Home / Europa / Britani, hetohet për pedofili ish-kryeministri Heath. U nda nga jeta 10 vite më parë

Britani, hetohet për pedofili ish-kryeministri Heath. U nda nga jeta 10 vite më parë

Ish-kryeministri konservator britanik, Sir Edward Heath, i cili ka drejtuar Britaninë e Madhe në vitet 1970-1974, por që ka ndërruar jetë përpara 10 vitesh, po akuzohet nga një numër dëshmitarësh dhe viktimash, se ka abuzuar me ta seksualisht kur ata kanë qenë fëmijë.

Policia britanike i ka bërë thirrje publikut për të dëshmuar nëse ka pasur raste të tilla, pas pretendimeve se ish-kryeministri ka qenë i përfshirë në abuzim seksual me të mitur.

Heath, një i apasionuar pas jahteve dhe muzikës, ka qenë kryeministri i fundit i Britanisë, përpara se të zëvendësohej në atë post nga ish-kryeministrja Margaret Thatcher, me të cilën ka pasur marrëdhënie mjaft të tensionuara.

Ai ka qenë për 10 vite drejtues i Partisë Konservatore britanike, të njëjtës parti të kryeministrit aktual, David Cameron. Ai nuk ishte i martuar dhe nuk kishte familje. Heath vdiq në moshën 89-vjeçare, në vitin 2005.

Sir Edward Heath bëhet kështu figura më e lartë e politikës britanike, e cila po lidhet me pretendimet për abuzim seksual me fëmijë, të cilat janë shpeshtuar dhe zmadhuar në përmasa që nga viti 2012, kur një ish-prezantues i BBC-së, i ndjeri Jimmy Savile, u dëshmua se kishte abuzuar seksualisht me fëmijë për dekada, duke u fshehur pas statusit të njeriut publik mjaft të njohur, që ai gëzonte në të gjallë.

Sipas Policisë britanike, pretendimet në mbarë vendin shkojnë në më shumë se 1400 vetë të dyshuar, përfshi 261 persona, të cilët konsiderohen si njerëz me rëndësi publike, mes tyre një duzinë politikanësh e yjesh të televizionit britanik.

Ky skandal është në fillesat e veta dhe, sipas të gjitha gjasave, pritet të dalin të dhëna shokuese për jetën e këtij politikani të lartë britanik dhe për përpjekjet nga segmente të caktuara të Policisë, për të mbuluar një skandal të tillë në kohën kur Sir Edward Heath ka qenë në nivelet më të larta të politikës së vendit dhe më pas kur nuk ishte i angazhuar në politikë, derisa ndërroi jetë 10 vite më parë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: