Home / Arte / Ekspozita / Një darkë që na bashkon

Një darkë që na bashkon

“Vakti i butë” quhet ekspozita që do të hapet sot në mbrëmje në Galeri “Miza”, i tri artisteve ballkanase Adela Jušić, Nardina Zubanović nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Beskida Kraja nga Shqipëria. Nën kurimin e Blerta Hoçia, kjo ekspozitë sjell një vështrim mbi ushqimin, si një vlerë kulturore që mbart në vetvete simbolika kuptimplota të shoqërisë ku jetojmë. Një vlerë e ndryshueshme që diku ndan e diku bashkon, si në rastin e veprës  “Familja” të Beskida Krajës, ku buka mbështjell dhe ngjiz në një ritual të shenjtë jetën e çiftit dhe të familjes. Në videon “Food with experience”, instalacion nga Nardina Zubanović, kjo vlerë bëhet lojë ku ngacmohet imagjinata duke ndryshuar kontekstin e zakonshëm të ushqimit, duke e çshenjtëruar atë dhe në të njëjtën kohë duke ironizuar mbi klishetë e roleve gjinore. Në veprën e Adela Jušić me titull “Një darkë për të tre”, ushqimi shndërrohet në një ritual të fuqishëm dhe një humnerë simbolike midis përfaqësimeve gjinore, fetare dhe ndryshimeve të brezave. Për kuratoren Blerta Hoçia “këto punë janë si një recetë, si një mësim, si ingredientët e një afrodiziaku ku elementët bashkëpunojnë në harmoni. Këto elementë përzihen në një përbërje të butë që fton në një sfidë tashmë të sjellshme”. Por teksa sheh veprat e tri artisteve e sheh ushqimin si një element jo vetëm që i jep hov jetës, por dhe që i bën bashkë njerëzit. Ushqimi është parë si një ritual dhe një mënyrë komunikimi që flet atë gjuhë universale dhe gjithmonë bashkëkohore.

Leave a Reply

%d bloggers like this: