryshimet urbane duke u fokusuar në punën e tij si në SALT, Istanbul – një institucion i cili është pjesë e shumë programeve dhe një arkiv i gjerë i artit bashkëkohor dhe arkitekturës turke. Në edicionin e dymbëdhjetë të Dokuphoto do të paraqitet puna e fotografit Enri Canaj. Do të ekspozohen fotografitë e tij të cilat dokumentojnë dëshpërimin e një grupi emigrantësh nga Siria, të cilët arrijnë në bregdetin grek. Festivalit nuk do t’i mungojë dhe Doku Nights, ku mbrëmjeve grupe të njohura performojnë hitet e tyre më të mira. DokuFest prezantoi dje në Universitetin e Arteve,  filmin “Shpiwreck” nga Morgan Knibbe, i cili tregon për një varkë që barte 500 refugjatë nga Eritrea dhe u fundos në bregun e ishullit italian Lampedusa dhe Abraham ishte njëri nga të mbijetuarit. Ndër filmat e tjerë ishin “Paftuar” nga Roland Uruçi, “The chicken” nga Una Gunjak, “Nusja jonë” nga Ylli Çitaku dhe Nita Deda.

Leave a Reply

%d bloggers like this: